Greta Thunberg liderëve të BE-së: Klima dhe kolapsi i mjedisit duan qasje urgjente

Më të rejat

Pushtetarët kanë hequr dorë nga mundësia të ofrojnë një të ardhme të mirë për brezat, thekson adoleshentja suedeze, bashkë më shumë nënshkrues të tjerë të letrës së hapur

Aktivistja suedeze për luftën kundër ndryshimit të klimës, Greta Thunberg sot u bëri thirrje drejtuesve të Bashkimit Evropian që të ndërmarrin masa urgjente të nevojshme për këtë çështje, dhe theksoi se njerëzit në duart e të cilëve është pushteti, praktikisht kanë hequr dorë nga mundësia e ofrimit të një të ardhmeje të mirë brezave të ardhshëm.

Në një letër të hapur, të nënshkruar nga mijëra njerëz përveç saj, përfshirë klimatologë, ekonomistë, aktorë dhe aktivistë të tjerë, 17-vjeçarja Thunberg u bëri thirrje vendeve të BE-së që të fillojnë t’i qasen ndryshimit të klimës dhe kolapsit të mjedisit si një “emergjencë”.

Sipas Reuters-it, letra u botua përpara samitit të nesërmes të Këshillit të Evropës, në të cilin anëtaret e BE-së do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje për buxhetin e ri të Unionit dhe paketën financiare për rimëkëmbje nga tronditja ekonomike e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Ndër kërkesat janë pezullimi i menjëhershëm i të gjitha investimeve në kërkimin dhe shfrytëzimin e karburanteve fosile, si dhe heqjen e shpejtë të të gjitha subvencioneve për industrinë e karburanteve fosile.

Nënshkruesit mbrojnë gjithashtu vendosjen e kufijve vjetorë të emetimeve të gazrave serrë, në mënyrë që, sa më shumë të jetë e mundur, të përmirësojnë perspektivat e përmbushjes së objektivit të marrëveshjes së klimës të arritur në Paris në 2015, e cila parashikon kufizimin e rritjes globale vjetore të temperaturës në 1.5 gradë celcius.

Letra gjithashtu bën thirrje që politika e klimës të projektohet për të mbrojtur punëtorët dhe sektorët më të prekshëm të popullatës, pra për të zvogëluar pabarazinë ekonomike, racore dhe gjinore, dhe pjesëmarrësit në iniciativë kërkojnë që të merren hapa për të ruajtur dhe mbrojtur demokracinë, shkruan Reuters./bbgreenkosova

Burimi: Reuters
Foto: Staff

Leave a Reply