
Mbi 1 milionë specie në rrezik të zhdukjes!
Ndjekja e “pamëshirshme” e rritjes ekonomike, së bashku me ndikimin e ndryshimit klimatik, ka vënë mbi 1 milionë specie në rrezik të zhdukjes, sipas një raporti mbi dëmin e shkaktuar nga qytetërimi modern te natyra.
Raporti i publikuar nga Platforma Ndërqeveritare e Politikave mbi Biodiversitetin dhe Ekosistemin (IPBES), i miratuar nga 130 vende, përfundoi se vetëm një transformim rrënjësor i sistemit ekonomik dhe financiar botëror mund të nxjerrë ekosistemin nga kolapsi.
Studimi, i ndërmarrë nga 145 autorë ekspertë nga 50 vende, sugjeron se njerëzimi duhet të përshtatë një formë të re “përtej rritjes” të politikave ekonomike, që të shmangë rrezikun ekzistencial të sjellë nga ndotja, shkatërrimi i habitateve dhe emetimi i dioksidit të karbonit.
Shkencëtari britanik, Robert Watson, që drejton organizatën, paralajmëroi se po humbet biodiversiteti dhe po zhduken specie me një normë të frikshme prej 500,000 deri në 1 milionë. “Problemi me sistemin tonë ekonomik është se kemi shumë subvencione të këqija në sektorin e bujqësisë, transportit dhe energjisë, që po sjellin shkatërrimin e mjedisit.
Fillimisht duhet reformuar çështja e subvencioneve, nëpërmjet incentivave për teknologji të pastra.
Ne nuk duhet të njohim vetëm Produktin e Brendshëm Bruto, si tregues për rritjen ekonomike, por duhet të llogarisim edhe natyrën”, – u shpreh Robert Watson, kreu i IPBES.
Për të matur ndikimin te shoqëria njerëzore, raporti theksoi rreziqe si zhdukja e disa insekteve që luajnë rol të rëndësishëm në prodhimin ushqimor, shkatërrimi i shkëmbinjve koralorë që mirëmbajnë popullsitë e peshqve dhe humbja e bimëve mjekësore.
Burimi : ipbes.net