Samiti Botëror i Ujit në Berlin: Sasia dhe cilësia e ujit (7)
Behare Bajraktari, Berlin
Gazetare & publicite/ E specializuar në raportime për ndryshimet klimatike dhe mjedisore
Shqetësimet që u ngritën në Samitin e ujit, kohë më parë i ka ngritur edhe Kosova të publikuara në raportin “Kadastri i Ndotësve të Ujërave të Kosovës 2010”, ku thuhet mes tjerash se shekulli 21 për ujërat globale paraqitet me dy sfida të përbashkëta: sasinë dhe cilësinë e tij.
Llogaritet që deri në vitin 2025, rreth 2/3 e shteteve të botës do të ballafaqohen me stresin ujor. Uji i pastër, i sigurt dhe adekuat është vital për ekzistencën e organizmave të gjallë dhe funksionimin normal të ekosistemeve, komunitetit dhe ekonomisë. Por cilësia e ujërave është rrezikuar ndjeshëm me shtimin e popullatës njerëzore, zgjerimin e aktiviteteve bujqësore dhe industriale, thuhet më tej në raport. Çdo ditë në botë, me miliona ton të ujërave të patrajtuara të kanalizimeve urbane, bujqësore dhe industriale derdhen në ujëra. Çdo vit lumenjtë, liqenet, detrat dhe oqeanet pranojnë ndotjen e mbi 6.6 miliard të njerëzve në planetin tone, thuhet më tej në raport.
Ujërat me cilësi të dobët e rrezikojnë shëndetin e njerëzve dhe integritetin e ekosistemeve, zvogëlojnë sasinë e ujit për pije në dispozicion dhe zvogëlojnë prodhimtarinë ekonomike. Janë një numër i aktiviteteve natyrore dhe njerëzore si: bujqësia, industria, minierat, depozitimi i mbeturinave, rritja e popullatës, urbanizmi dhe ndryshimet klimatike që ndikojnë në karakteristikat biologjike, kimike dhe fizike të ujërave duke ulur ndjeshëm cilësinë e tyre.
Nëse flasim për Kosovën, ka në dispozicion resurse ujore të cilat megjithatë falë gjeomorfologjisë dhe relievit, shumë shpejt e lëshojnë territorin e saj dhe shkojnë në drejtim të tre detrave të ndryshëm, që është rast i rrallë për një territor kaq të vogël. Cilësia e këtyre ujërave është e dobët, pasi që nuk ka as trajtim më mirë të ujërave të zeza para shkarkimit në trupat ujorë dhe në akuiferet nëntokësor, sipas raportit të fundit.
Kosova në përmasa të caktuara është e prekur nga të gjitha aspektet e mësipërme të ndotjeve, dhe kjo duhet të shërbejë si nismë që përveç sasisë në planifikimet strategjike duhet marrë për bazë edhe cilësinë, ndërsa për komunitetin që përveç kursimit të ujit, duhet pasuar kujdes që ai edhe të mos ndotet.
Kosova ka resurse të kufizuara ujore, qoftë ujërave sipërfaqësor qoftë atyre nëntokësor, prandaj mbrojtja dhe shfrytëzimi racional i tyre është me rëndësi jetike për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Si rrjedhojë e pozitës gjeografike lumenjtë e Kosovës shumë pak e përshkojnë territorin e saj (Ibri, Lepenci, Lumëbardhi i Prizrenit dhe Morava e Binçës) dhe shpejt dalin jashtë territorit të saj.
Pjesa më e madhe e lumenjve të Kosovës janë lumenj sezonal që varen kryesisht nga reshjet atmosferike, prandaj gjatë verës atëherë kur edhe kërkesat për ujë rriten prurjet e lumenjve janë minimale.
Nesër: Teknologjia dhe inovacioni si zgjidhje të problemit të ujit
——