A do ta shpëtojmë apo ta shkatërrojmë planetin pas pandemisë?
Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar rrjedhën e gjithë vitit, por le të kthehemi në fillim. Në janar 2020. Turistët po prisnin me padurim vitin në të cilin duhej të mbaheshin Lojërat Olimpike në Japoni, por edhe udhëtimet dhe pushimet e planifikuara.
Nga ana tjetër, aktivistët dhe luftëtarët për planet më të shëndetshëm po përgatiteshin për “luftë”, për veprime që synonin alarmimin e komuniteteve, kombeve, institucioneve dhe kthenin vëmendjen kah ndryshimet klimatike, për katastrofën që po përgatitet për ne.
I gjithë fokusi i mediave dhe institucioneve, si dhe i disa qeverive përfundimisht gjatë 2019-ës është zhvendosur në çështjet mjedisore. Mirëpo, bota e turizmit nuk kishte fare dilemë se si do të funksionojë në vitin 2020. Kësaj industrie nuk i kanë interesuar emetimet e dëmshme të gazeve dhe turizmi masiv, bota duhej parë dhe eksploruar!
Po pastaj ndodhi ai virus misterioz që erdhi nga Kina. Një e panjohur, që nuk ishte SARS. Virusi, i cili ka infektuar shumë njerëz dhe ka ndryshuar të gjithë botën, përfshirë edhe turizmin. Qytetet e braktisura, ajri i pastër…
Papritmas gjithçka ndryshoi. Kufijtë u mbyllën, aeroplanët u ulën. Pandemia zbrazi të gjitha aeroportet dhe bëri që qytetet të shkretohen me shpejtësinë e dritës. Kemi shikuar fotografi të Venecias, Romës, Milanos, Parisit, Londrës dhe madje edhe Prishtinës sonë, të cilat dëshmuan rrugë të shkreta, si skena nga filma apokaliptikë.
Olimpiada është shtyrë, kryqëzorët janë lënë të enden në det të hapur për muaj të tërë, dhe agjensitë u vunë përpara një akti përfundimtar, përpara falimentimit.
Çfarë vumë re atëherë? Në qytete me ndotje të lartë si Los Angeles dhe New Delhi, papritmas qielli ishte i pastër, dhe po ashtu edhe ajri.
Uji në kanalet veneciane më në fund kishte një ngjyrë blu-mavi dhe të gjithë më në fund arritëm të dëgjonim këngën e harabelave. Himalajet u bënë të dukshme nga India, pas 30 vjetësh! Për të mos përmendur se sa emisione të dëmshme u ulën kur pjesa më e madhe e aviacionit global kishte aterruar.
E pabesueshme, por e vërtetë, një “ndalesë” e gjithë industrisë së turizmit ka sjellë një përfitim të madh për mjedisin! Natyra arriti të rifillojë, ndërsa ne të gjithë ishim të mbyllur në shtëpitë tona.
Por çfarë do të ndodhë kur virusi vihet nën kontroll? A po planifikojmë vërtet të vazhdojmë atje ku kemi ndalur, duke ndotur planetin, apo më në fund do të fillojmë të mendojmë se si ta shpëtojmë atë?
Emetimi i gazrave të dëmshëm
Mjafton një shifër për t’ju treguar se cili është efekti i turizmit në mjedis: 8%. Aq është pjesa e turizmit në emetimet globale të gazrave serrë, sipas një studimi nga shkencëtarët nga Universiteti i Sidneit dhe Universiteti i Queenslandit, nga maji 2018.
Efekti Serrë është një proces i ngrohjes së planetit Tokë, i cili u shkaktua nga një prishje e ekuilibrit të energjisë midis sasisë së rrezatimit që sipërfaqja e Tokës merr nga Dielli dhe kthehet në hapësirë.
Covid-19 ndaloi gjithçka
Në vitin 2018, askush nuk e dinte se një pandemi globale na priste për dy vjet, e cila do të prishte gjithçka. Karantinat dhe mbylljet e kufijve kanë kontribuar në ndalimin e aviacionit global dhe emetimet globale të bijnë për 4.6%.
Kjo është rënia më e madhe në histori. Suksesi i sponsorizuar nga Covid-19. Dhe ndërsa mjedisi është bërë më i shëndetshëm, ekonomia është tronditur rëndë. Ndër sektorët më të prekur janë turizmi dhe transporti.
“Presim që kriza ekonomike të jetë më e madhja në histori, ndërsa emetimi i gazrave të dëmshëm do të jetë më i ulët në 20 vitet e fundit,” tha Arunima Malik, nga Universiteti i Sidneit.
Vendet e vogla janë më të rrezikuarat
Yen Sun, nga Universitetit në Queensland, deklaroi se vendet më të vogla në botë janë ndër vendet më të rrezikuara, si dhe ato vende që varen nga turizmi.
“Ne e dimë që turizmi është një nga sektorët më të mëdhenj (ekonomikë) në botë, i cili përbën 10% të PBB-së totale globale dhe se një në dhjetë vende pune në botë vjen nga industria e turizmit.”
Megjithatë, vendet e vogla (kryesisht vendet ishullore) që nuk kanë një ekonomi të zhvilluar dhe që mbështeten në turizëm, të tilla si Aruba, Maldivet dhe Makau, janë më të prekurat. Këtu, turizmi përbën 50% të PBB-së totale.
Sigurisht, ka edhe humbje të punës që ka ndodhur në mënyrë të pashmangshme në shumë vende. Njerëzit të cilët punonin në resorte dhe anije duhej të ktheheshin në shtëpi dhe të prisnin rastin që të riaktivizohen nga punëdhënësi i tyre./bbgreenkosova
Burimi: Travel magazine
Foto: Depositphotos