Luleradhiqja, i verdhon fushat dhe ka shumë veti shëruese
Është një bimë mjekësore e vlefshme dhe duhet të përdoret gjithanshëm dhe rregullisht
Luleradhiqja (Taraxacum officinale) është bimë barishtoreshumëvjeçare, e lulëzuar nga familja Asteraceae. Është e njohur kryesisht për kokat e saj të luleve, qoftë kur janë në fazën e lulëzimit dhe mbajnë petale të verdha të ndritshme, kur mbajnë fara me pendë të bardha-argjendi. Është bimë mjekësore shumë e çmuar, sepse përmban një numër të madh të substancave aktive. Ka deri në 200 nënlloje dhe varietete të luleradhiqes.
Kinezët e kanë njohur si bimë mjekësore shumë kohë para popujve të tjerë. Në kohën antike ishte e panjohur, sepse në një bimë kaq të zakonshme nuk mund të paramendohej të ishte shëruese. Në Evropë filloi të përdoret vetëm në shekujt X e XI, nën ndikimin e mjekëve arabë. Që atëherë ka qenë në përdorim të vazhdueshëm për të trajtuar shumë sëmundjeve.
Përhapja dhe vendbanimi. – Haset kahmos në hemisferën veriore, në livadhe, kullota, lëndina, përgjatë rrugëve, në brigje të lumenjve ose liqeneve dhe djerrina. I përshtaten zonat me lagështi.
Ka rrënjë kryesore të fortë, në formë gishti deri në 30 cm të gjatë. Gjethet përdhese janë të renditura në rozetë, me të prera të thell, me maja trekëndore. Nga pjesa qendrore e rozetës zhvillohet një kërcell i drejtë, i zbrazët, tub, zakonisht i lartë 15-20 cm, pa gjethe. Koka e madhe e lules zhvillohet në majë të kërcellit. Forma e kokës dhe madhësia mund të ndryshojnë shumë, varësisht nga nënllojet dhe shumëllojshmëria e bimës.
Mbledhja dhe përdorimi. – Koka është e përbërë nga shumë lule të verdha, e bën luleradhiqen të dukshme dhe të famshme. Fillon të lulëzojë në pranverë dhe kjo vazhdon në mënyrë që të mund të gjendet në lulëzim edhe në dimër kur nuk ka dëborë. Pas fekondimit, fara të shumta zhvillohen të mbledhura në formë rrethore në shtratin e lules. Secila farë ka një tufë qimesh të përhapura, kështu që me ndihmën e erës mund të fluturojë disa qindra metra larg bimës.
Lulet mblidhen gjatë lulëzimit. Gjethet mblidhen para lulëzimit, sepse atëherë janë më pak e hidhur. Rrënja nxirret në pranverën e hershme ose në fillim të vjeshtës, dhe thahet në vend të freskët dhe të ajrosur, ose në një furrë në 40ºC. Në varësi të kohës së nxjerrjes, ekziston një pjesëmarrje e ndryshme e përbërësve kimikë individualë në rrënjë.
Vlerat ushqyese dhe shëruese. – Është jashtëzakonisht e pasur me përbërje kimike. E gjithë bima përmban inulinë, taraksacinë, taraksinë, taraksacerinë, fitosterole, acide, enzima, saponina, tanë, rrëshirë, dyllë, mukus, sheqer, proteina, minerale të shumta, etj. Gjethet janë të pasura me vitamina A, B, C dhe D. Kanë më shumë hekur sesa spinaqi, dhe thuhet se kanë më shumë vitaminë A sesa karotat.
Konsiderohet si një nga bimët më të mira për problemet e veshkave, mëlçisë dhe tëmthit. Ndikon në përmirësimin e metabolizmit të përgjithshëm. Me të trajtohen sëmundje të ndryshme të të gjitha organeve të brendshme, pezmatime të ndryshme, gjakderdhje dhe sëmundje të lëkurës. Përgatitjet stimulojnë të gjitha gjëndrat dhe muskulaturën e sistemit të tretjes, rrisin sekretimin e gjëndrave, stimulojnë resorbimin e produkteve metabolike, janë të mira për pastrimin e papastërtive të lëkurës dhe trajtimin e sëmundjeve reumatike dhe dhembjes së eshtrave.
Çdo pjesë e saj është mjekësore. – Rrënja përmirëson aktivitetin e traktit tretës, pastron gjakun, tret, freskon, pastron, hapë, ndihmon në nxjerrjen e djersës, urinës dhe tëmthit, largon toksinat nga trupi, ndihmon mëlçinë të rikuperohet. Lëngu sapo i shtrydhur pastron dhe forcon gjakun dhe përdoret për të trajtuar mëlçinë, verdhëzën, veshkat, shpretkën, fshikëzën e urinës, skuqjen, reumatizmën ose për të nxjerrë gurë dhe toksina nga trupi.
Bishtat e luleve heqin kruajtjen, lishat dhe skuqjet, pastrojnë stomakun nga të gjitha substancat toksike. Si diuretik, ka një efekt shumë të suksesshëm në nxjerrjen e lëngjeve dhe kështu të substancave toksike nga trupi. Luleradhiqja ka një veti të jashtëzakonshme për pastrimin e gjakut. Rekomandohet për diabetikët dhe është gjithashtu e rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve të frymëmarrjes, syve dhe sëmundjeve të lëkurës.
Luleradhiqja është një bimë mjekësore e vlefshme dhe duhet të përdoret gjithanshëm dhe rregullisht. Luleradhiqja këshillohet të mos përdoret gjatë terapisë me antibiotikë. Nëse bima konsumohet në sasi të mëdha mund të shkaktojë diarre, shqetësime të ritmit të zemrës dhe gjakderdhje te fëmijët. Kujdes duhet të tregohet në mëlçinë e sëmurë rëndë, acidin e tepërt të stomakut, ulçerën e stomakut dhe çrregullimet akute të tëmthit. Poleni dhe mjalti mund të shkaktojnë një reaksion alergjik tek njerëzit e ndjeshëm./bbgreenkosova
Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova