Vrima e ozonit mbi Antarktidë ka arritur madhësi rekorde

Më të rejat

Përkundër rritjes së saj, ekspertët ende besojnë se shtresa e ozonit po rimëkëmbet gradualisht pas miratimit të Protokollit të Montrealit

Vrima e ozonit mbi Antarktidë është një nga më të mëdhatë dhe më të thellat në vitet e fundit dhe analizat kanë treguar që ka arritur madhësinë e saj maksimale, kanë paralajmëruar shkencëtarët nga shërbimi i monitorimit të atmosferës Copernicus (Copernicus Atmosphere Monitoring Service).

Shtresa e ozonit në pjesën e sipërme të atmosferës së Tokës thith pjesën më të madhe të rrezatimit hyrës ultravjollcë nga dielli, i cili përndryshe do të dëmtonte jetën në planetin tonë, shkruan Independent.

Sipas Copernicus-it, përqendrimet e ozonit stratosferik kanë rënë në vlerën “pothuajse zero” mbi Antarktidë në një lartësi prej rreth 20-25 km.

Ekspertët nga programi Copernicus shpjeguan se nxitësi i zgjerimit të vrimës së ozonit këtë herë ishte një vorbull e fortë dhe e qëndrueshme dhe e ftohtë polare, një zonë e vazhdueshme me presion të ulët, e vendosur zakonisht prapa buzës së akullnajës së madhe Ross, ku temperaturat mund të ulen deri në minus 80 gradë Celsius.

Ata i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë përpjekje më të mëdha për të siguruar që shtetet t’i përmbahen marrëveshjes ndërkombëtare për heqjen gradualisht të kimikateve që shkatërrojnë ozonin, të tilla si klorofluorokarburet (CFC).

Theksojnë se kjo vrimë e ozonit është pa dyshim ndër më të mëdhatë në 15 vitet e fundit. Zvogëlimi i shtresës së ozonit mbi kontinentin Antarktik u vu re për herë të parë në 1985.

“Ka shumë ndryshueshmëri në mënyrën sesi evoluojnë vrimat e ozonit çdo vit. Vrima e ozonit në vitin 2020 është e ngjashme me atë të vitit 2018, e cila ishte goxha e madhe, por kjo është padyshim një nga më të mëdhatë në pesëmbëdhjetë vitet e fundit”, tha Vincent-Henri. Peuch, kreu i Shërbimit të Mbikëqyrjes Atmosferike të Copernikus-it.

“Me kthimin e dritës së diellit në polin e jugut javët e fundit, kemi vërejtur shkatërrimin e vazhdueshëm të ozonit në zonë. Pas një vrime të ozonit jashtëzakonisht të vogël dhe jetëshkurtër në vitin 2019, të nxitur nga kushtet e veçanta të motit, edhe sivjet kemi regjistrua një vrimë mjaft të madhe të ozonit. Kjo na përkujton se duhet të vazhdojmë të zbatojmë Protokollin e Montrealit për të ndaluar emetimin e substancave që shkatërrojnë ozonin”, tërheq vërejtjen Peuch.

Zëdhënësi i Organizatës Botërore Meteorologjike Claire Nullis përkujton se vrima e ozonit fillon të zgjerohet çdo vit në gusht, në fillim të pranverës të Antarktikut, dhe se kulmin e saj e arrin në tetor.

Ajo shtoi se, përkundër rritjes së saj, ekspertët ende besojnë se shtresa e ozonit po rimëkëmbet gradualisht pas miratimit të Protokollit të Montrealit, të nënshkruar në 1987, i cili synon të heqë gradualisht substancat që shkatërrojnë ozonin. Ajo gjithashtu përmendi parashikimet e klimës që sugjerojnë se shtresa e ozonit mund të kthehet në nivelet e viteve 1980-1960.

Copernicus-i është programi i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e Tokës, planetit tonë dhe mjedisit të tij, në të mirë të të gjithë qytetarëve evropianë.

Programi ofron shërbime informacioni bazuar në vëzhgimet satelitore të Tokës dhe të dhëna in situ (të dhëna jo hapësinore).

Komisioni Evropian koordinon dhe menaxhon programin, i cili zbatohet në bashkëpunim me shtetet anëtare, Agjencinë evropiane të hapësirës (ESA), Organizatën Eeropiane për shfrytëzimin e satelitëve meteorologjikë (EUMETSAT), Qendrën evropiane për parashikime të motit me afat mesatar (ECMëF), agjencitë e BE-së dhe Mercator Océan-in./bbgreenkosova

Burimi: Independent
Foto: Pixabay

Leave a Reply