Bar pezmi, një bimë e çmuar që haset kahmos
Lulet i përdorim për çaj, i cili e pastron gjakun, shton oreksin, e përmirëson punën e mëlçisë, fshikëzës së urinës dhe veshkave, liron ujin nga organizimi
Bar pezmi (Achillea millefolium L.) është një bime e cila nuk është aq e njohur ndër ne për rëndësinë e saj, ndonëse rritet pothuajse kahmos, ndërsa për përdorimin e saj është ditur që në lashtësi. Këtë na e kujton emrin i saj, Achillea, që i i është dhënë sipas heroit mitologjik Akil, i cili këtë bimë e ka përdorur për të shëruar plagët dhe për të ndaluar gjakderdhjen e ushtarëve të tij. Emri i llojit millefolium do të thotë njëmijë fletë, rrjedh nga fjala latine mille (mijë) dhe folium (gjeth).
Bar pezmi është bimë barishtore shumëvjeçare. Kërcyelli është vertikal, i fortë dhe i gjatë deri 80 cm. Rizoma është horizontale, zvarritëse. Gjethet, dyfish ose trefish pendore të çara, të bashkuara në rozetë, janë të gjata edhe deri 30 cm dhe kanë bisht, ndërsa ato në kërcyell janë më të vogla dhe me bisht të shkurtë ose pa të. Lulet kaptinore janë me diametër 3-5mm, janë të bashkuara në maje të kërcyellit me degëzime lulesash të ngjashme me mburojën. E tërë bima është pakashumë leshatuke, me erë aromatike dhe shije aromatike të hidhur. Lulëzon gjatë tërë verës, nganjëherë deri në vjeshtën e vonë.
Vendbanimi. – Është i përhapur në Evropë, Azi e Amerikë Veriore, e bartur, ndërsa sot merret si invazive në Australi e Zelandë të Re. Rritet nëpër tërë Evropën e mbirë vetë, më së shpeshti në grupe, në kullosa të thata, fusha, livadhe dhe si barojë në kopshte, e gjejmë nga ultësirat deri në brezin malor në 1700 metra lartësi mbidetare.
Shumohet me fara apo me ndarjen e rrënjës në pranverë apo në vjeshtë. Farat mund të mbillen edhe në enë. U ndërrohet vendi pas 6 deri në 8 javë.
Përdorimi. – Gjethet e reja mbledhim nga fundi i shkurtit deri në qershor dhe përsëri në vjeshtë. Përmbajnë 25-45 mg% vitaminë C, deri 13 mg% karoten dhe pak vitaminë K. Ua shtojmë sallatave, gjellës, supës. Mund të përdoren edhe si erëz në vend të majdanozit. Me vjetrim gjethet zhvillojnë glikozide të hidhura dhe mjaft tanine, dhe atëherë nuk janë për ngrënie.
Gjethet, lulet apo bishtat e bimëve i mbledhin gjatë kohës së lulëzimit dhe i thajmë në vend të ftohtë e të ajrosur. I përdorim për çaj i cili e pastron gjakun, shton oreksin, e përmirëson punën e mëlçisë, fshikëzës së urinës dhe veshkave, liron ujin nga organizimi. Përdoret edhe për shërimin e sëmundjeve të grave, diabetit, ndalimin e gjakderdhjes.
- 10 gramë të bimës së terur i hidhet një filxhan uji të vluar, lëhet e mbuluar me kapak për 10 min, kullohet dhe pihet nga tre filxhanë në ditë. Është i sigurt për përdorim.
Me destilimin me avull uji të luleve fitohet vaji eterik. Nuk bën të merret nga goja, sepse është neurotoksik për shkak të përmbajtjes së taninës, por gjen përdorim në kozmetikë. Përdoret edhe për trajtimin e ndezjes së lëkurës, por edhe lëkurës së tharë e të dëmtuar.
Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova, Wikipedia