Ngrohja mund të kalojë përkohësisht 1.5°C në 5 vitet e ardhshme

Më të rejat

Megjithëse qëllimi i Marrëveshjes së Parisit është të kufizojë ngrohjen globale në 1.5°C deri në fund të shekullit, raporti i fundit i Organizatës Botërore Meteorologjike tregon se ky kufi mund të thyhet shumë më herët, në fakt mund të ndodhë deri në vitin 2024.

Duke pranuar Marrëveshjen e Parisit, shtetet janë obliguar për të bërë dhe përmirësuar planet pesë-vjeçare për të ulur emetimet e gazeve serrë, në mënyrë që të mbajnë rritjen e temperaturës mesatare globale shumë më poshtë se 2°C deri në fund të shekullit XXI në krahasim me periudhën para-industriale. Mirëpo, shkencëtarët kanë llogaritur se Toka, sipas rregullave aktuale dhe planeve të të gjitha vendeve në botë, do të ngrohej me rreth 3°C deri në 2100.

Planeti aktualisht është rreth një shkallë më i ngrohtë dhe ngrohja po përshpejtohet. Është pothuajse e sigurt se periudha nga 2016 deri në 2020 do të jetë periudha më e ngrohtë e regjistruar pesë-vjeçare deri më tani, madje rreth 0.24 gradë Celsius më e ngrohtë se pesë vitet e mëparshme.

Vlerësimi nga raporti i Organizatës Botërore Meteorologjike se ka një mundësi prej 25% që temperatura mesatare globale të tejkalojë kufirin e përcaktuar nga Marrëveshja e Parisit në pesë vitet e ardhshme gjithashtu dëshmon se sa shpejt po ndodhin ndryshimet. Për të ndodhur kjo, duhet të ndodhë një anomali e madhe në ndryshueshmërinë e klimës nga viti në vit, siç është El Niño, i cili kontribuon në një rritje të përkohshme të temperaturës.

Madje edhe nëse temperatura tejkalon kufirin prej 1.5 gradë gjatë një viti, kjo nuk do të thotë dështim i Marrëveshjes së Parisit. Sipas marrëveshjes, në fakt, llogaritet një mesatare shumëvjeçare dhe tejkalimi i kufirit prej vetëm një viti nuk është domosdoshmërisht një shenjë se kufiri i marrëveshjes është shkelur.

Mirëpo, nëse trendi i rritjes së temperaturave vazhdon në vitet e ardhshme, ky do të ishte një alarm që tregon se masa më serioze duhet të merren urgjentisht për të zvogëluar emetimet e gazeve serrë dhe kështu të zbuten efektet e ndryshimit të klimës, siç është ngrohja globale./bbgreenkosova

Burimi: The Conservatium
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply