Komisioni Evropian me strategji për zvogëlimin e metanit

Më të rejat

Komisioni Evropian (KE) zbuloi të Mërkurën strategjinë për të ulur emetimet e metanit, shkaku i dytë më i madh i ngrohjes globale pas dioksidit të karbonit.

Strategjia përcakton masat për të ulur emetimet e metanit në Evropë dhe ndërkombëtarisht.

Reduktimi i emetimeve të metanit është thelbësor për arritjen e qëllimeve klimatike të Evropës, në mënyrë që Evropa të jetë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050.

“Sot miratuam strategjinë tonë të parë për të adresuar emetimet e metanit që nga viti 1996. Megjithëse sektorët e energjisë, bujqësisë dhe mbeturinave janë po aq të rëndësishme, në sektorin e energjisë këto emisione mund të reduktohen më shpejt me koston më të ulët,” tha komisioneri i energjisë Kadri Simson.

“Evropa do të jetë një lider në këtë fushë, por nuk mund ta bëjë atë vetëm. Duhet të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur problemin e emetimeve të metanit nga energjia që importojmë,” shtoi ajo.

Strategjia përfshin masa legjislative dhe jo-legjislative për sektorët e energjisë, bujqësisë dhe mbeturinave, të cilët janë përgjegjëse për rreth 95 përqind të emetimeve të metanit që lidhen me aktivitetin njerëzor.

Bashkimi Evropian prodhon pesë përqind të emetimeve globale të metanit në tregun e brendshëm.

Metani është përgjegjës për dhjetë përqind të emetimeve të gazrave serrë në Evropë.

Falë nismave të mëparshme rregullatore evropiane, emetimet e metanit në sektorin e energjisë janë përgjysmuar, ndërsa emisionet nga mbeturinat kanë rënë me një të tretën dhe nga bujqësia me pak më shumë se një të pestën, krahasuar me nivelet e vitit 1990, thotë Komisioni.

Metani është më i fuqishëm se CO2-shi dhe, në atmosferën më të ulët, kontribuon në formimin e ozonit, një ndotës i fortë lokal i ajrit që shkakton probleme serioze shëndetësore.

Një nga përparësitë e strategjisë është të përmirësojë matjen e emetimeve të metanit dhe raportimin e tyre. Përveç masave në nivel të BE-së për të rritur standardet e matjes, verifikimit dhe raportimit, Komisioni do të mbështesë krijimin e një vëzhgimi ndërkombëtar mbi emetimet e metanit, me mbështetjen e satelitëve evropianë.

Në mënyrë që të zvogëlohen emetimet e metanit në sektorin e energjisë, do të propozohen masa të detyrueshme për të përmirësuar zbulimin dhe eliminimin e rrjedhjeve në infrastrukturën e gazit dhe do të merret në konsideratë krijimi i një kornize legjislative për të ndaluar praktikën e djegies së flakërimeve dhe lëshimit në atmosferë.

Në dialog me partnerët ndërkombëtarë, Komisioni do të identifikojë standardet e mundshme, synimet dhe stimujt për importet e energjisë në BE dhe mënyrat për t’i zbatuar ato, dhe të gjitha propozimet legjislative do të bazohen në vlerësimet e ndikimit, thotë KE në një deklaratë./bbgreenkosova

Burimi: Hina
Foto: Pixabay

Leave a Reply