S’dihen shkaqet e ndotjes, por dëmet janë kolosale në Kamçatka

Më të rejat

Shkencëtarët rusë dyshojnë se një derdhje toksike përgjatë plazhit në gadishullin rus të Kamçatkas vrau rreth 95% të jetës në shtratin e detit përreth.

Sërfistët lokalë ishin të parët që vunë re se diçka nuk ishte në rregull me ujin në plazhin Kalaktir pasi rreth njëzet prej tyre morën dëmtime serioze të retinës dhe simptoma të ngjashme me helmimin nga ushqimi.

Në fillim të shtatorit, uji në atë zonë ndryshoi ngjyrën në të verdhë gri, me një shkumë të trashë qumështi në sipërfaqe dhe ajri u mbush me erë të keqe. Disa ditë më vonë, trupat e oktapodëve të ngordhur, fokave dhe krijesave të tjera të detit u gjetën në plazh.

Zhytësit zbuluan dëmet

Autoritetet lokale fillimisht mohuan raportet e ndotjes, duke thënë se ngjyra dhe aroma e ujit në zonë ishin normale dhe “asgjë jonormale” nuk ishte vërejtur, por shpejt, pas presionit në rritje, filluan një hetim.

Në takim me guvernatorin e Kamçatkas, Vladimir Solodov, shkencëtarët vendas paralajmëruan se shumica e organizmave në shtratin e detit ishin të vdekur.

“Nuk gjetëm kafshë ose zogj të mëdhenj të detit të ngordhur në breg. Por gjatë zhytjes, zbuluam vdekje masive të bentosit, organizmave që jetojnë në shtratin e detit, në thellësi prej 10 deri në 15 metra – 95 përqind vdiqën. Disa peshq të mëdhenj, karkaleca dhe gaforre mbijetuan, por në numër shumë të vogël “, tha shkencëtari Ivan Usatov.

Çfarë e shkaktoi ndotjen?

Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi saktësisht ndotjen. Sondat treguan se nivelet e fenolit, një përbërje që përdoret shpesh si antiseptik ose dezinfektues, janë 2.5 herë më të larta se normalja, dhe nivelet e vajit janë 3.6 herë më të larta, shkruan CNN-ja.

Media lokale po spekulon në lidhje me një rrjedhje të mundshme të ndonjë tankeri apo një gabimi gjatë një stërvitjeje ushtarake, gjë që e ka mohuar Ministria ruse e mbrojtjes.

“Hetuesit po kontrollojnë të gjitha burimet e mundshme të ndotjes, duke përfshirë një deponi pranë Gjirit Avacinski dhe brezit bregdetar të Kalaktira, ku ruhen kimikatet toksike,” tha Komiteti hetimor në një deklaratë.

Dega ruse e organizatës “Greenpeace” vuri në dukje deponinë e mbeturinave toksike aty pranë si një burim i mundshëm i ndotjes dhe zyrtarët e Kamçatka zbuluan të martën se masat e sigurisë ishin shkelur në qytetin Kozelski, ku ndodhen më shumë se 100 tonë substanca toksike, përfshirë pesticidet./bbgreenkosova

Burimi: Newsweek
Foto: Russia Beyond

Leave a Reply