Maji i këtij viti ishte më i nxehti qëkur bëhen matjet
Muaji maj më i nexhtë, qëkur bëhen matjet dhe përcillet statistika meteorologjike, deri më tash ka qenë ai i vitit 2016, ndërsa ky i sivjetshmi ka qenë më i ngrohtë për 0,05 °C, me çka ka dalë në vendin e parë
Maji në Kosovë nuk ishte aq i nxehtë, e po ashtu as në pjesën më të madhe të Evropës temperaturat ishin nën mesataren e rëndomtë. Por, shikuar globalisht, maji i vitit 2020 ka qenë për 0,63 °C më i nxehtë se mesatarja për majin nga viti 1981 deri më 2010, ka bërë të ditur shërbimi për ndryshime klimatike i programit Copernicus.
Muaji maj më i nexhtë, qëkur bëhen matjet dhe përcillet statistika meteorologjike, deri më tash ka qenë ai i vitit 2016, ndërsa ky i sivjetshmi ka qenë më i ngrohtë për 0,05 °C, me çka ka dalë në vendin e parë, bën të ditur Copernicus-i në faqen e tij në internet.
Deri sa në Evropë ky maj ishtë për 0,3 °C më i ftohtë se mesatarja e viteve 1981 deri më 2010, në Siberi janë shënuar temperatura jo të rëndomta të larta, për gati 10 °C më të larta se mesatarja, gjë që ka shkaktuar shkrirjen më të hershme sezonale të akullit në veriperëndim të rajonit.
Temperatura më të larta se normalja janë regjistruar edhe në perëndim të Alaskës, në Antarktikun Lindor e Perëndimor, në perëndim të Amerikës Veriore, si dhe në veri e në jug të Amerikës Jugore, në pjesë të Afrikës dhe në juglindje të Azisë, deri sa pranvera ka qenë më e butë edhe në disa regjione të Arktikut.
Po ashtu, temperaturat e shënuara në shkallë botërore në 12 muajt e fundit, nga qershori 2019 deri në maj 2020, kanë qenë për 0,7 °C më të larta se mesatarja nga vitit 1981 deri më 2010, me çka kjo periudhë për nga temperatura është barazuar me 12 muajt e kaluar më të ngrohtë kurdoherë, nga tetori i vitit 2015 deri në shtator 2016.
Vitit i kaluar, 2019, ka qenë viti i dytë më i nxehtë që kur bëhen matjet, pas 2016-ës, ndërsa Administrata kombëtare e oqeanit dhe atmosferës (NOAA) ka bërë të ditur në raportin e saj global mujor në prill, së viti 2020 sigurisht do të jetë njëri prej 5 viteve më të nxehta.
Burimi: Copernicus
Foto: Copernicus, BB Green Kosova