Dita ndërkombëtare e maleve

Më të rejat

Dita Ndërkombëtare e Maleve i gjen malet tona në rrezik  të prerjeve të parregullta të cilat kalojnë shifrën me rreth 90 %,.

Pyjet e Kosovës kanë një faunë dhe florë të gjerë që ka shumë rëndësi për të gjithë rajonin e Ballkanit. Gjelbërimi ynë përfaqëson rreth 25% të florës së Ballkanit dhe asaj të Europës

Në Kosovë pyjet më së shumti prehen për t’u shfrytëzuar për ngrohje, por një pjesë e tyre prehet edhe për prodhim. Përveç prerjes dhe djegies, pyjet në Kosovë janë të mbushura deri në grykë me mbeturina. Të gjithë e dimë se pyjet në Kosovë janë viktimë e hedhjes së mbeturinave, qoftë nga banorët që jetojnë afër, qoftë nga hedhja e mbeturinave nga turizmi, nga personat që bëjnë piknik në pyje, apo hedhjet masive industriale.

Rajoni me shumë llojshmërinë më të lartë është rajoni i Maleve të Sharrit, Bjeshkët e Nemuna dhe Alpet Shqiptare.

Pyjet e Kosovës përbëjnë 41 përqind të të gjithë territorit të vendit. Territori me më shumë pyje gjendet në Jugperëndim, në vende si Peja, Deqani, Juniku dhe Gjakova. Përkundër që pyjet janë të mbrojtura edhe me kushtetutë ato vazhdojnë të digjen nga zjarret, të  dëmtohen nga ndotja dhe hedhja e mbeturinave. Mbetet më shqetësuesja prerja ilegale e pyjeve.

Pyjet janë burim kryesor për prodhim të oksigjenit, biomasës tokësore. Ato na ruajnë nga erërat, stuhitë, rrëshqitjet e tokës dhe erozionet. Pjesa më e madhe e pyjeve janë publike, dhe në përgjithësi pyjet përmbajnë bimë halore.

Biodiversiteti gjithashtu ka vlerë për përfitimet e mundshme që nuk janë njohur ende, siç janë ilaçet e reja dhe shërbime të tjera të panjohura të mundshme. Por në Kosovë, këto ekosisteme dhe po këto biodiversitete po dëmtohen masivisht, nga shpyllëzimi, zjarret dhe ndotja e madhe.

Mijëra hektarë pyje prehen ilegalisht çdo vit në Kosovë, dhe pyjet e Dukagjinit janë ndër më të shkatërruarat në vend. Dëmtimi i tyre bëhet në mënyrë të vazhdueshme. Shumë familje të shtyra nga gjendja e rëndë sociale, prerjen ilegale të pyjeve dhe shitjen e tyre e kanë si të vetmin burim të mbijetesës. Mirëpo, dëmtimi më i madh shkaktohet kryesisht nga kompanitë e ndryshme të cilat i prejnë pyjet për arsye të tyre të prodhimit.

Dita Ndërkombëtare e Maleve, u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 11 dhjetor të vitit 2003 dhe vuri në dukje nevojën e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm mbi rëndësinë e Maleve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit të tyre për të ruajtur cilësinë e jetës së njerëzve.

Duke mbuluar rreth 27% të rruzullit tokësor, malet luajnë rol vendimtar në lëvizjen e botës drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike. Ato, jo vetëm që sigurojnë furnizimin dhe mirëqenien e 720 milionë njerëzve që jetojnë në male nëpër botë, por nga ata, mënyrë indirekte përfitojnë miliarda të tjerë  që jetojnë në zona urbane.

Praktikisht, malet sjellin ujë të pastër, energji dhe ushqim, burime që do të jenë gjithnjë e më të pakta në dekadat e ardhshme.Malet janë jashtëzakonisht të prekshme nga ndryshimet klimatike, shpyllëzimet, degradimet e tokës dhe fatkeqësitë natyrore./BB Green Kosova

Leave a Reply