Gruaja, e cila para 200 vitesh tregoi se dioksidi i karbonit mund ta ngrohë planetin

Njeriu dhe natyra

I ati i saj kishte një emër interesant, Isaac Newton, por nuk bëhet fjalë për fizikanin e famshëm. Ai ishte fermer në fshatin amerikan Goshen, në shtetin Konektikat të ShBA-ve. Por, e bija, Eunice, e cila kishte shpirt kureshtar, arriti në një zbulim të rëndësishëm për shkencën. Por, gjithashtu do të harrohet për një kohë të gjatë.

Familja u transferua në shtetin e Nju Jorkut shumë shpejt pas lindjes së vajzës Eunice, ku ata ende jetojnë në fshat, dhe vajzës iu dha mundësia për të ndjekë shkollën për femra në Seminarin e Grave Troy, e cila veçanërisht i inkurajonte nxënësit që të merren me shkenca të natyrës, gjë që nuk ndodhte shpesh në shekullin XIX. Një pjesë e mësimit zhvillohej edhe në laboratorët e një kolegji aty pranë. Edhe pse Eunice Foot (eblindur Neëton) nuk mund të vazhdonte zyrtarisht shkollimin e saj dhe të bëhej studiuese profesionale, interesimi i saj për shkencën nuk u zbeh. Kjo është arsyeja pse ajo bëri një eksperiment në shtëpi që e bëri emrin e saj të rëndësishëm për historinë e shkencës, dhe veçanërisht studimin e ndryshimeve klimatike.

Gjithë ajo që i duhej për këtë eksperiment ishin dy cilindra xhami që ajo i mbushte me substanca dhe gaze të ndryshme dhe vënte një termometër në to. Cilindrat ua ekspozonte rrezeve të diellit dhe vëzhgonte atë që po ndodhte me temperaturën. Kështu, ajo përcaktoi që një cilindër me ajër të lagësht nxehet më shpejt se ai me ajër të thatë, dhe se ai i mbushur me dioksid karboni nxehet më së shumti. Për më tepër, cilindri i dioksidit të karbonit mori kohën më të madhe për t’u ftohur.

Parashikimi i të ardhmes së planetit

Pas këtij eksperimenti, Eunice Foot në 1856 shkroi punimin me titull Circumstances Affecting the Heat of the Sun’s Rays (Rrethanat që ndikojnë në nxehtësinë e rrezeve të diellit), e cila u paraqit në mbledhjen vjetore të Shoqatës amerikane për përparimin e shkencës. Mirëpo, për arsye të panjohura deri më tani, punimi nuk u paraqit nga vetë autorja, por nga shkencëtari Joseph Henry. Arritja më e rëndësishme e këtij punimi ishte përfundimi i saj që një ditë, kur përqendrimi i dioksidit të karbonit në atmosferë do të rritet, ai mund të çojë në ngrohjen globale, e cila u konfirmua më vonë nga shkenca.

Ndoshta e gjithë mënyra në të cilën Eunice Foot arriti në këtë përfundim nga këndvështrimi i sotëm mund të konsiderohet naiv dhe pamjaftueshëm i bazuar, por kjo nuk e ndryshon faktin që ajo është, të paktën sipas gjurmëve të shkruara, personi i parë në histori që pa se avulli i ujit dhe dioksidi i karbonit thithin nxehtësinë dhe se temperatura do të varet nga përqendrimi i tyre.

Tre vjet pas këtij eksperimenti jo mjaft të vërejtur dhe të harruar, fizikani irlandez John Tyndall publikoi zyrtarisht punimin e parë mbi gazrat e serrës. Ai nuk e përmendi Eunice Footin në asnjë moment, dhe siç supozon Roland Jackson nga Instituti mbretëror i Britanisë së Madhe, ai ndoshta as që ka ditur as për rezultatin e saj. Tyndall ishte shumë më i saktë në shpjegimet dhe përfundimet e tij, por duhet të kihet parasysh se ai ishte një shkencëtar profesionist, i cili tashmë kishte rezultate domethënëse pas tij, dhe Eunice Foot një amatore që nga kurioziteti u përpoq të përcaktonte ligjet natyrore, me ndihmën e pajisjeve modeste dhe të vetme në dispozicion. Për më tepër, ajo u përqëndrua në të dukshëm, ndërsa Tyndall me anë të spektroskopisë në spektrin infra të kuq, i cili është më i rëndësishëm për ngrohjen e Tokës, pasi gazrat e serrës thithin pikërisht atë pjesë të spektrit të emetuar nga sipërfaqja e planetit tonë në formën e nxehtësisë.

Kthimi nga harresa

Në fillim të vitit të kaluar, mikrobiologu Roland Jackson publikoi një punim mbi lidhjen midis dy eksperimenteve, duke u përqëndruar në pyetjen nëse Tyndall dinte për rezultatin e arritur nga Enis Foot, dhe punimi kryesisht fokusohet në marrëdhëniet midis bashkësive shkencore në Evropë dhe Amerikë në atë kohë. Siç pretendon Jackson në tekstin e tij, në mesin e shekullit të XIX, në Amerikë kishte më pak studiues profesionistë aktivë sesa në Evropë, dhe niveli i tyre i arsimimit nuk ishte i njëjtë.

Për më tepër, në mesin e pak shkencëtarëve profesionistë amerikanë, ishin të paktë ata që merreshin me fizikë dhe ky komunitet kishte komunikim të dobët me Evropën. Nga kjo, Xhekson konkludon se puna e Eunice Footit nuk ishte e njohur në Evropë, dhe thekson se arritjet e saj ishin të pavërejtura, sepse ajo ishte një amatore dhe një grua.

Sot, ne dimë për idenë revolucionare të Eunice Footit kryesisht falë gjeologut në pension Ray Sorenson, i cili në vitin 2010 gjeti punimin e saj në revistën Revistën vjetore shkencore të vitit 1857. Pas kësaj, disa studiues u përfshinë në studimin e jetës dhe punës së saj, duke u përpjekur të tërhiqnin vëmendjen e publikut për rëndësinë e kësaj ideje të hershme në lidhje me ndikimin e dioksidit të karbonit në ngrohjen globale.

Ndër ata që hulumtojnë punën e Eunice Footit janë klimatologia Catherine Heyhou nga Universiteti i teknologjisë në Teksas dhe John Perlin nga Universiteti i Kalifornisë në Santa Barbara. Në një intervistë të fundit për Chemistry World, Perlin tha se është duke punuar në biografinë e Eunice Footit dhe se “ajo meriton të mbahet mend si personi që hodhi themelet për të kuptuarit tonë të ndryshimit të klimës”./bbgreenkosova

Burimi: climate.gov
Foto: East Bloomfield Historical Society

Leave a Reply