Kthehen 36 breshka gjigante në habitatin e tyre natyror në Galapagos

Më të rejat

Shkencëtarët kanë lëshuar në habitatin e tyre natyror në San Cristobal, një nga ishujt e mëdhenj të arkipelagut ekuadorian Galapagos, 36 breshka gjigande që janë çelur dhe janë ngritur në robëri.

Ato 36 breshka Chelonoidis chathamensis, një nga 15 nënllojet e breshkave endemike Galapagos, u lëshuan në natyrë në pjesën verilindore të ishullit, ku jeton një popullsi e vlerësuar prej 6,700 individësh, njoftoi Parku Kombëtar Galapagos (PNG).

“Të dhënat shkencore që kemi mbi këto breshka konfirmojnë se ato janë në gjendje të mirë shëndetësore me një strukturë të mirë të popullsisë që garanton se do të mbijetojnë”, tha drejtori i PNG-së Deni Rueda.

Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (UICN) e konsideron breshkën Chelonoidis chathamensis si një specie në zhdukje.

Breshkat, të moshës gjashtë deri në tetë vjeç dhe me peshë midis 3 dhe 5 kilogramë, “kaluan një lloj karantine dhe më pas u lëshuan në natyrë”, tha Rueda.

Më parë, shkencëtarët ua matën temperaturën dhe rrahjet e zemrës së breshkave, analizuan gjakun dhe jashtëqitjen e tyre për të përjashtuar ndonjë sëmundje ose parazit para se ato të lëshoheshin në natyrë.

Në tetë vitet e fundit, një total prej 75 breshkash Chelonoidis chathamensis janë edukuar në robëri dhe janë kthyer në San Cristobal.

Ekosistemi i Ishujve Galapagos në Oqeanin Paqësor, 1.000 km larg brigjeve të Ekuadorit, është një nga më të brishtat në botë, me florë dhe faunë unike.

Grupi i ishujve që u përdor nga natyralisti britanik Charles Darwin për kërkime para se të vendoste teorinë e evolucionit të qenieve të gjalla, u emërua sipas breshkave gjigante që jetojnë atje./bbgreenkosova

Burimi: Hina/AFP
Foto: AFP

Leave a Reply