Çka janë ndryshimet klimatike? A do të pësojë edhe Kosova?
Kur flasim për ndryshimet klimatike, nuk bëhet fjalë për ciklet natyrore të nxehjes e të ftohjes së planetit, po për në ndryshimet të cilat janë shkaktuar nga aktivitetit i njeriut e që, fatkeqësisht, mund të jenë të pakthyeshme
Dush Gashi
Ndryshimet klimatike – këtë term, ndonëse nuk nuk ndodh të përmendet në lajmet, së paku jo ato qendrore të televizioneve tona, sigurisht e keni dëgjuar shpesh në disa nga vitet e fundit.
Nxehtësi të mëdha, shira skajsshmërisht të rrëmbyeshëm, thatësi, rendimente të zvogëluara në bujqësi – të gjitha këto gjëra kanë të bëjnë me ngritjen e temperaturës në planetin tonë dhe shkaktojnë vëmendje e shqetësim të publikut. Shkencëtarët tërheqin vërejtjen se kushtet në Tokë mund të ndryshojnë në mënyrë drastike jo më larg se deri në fund të këtij shekulli në qoftë se nuk e ndërpresim djegien e lëndëve djegëse fosile, të rinjtë anembanë botës, të frymëzuar sidomos nga adoleshentja suedeze Greta Thunberg, protestojnë sepse janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre, ndërsa politikanët tërë kohën premtojnë masa më të ashpra, të cilat kurrsesi të fillojnë të realizohen plotësisht.
Por, çfarë mendojmë vërtet kur themi ndryshimet klimatike? Portali ynë, pos këtij teksti, do të merret edhe më tej me këtë problematike, për t’ju njohur më për së afërmi me këtë nocion dhe për të gjitha pasojat, të cilat priten në të ardhmen, si dhe për masat që po ndërmerren e duhet ndërmarrë.
Kur flasim për ndryshimet klimatike, nuk bëhet fjalë për ciklet natyrore të nxehjes e të ftohjes së planetit, po për në ndryshimet të cilat janë shkaktuar nga aktivitetit i njeriut.
Klima ka ndryshuar më parë nën ndikimin e ndryshimeve në orbitën e Tokës. Ndryshimet në mënyrën se si Toka rrotullohet rreth Diellit, përfshirë ndryshimet në orbitën e saj, ndodhin pothuajse në intervalet e rregullta (nga dhjetëra mijëra deri në 100,000 vjet) dhe bëjnë që disa gjerësi gjeografike të planetit tonë të marrin më pak ose më shumë energji nga Dielli, gjë që bën që klima të nxehet ose ftohet. Shkak i këtyre ndryshimeve është ajo që e njohim si “epoka e akullit”. Por, këto ndryshime shfaqen në cikle të caktuara, ndërsa ndryshimet e klimës, të shkaktuara nga njeriu, mund të jenë të pakthyeshme deri në shkallën sa planeti ynë të bëhet i pabamueshëm.
Si shkaktohen ndryshimet klimatike?
Njëra ndër vetitë e cila njeriun e ka ndarë nga kafshët është zotësia për t’i zbutur forcat e natyrës dhe energjinë e tyre ta përdorë për nevoja të tij. Uji e era i vënë në lëvizje mullinjtë me shekuj, ndërsa djegia e drurit liron energjinë, e cila shërben për ngrohje dhe për gatimin termik të ushqimit. Megjithatë, ky ka qenë vetëm fillimi i shfrytëzimit të një pjese të vogël të potencialit energjetik, i cili ka qenë në disponim. Lëndët djegëse fosile kanë qenë kudo përreth nesh duke pritur të gjejmë mënyrë efikase që t’i shfrytëzojmë, e kjo ka ngjarë me zbulimin e makinës me avull, e cila ka shënuar fillimin e revolucionit industrial.
Gati i tërë përparimi i civilizimit tonë në dyqind vitet e fundit është mundësuar nga energjia, të cilën e kemi fituar nga lëndet djegëse fosile, por kjo ka pasur çmimin e saj. Prodhimi për kohë të gjatë me djegien e thëngjillit, derivateve të naftës dhe gazit natyror kanë shkaktuar shtimin e përqendrimit të gazrave, të cilat krijojnë efektin e serrës – kopshtit të mbuluar me xhama në atmosferë dhe kjo do të ketë pasoja afatgjata për klimën e planetit tonë.
Cilat janë pasojat?
Ideja se aktivitetet njerëzore ndikojnë në klimë nuk është e re, me këtë temë në fund të shekullit XIX është marrë Svante Arrhenius, i cili ka publikuar punimin “Efektet e thartirës së karbonit në temperaturë e tokës”, ndërsa në vitin 1938 Guy Callendar ka prezantuar punimin e tij “Pprodhimi i artificial i dioksidit të karbonit dhe ndikimi i tij në klimë”. Që atëherë ka kaluar shumë kohë dhe përparimi teknologjik dhe vite të shumëta hulumtimi në masë të madhe e kanë avancuar të kuptuarit tonë të këtij problemi dhe të pasojave të mundshme.
Pasoja kryesore e ndryshimeve klimatike është shtimi i temperaturës në sipërfaqen e Tokës, e cila është shënuar nga gjysma e dytë e shekullit XIX, e shkaku i saj në publik për kohë të gjatë ka qenë në përdorim termi ngrohje globale. Mirëpo, me kohë është bërë e qartë se ndryshimi i temperaturës në planetin tonë do të shkaktojë edhe pasoja të tjera të shumëta, si:
- Shkrirja e kapelave polare
- Ngritja e nivelit të detit
- Ndryshimi i regjimit të të reshurave
- Shtimi i frekuencës së ngjarjeve ekstreme të motit
- Acidifikimi (shtimi i thartësisë) së oqeaneve
Në raportin e fundit të Panelit ndërkombëtar për ndryshimet klimatike (IPCC), konstatohet se ngrohja e sistemit të klimës është i padiskutueshëm, dhe se shumë ndryshime të vërejtura nga vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar kanë qenë të pashënuara me dekada madje edhe me mileniume. Po ashtu, theksohet se me siguri të madhe mund të thuhet se shtimi antropogjen i përqendrimit të gazrave të serrës në atmosferë dhe ndikimet të tjera njerëzore në klimë janë shkaku dominues i shënimit të shtimit të temperaturës mesatare globale të sipqërfaqes së Tokës nga fillimi i revolucionit industrial për rreth 1,01 °C .
Samiti i fundit i organizuar nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike në dhjetor të vitit 2015, në Paris, mblodhi liderët nga e mbarë bota për dalë me ide të reja, për të diskutuar dhe për t’u zotuar për synime të përbashkëta të zbutjes së efekteve të ndryshimeve klimatike dhe kontrollimin e ngrohjes globale, duke e mbajtur rritjen e temperaturës nën 2 °C.
Çfarë mund të ndodhë në Kosovë?
Kosova edhe i kontribuon, por edhe parashihet se do të ketë pasoja nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale. Meqë 98 për qind e energjisë elektrike në vend përfitohet nga termocentralet me thëngjill, atëherë është e qartë se edhe hisja jonë në emetimet e gazrave serrë në atmosferë është përpjestimisht bukur e madhe.
Në shumë dokumente me këtë temë, e edhe në Strategjinë për ndryshimet klimatike 2019-2028, dokument ky qeveritar, përmendet e dhëna nga viti 2008 për totalin e emetimit të gazrave serrë prej 9,5 milionë tonelata dioksid karboni në vit (dhe atë shkaktuar kryesisht nga termocentralet, me 88 përqind), ndërsa thuhet se në vitin 2015 janë rritur për 5,2 përqind, duke arritur në 10 milionë tonë. Vlerësohet se, krahasuar me shtetet tjera të Evropës, Kosova vazhdon të ketë emetim të ulët për kokë banori me 5.5 tonelata CO2. Por, sipas të dhënave të Komisionit Evropian, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me BE-në për investim në elektrofiltrat e termocentralit “Kosova B”, prezantohen të dhënat se emetimet e pluhurit nga ky termocentral janë për 35 herë më të larta se në BE, ndërsa ato të oksideve të azotit, për të cilat po ashtu mendohet se janë gazra serrë, katër herë më të larta, prandaj edhe investimi ka për qëllim uljen e këtyre parametrave dhe barazimin e tyre me standardet e BE-së.
Në Strategjinë për ndryshimet klimatike, parashikohet se ekspozimi ndaj rreziqeve të tilla si thatësirat, përmbytjet dhe zjarret në pyje do të bëhen më të mëdha me ndryshimet klimatike. Madje, ndryshueshmëria e klimës është rritur tashmë edhe në Kosovë. Temperaturat më të larta, kanë me shumë gjasa që të shkaktojnë valë të nxehta dhe zjarre në pyje, çfarë që nga viti 2000 e tutje në Kosovë ka pasur gjithnjë e më shumë. Temperaturat e ngritura, pa parashikueshmëria për sa i përket shirave dhe zvogëlimi i reshjeve, i kombinuar me zhvillimet socio-ekonomike dhe nevojat në rritje për burimeve
të ujit, do ta rrisin ekspozimin ndaj thatësirave, thuhet në këtë dokument. Po ashtu, ndikim në këtë do të ketë edhe degradimi i ekosistemeve dhe zvogëlimi i shërbimeve të ekosistemit.
Ndër faktorët vendorë, të cilët ndikojnë që efektet e ndryshimit të klimës të jenë më të theksuar, numërohen shumë faktorë: industritë, të cilat punojnë me teknologji të vjetruara (veçanërisht termocentralet); ndërtimet dhe urbanizimi i pakontrolluar nga 1999 deri më tani; cenueshmëria e lartë socio-ekonomike si pasojë e shkallës së lartë varfërisë (që prekë deri 45% të popullatës) dhe një ekonomie të brishtë dhe nivel i ulët i shërbimeve në sektorët e shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe punësimit; ndërtimet pa leje në zona të rrezikshme si dhe mosrespektimi i standardeve të ndërtimit; infrastrukturë e vjetruar dhe jo-adekuate e furnizimit me ujë të pijshëm dhe të kanalizimit për të përballuar trendet aktuale të zhvillimit dhe shtimit të popullatës; menaxhim i paqëndrueshëm resurseve ujore; shfrytëzim joadekuat i tokës dhe planifikim joadekuat komunal, të cilat rrisin ekspozimin e popullatës ndaj rreziqeve si dhe praktika të paqëndrueshme bujqësore, shpyllëzimi dhe shkatërrimi i shpatinave nga aktivitetet minerare.
Por, për evitimin apo zbutjen e këtyre problemeve bëhet fare pak, për të mos thënë aspak./bbgreenkosova
Burimi: IPCC, 2014, Climate change 2014, Synthesis report; climate.nasa.gov; Strategjia për ndryshimet klimatike e Qeverisë së Kosovës, Komisioni Evropian
Foto: nasa.gov, BB Green Kosova