“Unë jam Greta”
Një dokumentar për jetën e aktivistes së re suedeze të klimës Greta Thunberg, me regjinë e Nathan Grossmanit, është shfaqur premierë në Festivalin e filmit në Venecia.
Greta Thunberg u bë e famshme në 2018, kur filloi një protestë në shkollë për klimën para ndërtesës së parlamentit suedez. Ajo ishte vetëm 15-vjeçare në atë kohë dhe ikte nga shkolla çdo të premte për t’u bërë thirrje autoriteteve që të marrin masa konkrete për të zbutur ndryshimin e klimës.
U bë e famshme nga diskutimet me Donald Trumpin, takimin me Papën, duke iu drejtuar krerëve të shteteve në Kombet e Bashkuara, por edhe për motivimin e disa miliona njerëzve në të gjithë botën për të dalë dhe protestuar kundër ndryshimit të klimës.
Në mars të vitit 2019, norvegjezët e nominuan atë për Çmimin Nobel për Paqe. Në të njëjtin vit, ajo u shpall person i vitit nga revista “Time”.
Ndikimi i së resë Greta Thunbergut është rritur me kalimin e kohës, dhe ajo vazhdon t’u drejtohet liderëve botërorë me shpresë se do të shohin problemet që janë pasojë e ndryshimit të klimës dhe të marrin masa për t’i luftuar ato.
Dokumentari “Unë jam Greta” ndjek jetën e kësaj aktivisteje nga protestat e saj të para në Stokholm deri në një udhëtim me varkë përtej Atlantikut në samitin e Kombeve të Bashkuara për ndryshimin e klimës, i cili u mbajt në vitin 2019.
Regjisori Nathan Grossman ka thënë në fillim të xhirimeve ai as nuk mund ta imagjinonte se sa popullaritet do të gëzonte Thunberg vetëm disa muaj më vonë, por se ai është i kënaqur që e gjithë bota tani ka mundësinë të shohë jetën e saj prapa kamerave dhe jashtë sallave të kongresit.
Greta Thunberg gjithashtu iu drejtua audiencës së Festivalit të filmit në Venecia përmes transmetimit me video, duke thënë se ajo ishte e kënaqur me filmin dhe se ishte e lumtur që regjisori tregoi jetën e saj siç është në të vërtetë, dhe jo siç e paraqesin mediat. Ajo gjithashtu theksoi se do të vazhdojë të bëjë presion mbi udhëheqësit botërorë, sepse vetëm ata kanë mundësinë të ndikojnë në zbutjen e pasojave të ndryshimit të klimës.
Publiku do të jetë në gjendje të shikojë filmin “Unë jam Greta” vetëm nga 16 tetori, për kur është paralajmëruar premiera evropiane./bbgreen
Burimi: The Guardian
Foto: IMDb