Lulebojëgjaku, një simbol i Kosovës

Bimët

Foto: BB Green Kosova

Paeonia peregrina, siç njihet me emrin shkencor, është bimë shumëvjeçare barishtore nga familja Paeoniaceae, endemike në vendin tonë

Lulebojëgjaku vetëm sa s’ka çelur. Lulëzimi i saj ka vonuar pak sivjet, ndoshta për shkak të disa ditëve me borë e edhe ngrica të papritura pas një dimri të butë.

Lajm i mirë është se, kjo lule, e numëruar ndër llojet bimore të cilave u kërcënohet zhdukja për shkak të mbledhjes së shumtë dhe zgjerimit të sipërfaqeve me të mbjella, në pyjet përreth kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, vetëm sa po shumohet. E njohur si bimë, e cila rritet në Rrafshin e Kosovës, ajo tashmë është përhapur me të madhe edhe në pyllin e Gërmisë, në të cilin mund të gjenden disa vendbanime të saj, me gjithnjë e më shumë bimë.

Serbët, të cilët deri në vitin 1999 e sunduan Kosovën, si për shumëçka tjetër, në përpjekje për krijimin e mitit për Kosovën serbe, krijuan një histori të rrejshme, gjoja se kjo lule ka mbirë në Gazimestan, në afërsi të Prishtinës, pas gjakut të derdhur në përleshje me turqit, në betejen e Kosovës, në vitin 1389, rreth të cilës serbët po ashtu kanë krijuar mite të rrejshme. Ata i dhanë edhe një emër tjetër, “Bozhuret e Kosovës”, me të cilin edhe ne atë kohë e kemi emërtuar bukur shpesh.

Se këto histori janë të rrejshme, dëshmon legjenda e lashtë. Emri latin i familjes së kësaj bime rrjedh nga Peoni, zoti i mjekësisë nga mitologjia greke. Aklepsi është bërë xheloz në Peonin pasi që e ka shëruar zotin e luftës Aresin, dhe Hadin, zotin e nëntokës kur e ka plagosur Herakleu. Për ta mbrojtur nga zemrërimi i Aklepsit, Zeusi Peonin e ka shndërruar në lule.

E vërteta, pra, është se kjo lule ka qenë këtu përherë, është bime endemike dhe, ndonëse rritet edhe gjetiu në Evropën Juglindore dhe në Azi, megjithatë konsiderohet si një simbol i Kosovës. Në popull quhet Lulegjaku, apo Lulebojëgjaku, për shkak të ngjyrës së purpurtë të luleve, si të gjakut.

Lulebojëgjaku, e njohur me emrin shkencor Paeonia peregrina, është bimë shumëvjeçare barishtore nga familja Paeoniaceae, me gjethe 9-brinjësh, të ndara thellësisht. Lulet janë të vetmuara, të kuqe të shkëlqyeshme, me diametër 10–13 cm (4–5 inç), me thekë të verdhë të spikatur. Në hemisferën veriore lulëzon në maj e në qershor. Shumohet me fara, apo me ndarje. Farat mbillen në vjeshtë, apo stratifikohen dhe mbillen në pranverë. Me ndarje po ashtu mbjellja mund të bëhet në vjeshtë apo herët në pranverë.

Ajo u përket llojeve të mbrojtura të bimëve, sepse për shkak të mbledhjes së shumtë vendbanimet e saj natyrore janë rrezikuar shumë. Kultivohet edhe si lule kopshti dhe kjo praktikë po shpeshtohet gjithnjë e më shumë edhe ndër ne.

Në industrinë e kozmetikës, përdoret për prodhimin e parfumëve. Rrënja e saj përdoret në trajtimet për flokët, për të qetësuar flokët e irituara dhe zvogëluar të kruarit. Rrënja nxirret, lëhet të thashet dhe pastaj shndërrohet në pluhur. Mund ë përdoret si shtesë shamponëve.

Në mjekësinë popullore rrënja e kësaj bime është përdorur për shërimin e histerisë e epilepsisë. Por, duhet pasur kujdes së ajo edhe është e helmueshme, varësisht nga dozimi i përdorimit. Në literaturë janë shënuar përfundime me fatalitet për shkak të dozimit të tepruar.

Burimi: BB Green Kosova

Leave a Reply