Katastrofë ekologjike afër Kamçatkas – uji ndryshoi ngjyrë, kafshë të ngordhura në plazh

Më të rejat

Autoritetet ruse kanë këshilluar vendasit të qëndrojnë larg plazhit të paprekur në Lindjen e Largët, për shkak të ndotjes së pashpjegueshme të ujit, për çka grupi Greenpeace tha se është fjala për një “katastrofe mjedisore” dhe se disa surferë kanë fituar ethe dhe të vjella.

Ndotja u vu re nga njerëzit në plazhin Kalaktirski, një pjesë e bregdetit të Paqësorit e mbuluar me rërë të zezë vullkanike, e cila është me dhjetëra kilometra e gjatë dhe e popullarizuar në mesin e turistëve.

“Uji ndryshoi ngjyrën dhe u bë i pasigurt për shëndetin e njeriut. Për disa javë, njerëzit që ishin në kontakt me ujin patën pasoja negative,” thotë Greenpeace në një deklaratë.

Pas hyrjes në ujë, njerëzit ankoheshin për dhimbje të fytit, përkeqësim të shikimit, sy të thatë, të përziera, dobësi fizike, të vjella dhe ethe. Oktapodët e ngordhur dhe kafshët e tjera të detit mund të shiheshin në plazh në videot e postuara në Instagram dhe në faqen e internetit të Greenpeace-it.

“Fakti që kafshë të ngordhura mund të gjenden përgjatë gjithë bregdetit konfirmon seriozitetin e situatës”, thotë Greenpeace.

Autoritetet lokale kanë thënë se kanë inspektuar plazhin dhe se deti ka hedhur kafshët në breg për shkak të stuhisë. Shkaku i ndotjes së bregdetit të rajonit Kamçatka nuk është plotësisht i qartë. Autoritetet thonë se testet paraprake kishin gjetur nivele të ngritura të produkteve të naftës dhe fenoleve, për të cilat Greenpeace tha se një burim duhet të gjendet menjëherë.

“E vetmja gjë që mund të thuhet tani është se ka ndotës në ujë. Testet përfundimtare nuk janë ende gati,” tha guvernatori rajonal i Kamçatkas, Vladimir Solodov.

Greenpeace sugjeroi që ndotja mund të kishte ndodhur disa javë më parë.

Më parë këtë javë, ministri i përkohshëm i burimeve natyrore në rajon Alexei Kumarkov tha se testet treguan se nivelet e produkteve të naftës dhe fenoleve ishin 3.6 dhe 2.5 herë më të larta se normalja./bbgreenkosova

Burimi: Greenpecae, agjencitë
Foto: TASS

Leave a Reply