Biodiversiteti i Sharrit ka një lloj shumë të rrallë
Zeus Olympius, është një lloj kërpudhe shumë e rrallë që gjindet në Kosovë, e që është e njohur vetëm nga dy vende të tjera të botës.
Kërpudha për herë të parë në Kosovë u zbulua nga një ekip mikologësh maqedonas, në vitin 2018, gjatë një hulumtimi në Prevallë brenda Parkut Kombëtar të Malit Sharr, në një lartësi mbidetare rreth 1.600 metrash.
Zona ku u gjet kërpudha është një zonë e pyjeve të paprekura natyrore të pishës boshnjake (Pinus leucodermis), që është një pishë endemike ballkanike.
Zeus Olympius u gjet për herë të parë në vitin 1986 në malin Olimp në Greqi, ndërsa në vitin 2012 ajo u gjet edhe në malin Pirin në Bullgari. Trupat frutorë të kërpudhës janë fillimisht lëvozhga të zeza rrethore që paraqiten poshtë kores. Kur të piqet, trupi frutor çan tej kores, ndërsa lëvozhga ndahet në dhëmbëza të vegjël të zi që mbulojnë një disk ngjyrë të portokalltë në të artë me dimensione prej 0.2–5mm në diametër. Ajo rritet në grupe të vogla mbi pjesë të vdekura të degëve të vogla të pishës boshnjake. Lloji është pjesë e Global Fungal Red List Initiative (Nisma e Listës së Kuqe Globale Kërpudhore), në të cilën ajo është cilësuar si “potencialisht e rrezikuar në mënyrë kritike”. Të dhënat për Kosovën tashmë janë inkorporuar në bazën e të dhënave të Nismës së Listës së Kuqe Globale Kërpudhore.
Kërpudha u gjet dhe u përcaktua nga ekipi i mikologëve i udhëhequr nga prof. Mitko Karadelev nga Fakulteti i Shkencave Natyrore në Shkup, në kuadër të projektit të tyre të ”Kërpudhat e Kosovës: Krijimi i Listës Kontrolluese dhe i Listës Preliminare të Kuqe dhe Propozimi i Zonave të Rëndësishme Kërpudhore” i financuar nga fondacioni Rufford nga Anglia. Ekipi kishte realizuar paraprakisht projekte të ngjashëm edhe në Maqedoni dhe Shqipëri.
Deri më tani, kërpudhat e Kosovës kanë qenë pak të studiuara dhe kishte pak të dhëna zyrtare në dispozicion. Projekti ka prodhuar të dhëna per mbi 380 llojesh të ndryshme, duke i përfshirë në një bazë të dhënash online posaçërisht të krijuar Fungi of Kosovo (Kërpudhat e Kosovës).
Lista, e përgatitur në linjë me kriteret e IUCN-së, do të jetë një themel për përpilimin e një Liste Zyrtare të Kuqe të Kërpudhave dhe përgatitjen e legjislacionit për mbrojtjen e kërpudhave. Zonat e rëndësishme kërpudhore janë identifikuar në bazë të pranisë së llojeve të rralla dhe të rrezikuara, të numrit te idivideve dhe të rëndësisë mikologjike të mjedisit jetësor. Lista dhe zonat e rëndësishme kërpudhore do të jenë kyçe për konservimin e kërpudhave, duke pasur parasysh kërcënimet madhore, siç janë eksploatimi i tepruar, fragmentimi dhe shkatërrimi i habitateve kërpudhore./bbgreenkosova
Burimi: macfungi.webs/AMM
Foto: BB Green Kosova, Mitko Karadelev