Gicvilja, e rrallë dhe e rrezikuar në Kosovë
Rrallë kush e njeh, e edhe më pak e di emrin e saj. Në fakt, me këtë emër është futur edhe në Enciklopedinë shqiptare, ndërsa në shkencë quhet Vanellus vanellus (Linnaeus 1758). Më e çuditshmja është se në Kosovë haset vetëm në dy vendbanime dhe se është e rrezikuar.
Ornitologët e përshkruajnë si shpezë me madhësi 28–31 cm, pesha 128–330 g dhe hapje të krahëve 82–87 cm. Shumica e popullatave të këtij lloji janë shtegtare. Ushqehen me insekte të rendeve të ndryshme. Jeton në kullosa e livadhe dhe toka të punueshme, është e përhapur në Evropë, Turqi dhe veriperëndim i Iranit, nëpërmjet Rusisë perëndimore dhe Kazakistanit drejt jugut dhe lindjes së Siberisë, Mongolisë dhe veriut të Kinës. Dimëron prej Evropës perëndimore, ishujve të Atlantikut lindor dhe Afrikës veriore nëpërmjet pjesës mesdhetare të Lindjes së Mesme dhe Iranit, përgjatë Indisë veriore drejt Kinës juglindore, Koresë dhe Japonisë jugore.
Dhe kështu, gjatë shtegtimeve të tij, popullata e këtij lloji qëndron edhe në dy fshatra të Kosovës – Henc të Fushë Kosovës dhe Nosalje të Gjilanit. Por, deri sa në Evropë ky lloj vlerësohet si “gati i kërcënuar”, në Kosovë ai është i rrezikuar, për shkak të zonës së pranisë të kuizuar gjatë kohës së folezimit. Numri i lokaliteteve të folenizimit është 5. Zona e pranisë dyshohet se është në rënie të mëtejme.
Si edhe për shumë lloje të tjera të faunës, kërcënim për të paraqet zgjerimi i zonave të ndërtimit, shqetësimet njerëzore, digat dhe ndryshimi i rrjedhave të ujit. Është i mbrojtur me ligj, por ekspertët sugjerojnë se që mbrojtja të ketë efekt duhet të konservohen zonat e habitatit të tij, të kufizohet gjuetia dhe në përgjithësi të mbrohet ambienti./bbgreenkosova
Burimi: Libri i kuq i faunës i Republikës së Kosovës, BirdLife
Foto: Wikipedia