Sa njerëz deri në vitin 2070 do të mund të jetojnë në kushte ekstreme?
Rezultatet e një studimi tregojnë se mbi një miliard njerëz deri në vitin 2070 mund të jenë të detyruar të shpërngulen apo t’u përshtaten temperaturave jashtëzakonisht të larta dhe kushteve si ato të cilat tash mbretërojnë në Sahara
Se ngrohja globale është realitet, i cili po ndodhë më askush nuk e vë në dyshim. Shkencëtarët kanë filluar të merren më parashikimin se si mund të jetë ajo në vitet në vijim dhe me çfarë pasojash për njerëz.
Një hulumtim ndërkombëtar, i botuar në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences tregon se rritja e temperaturës për shkak të ndryshimeve klimatike një numri të madh njerëzish do t’ua bëjë jetën e padurueshme. Fjala është për një eksperiment mendimi, të cilin e ka bërë një ekip shkencëtarësh nga Kina, ShBA-të, Britania e Madhe e Danimarka. Rezultatet tregojnë se mbi një miliard njerëz deri në vitin 2070 mund të jenë të detyruar të shpërngulen apo t’u përshtaten temperaturave jashtëzakonisht të larta dhe kushteve si ato të cilat tash mbretërojnë në Sahara.
Hulumtuesit janë nisur nga nocioni i “kamares klimatike”, përkatësisht kushteve të cilat janë të përshtatshme për jetën e njeriut, duke pasur parasysh mundësinë e prodhimit të ushqimit, e po ashtu edhe faktin se njerëzit si edhe qeniet e tjera të gjalla në kushte të caktuara mbijetojnë më vështirë.
Sipas studimit, numri më i madh i njerëzve aktualisht jeton në regjione në të cilat temperatura mesatare është prej 6 deri në 28 gradë Celsius, që ua siguron kushtet e përshtatshme për jetë. Ata thonë se ekzistojnë dy kamare klimatike, kështu që në njërën mesatarja e temperaturës prej 11 deri 15 gradë, ndërsa në tjetrën nga 20 deri 25, që ka të bëjë me rajonet e nxehta e të plleshme monsunike. Mirëpo, një numër i madh njerëzish në dekadat e ardhshme, nëse emisioni i garzrave me efet të serrës nuk zvogëlohen, mund të hasin në temperaturë mesatare madje plot 29 gradë Celsius, e cila është karakteristikë e pjesëve më të nxehta të Saharasë.
Në rast të këtij skenari pesimist, më së rëndi do të goditen banorët e Indisë, pastaj të Nigerisë, Pakistanit, Indonezisë e Sudanit. Për një numër të madh banorësh të këtyre vendeve do të mbeteshin vetëm dy opsione – të shpërngulen apo të përshtaten. Me atë që për t’u përshtaten do t’u duhen shuma të mëdha parash.
Në skenarin më të mirë të mundshëm rreth 1,2 miliardë njerëz për 50 vjet nuk do të jetojnë në të njëjtën kamare klimatike në të cilën jetojnë për tashmë 6000 vjet. Në qoftë se rritja e mesatares globale të temperaturës do të ndalojë në dy gradë, numri i njerëzve të cilët do të gjendeshin në klimë të ndryshme do të shtohej në 1,5 miliardë, ndërsa sipas skenarit më të keq madje 3,5 miliardë.
Njëri prej aspekteve më të rëndësishme të këtij eksperimenti mendimi është prodhimi i ushqimit, i cili në masë të madhe varet prej punës në ferma, ndërsa ndryshimet e mëdha të temperaturës do të shtonin dukshëm numrin e ditëve në vit kur per shkak të nxehtësive të mëdha do të jetë e pamundur të punohet jashtë. Vetëm në vitin 2018 mbi 150 miliardë orë pune në këtë degë të ekonomisë janë humbur për shkak të temperaturës ekstreme dhe lagështisë së madhe të jarit, të cilat kanë pamundësuar punën jashtë.
Burimi: The Guardain, The Conversation
Foto: Flickr