Dhia e egër, e shkathtë, po megjithatë e rrezikuar në Kosovë
E shkathtë si dhi e egër. Kështu thuhet për dikend të gjinisë femërore që është tepër e zhdërvjellët. Por, dhia e egër e vërtetë, përkundër zhdërvjelltësisë së saj në Kosovë po ia del me vështirësi – është lloj i rrezikuar për zhdukje.
Në Kosovë është i pranishëm nënlloji Rupicapra rupicapra balcanica Bolkay, 1925. Gjatësia trupore sillet prej 107 – 137 cm, latrtësia prej 70 – 80 cm. Të dy gjinitë i kanë brirët jo të gjatë dhe të lakuar, kurse te meshkujt janë më të trashë. Trupi ka ngjyrë kafe të gështenjtë gjatë pranverës dhe verës, kurse gjatë vjeshtës dhe dimrit më të mbyllët.
Jetojnë në kope prej 15 – 30 e deri në 100 krerë, ndërsa meshkujt janë të prirur që të jetojnë të vetmuar, me përjashtim të kohës së aktivitetit seksual. Zakonisht, ushqehen me gjethe, bar, fruta dhe lule, kurse gjatë dimrit edhe me likene dhe myshqe, degë të imta të drunjve etj.
Janë kafshë shumë të shpejta dhe kanë thundra të posaçme, të cilat u mundësojnë përforcim për shkëmbinj, qofshin ata edhe të rrëshqitshëm.
Haset në zonat malore shkëmbore në një lartësi mbidetare prej 500 deri në 3000 metra si dhe në zona të pasura me shumëllojshmëri habitatesh si: kullosa, livadhe, pyje të përziera dhe ato halore. Gjatë dimrit zbret në vende më të ulëta.
Rupicapra rupicapra balcanica është lloj endemik i Ballkanit dhe haset në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Greqi, Kosovë, Kroaci, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, Slloveni, Shqipëri.
Vendbanime të saj në Kosovë janë Mushtishti, Bjeshkët e Junikut, Kozhnjeri, Jabllanica, Baballoqi, Milishevci, Isniqi, por popullata e saj është në rënie dhe lloji vlerësohet si i rrezikuar.
Listën e rreziqeve të saj, si edhe për shumë kafshë të tjera, e përbëjnë ndërtimet e pakontroll, të banimit e komercial, zonat urbane, gjuetia, ndërhyrjet njerëzore si dhe vetë sëmundjet e tyre, por lista nuk përfundon me kaq. Është e mbrojtur me ligj, po duhet ndërmarrë masa për mbrojtjen e habitarev të saj dhe evitimin e rreziqeve./bbgreenkosova
Burimi: Libri i kuq i faunës
Foto: croatiahunt gbif.org