Samiti Botëror i Ujit në Berlin: Uji industrial krahas ndryshimeve klimatike (1)
Behare Bajraktari – Berlin
Gazetare & publiciste / E specializuar në raportime për ndryshimet klimatike dhe mjedisore
Ndryshimet klimatike dhe rritja ekonomike mbeten brengat e Samitit të ujit për botën që po përballet ndër këto vite, ndërsa organizatori i mprehtë Christopher Gasson konsideron se uji mban çelësin për të dyja. Gasson është një autoritet në financat dhe tregjet e ujit, i diplomuar në politikë dhe ekonomi. Në Universitetin e Oksfordit, ai punoi si gazetar financiar dhe bankier investimesh, përpara se ta niste Global Water Intelligence në vitin 2002. Gazetarët dhe mediet luajnë rolin kyç për ndryshimet klimatike, problemet e ujit dhe të mjedisit si tërësi.
Inovatorët dhe investitorët e disa prej vendeve më të zhvilluara u mblodhën në Berlin për t’i prezantuar idetë e tyre, teknologjitë inovative, por mbi të gjitha për ta orientuar botën në sektorin e ujit.
Në Samit u fol për shuma të mëdha parash, sepse investimi në teknologjitë dhe infrastrukturën e ujit janë të shtrenjta dhe nevojiten investime të mëdha, por që këtë s’mund ta bëjnë të vetme kompanitë private, me kë mbë ngulje kërkojnë parnteritet me sektorin publik – me qeveritë.
E gjithë kjo u tha se po bëhet për reagimin ndaj klimës, ndërsa në të njëjtën kohë ky investim hap rrugën drejt drejtimeve të reja të rritjes ekonomike në sektorin e ujit industrial.
Uji industrial krahas ndryshimeve klimatike
Derisa një në tre njerëz në botë po përballen me etjen nga mungesa e ujit, disa vende janë të ‘mbuluara’ me ujë qoftë me liqene të ujit të pijes, pellgje lumore apo qoftë për prodhimin e ujit industrial. Këtu mund të flasim edhe për vendin tonë i cili është nën stres ujorë për nga burimet e ujit, por nga ana tjetër nuk kemi stres ujor për ujin industrial. Uji industrial nxirret nga burime natyrore madje edhe në parqe të mbrojtura me ligj aty ku kompanitë kanë ngritur fabrikat e tyre për të prodhuar ujë.
Me të drejtë mund të shtrohet pyetja pse ka mungesë të ujit të pijes, ndërsa nga ana tjetër ka ujë me bollëk të ujit industrial ku uji nxirret po nga burimet natyrore?
Siç duket secili vend ka së paku një mungesë të një burimi siç është vendi mikpritës i Samitit, Gjermania, e cila ka nevojë të importoj gaz të lëngshëm, por kryeqyteti i saj Berlini është i pasur me burime ujore, teknologji inovative dhe ekonomi të zhvilluar. Por a mundet Gjermania ta kompenzojë ujin e saj me burime të tjera natyrore? Në këtë Samit kompania “Siemens” tha se janë të gatshëm të ofrojnë zgjidhje.
Zgjidhja a mund të jetë transmisioni ujor ndër-shtetëror?
Në Samit u rriten shpresat nga disa kompani se transmisioni ujor ndër shtetëror mund të bëhet, por duhen investime të mëdha si në inovacion ashtu edhe në financa. Andaj, si mund të bëhet kjo kur ka humbje teknike dhe komerciale të ujit gjithandej shteteve?!
Për transmision dhe shpërndarje të ujit, mesatarisht, deri në 25-30% e ujit të një ndërmarrjeje humbet në rrjet, për shkak të rrjedhjeve dhe llojeve të tjera të ujit, sipas Bankës Botërore. Këto humbje u kushtojnë kompanive të ujit shuma të mëdha parash, jo vetëm në të ardhurat e humbura, por edhe në koston e trajtimit dhe pompimit të ujit që rrjedh në tokë. Këto sisteme shpesh karakterizohen nga lokacione shumë të shpërndara dhe të largëta që kërkojnë zgjidhje të sofistifikuara kontrolli dhe monitorimi, kjo gjendje u përket vendeve jo shumë të zhvilluara apo vendeve të varfra.
Sidoqoftë, disa kompani gjermane thanë se janë të gatshme që t’i japin botës zgjidhje për çështjen e ujit të pijes, ujit industrial dhe kjo mbase mund të bëhet duke shkëmbyer burimet natyrore.
Por me cilat burime natyrore?
Nesër: ‘Shkëmbimi’ i ujit për hidrogjen të ‘gjelbër’?