Barbari pas Bajramit: Mbetje të neveritshme kurbanësh në rrugën e pyllit
Qentë endacakë dhe insektet pastaj do ta bëjnë punën e tyre dhe droja për një Wuhan të ri është më se reale
Në fillim të rrugës “Qëndresa”, përballë shkollës “Mileniumi i tretë”, fillon rruga “Bahtir Jahirit”, e cila për pak çaste të nxjerr në pyll. Andej ka staza të shumta, me gjelbrim të bujshëm e pejazazhe të bukura, të cilat edhe nuk vizitohen aq. Por, kushdo që ka qenë andej të shtunën, pas festës së Bajramit të kurbanit, do t’i duhet kohë për t’i kaluar neveria dhe për t’i rënë prapë asaj rruge.
Përkundër masave më rigoroze të pushtetit për këtë Bajram – që kurbanët mos të shiten në tregje të improvizuara dhe të priten vetëm në thertore të licencuara – dikush megjithatë nuk i është përmbajtur kësaj. Në mes të rrugës kishte hedhur një thes me të brendshme të kurbanit, ndërsa përreth tij të shpërndara edhe të tjera mbeturina të shëmtuara.
Qentë endacakë dhe insektet pastaj do ta bëjnë punën e tyre dhe droja për një Wuhan të ri është më se reale.
“Tepër e shëmtuar, tepër e neveritshme”, thoshte një qytetar i rastit. “Dhe, nuk është hera e parë që ndodh kjo, edhe më parë janë hedhur atje më lart, buzë malit me pisha, një verë të tërë kanë kundërmuar, sepse mbetje kërmash të deles mbesin për kohë të gjatë”, tha ai.
Por, nuk është vetëm kjo ndotje që i bëhet kësaj ane. Në vazhdim të kesaj rrugë, sapo hyn në pyll, majtas një përrua dikujt i ka shërbyer si vend i mirë për deponimin e shumë gomave të automjeteve. Shishe, kanaçe pijesh e plastikë të ndryshme po ashtu gjen gjithandej. Për fat të keq, vetëdija jonë për të ruajtur ambientin është shumë e ulët, ndërsa edhe pushteti nuk po bën përpjekje konsistente për të ndaluar këto veprime të shëmtuara./bbgreenkosova