Metamorfoza e njerëzimit gjatë COVID-19

Njeriu dhe natyra, Shkrimet autoriale

Ndryshimi i përceptimit të njerëzve, për t’i bërë të kuptojnë se veprimtaria njerëzore ka një ndikim të madh në planet

Shkrim nga Erlinda Sallauka, e diplomuar në fushën e Ekologjisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit

Qysh nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, njerëzimi filloi të mendoj se çfarë me të vërtetë ka rëndësi, se si i kemi shpërfillur thirrjet e pafundme të shkencëtarëve për gjendjen e Tokës tonë.

Do të ishte krejt situatë tjetër sikur mediet të kishin raportuar për krizën e ngrohjes globale ashtu siç po raportojnë për korona virusin. Çdo ditë me lajme të ndryshme, tituj të shumtë dhe raportime për numrin e vdekjeve, duke analizuar se a po bëjnë mjaftueshëm liderët e shteteve, dhe më e rëndësishmja që publiku të kuptoj se sa serioze është gjendja.

Nuk kanë munguar edhe fushatat ndërgjegjësuese apo thirrjet për veprim nga shoqëria civile dhe lëvizje të ndryshme individuale, siç është lëvizja tashmë botërore e adoleshentës suedeze Greta Thunberg. Greta, me fjalimet e saj i bëri njerëzit të reflektojnë më tepër, si dhe lëvizja Exctiction Rebellion e cila në një formë më të rebeluar zhvilloi aksionet e veta duke bllokuar trafikun në qytetin e Londrës e duke u drejtuar mesazhe të fuqishme ndotësve më të mëdhenjë si dhe veshit të shurdhër të organeve publike për ndërmarrjen e hapave rimëkëmbës.

Por, pavarësisht fushatave , përderisa nuk ka veprime konkrete dhe vendimmarrje nga

organizatat botërore, si dhe politika individuale të secilit shtet në lidhje me çështjen e luftimit të

ngrohjes globale, situata nuk është se do të ndryshojë.

Gjatë dy dekadave të fundit të zhvillimit teknologjik, njerëzimi ishte aq i fokusuar në prodhim dhe konsum, sa që në një farë forme i gjithë fokusi ynë kaloi në posedim dhe më pak në reflektim dhe vlerësim mbi gjërat që me të vërtet janë themelore e nuk mund te blihen.

Ndoshta është mendimi im optimist, apo tendenca për të parë fatin në fatkeqësi, mirëpo shpresoj se kjo

pandemi na ka dhënë një mësim të vlefshem. Duhet të jemi me miqësor me natyrën, me kafshët, të jemi më të kujdesshëm me mjedisin, vetën dhe shoqërinë. Ndoshta tani e kuptojme më mirë simbiozën e natyrës me njeriun, dhe kushtëzimin e mirëqenies së të dyjave nga njëri tjetri.

Ndikimi i faktorit antropogjen në mjedis

Një vështrim i thjeshtë rreth nesh mund të na bëjë të kuptojmë se sa shumë ndikim ka njeriu në natyrë, sa shumë degradime dhe sa shume ndryshime i kemi shkaktuar “shtëpisë” tonë të përbashkët. Pyetja nuk është se a mund t’i rezistoj toka ndryshimeve të cilat po ja shkaktojmë. Pyetja e vërtetë është se a do të shkaktojmë aq shume dëme sa do ta ndryshojmë aq shumë tokën, sa të shtyjmë speciet drejt zhdukjes duke përfshirë këtu edhe veten?

Fig. 1 Qielli i hapur me ajër më të pastër gjatë ditëve të izolimit, Prishtinë 2020

Kriza COVID-19

Pandemia COVID-19 po ngjanë si ndonjë film imagjinar, ajo ka përfshirë të gjithë botën dhe duket sikur ka kthyer gjithçka përmbysë. COVID-19 është sigurisht një ngjarje që do të përcaktojë të ardhmen e botës sonë. Dëmet tashmë mund të vërehen në çdo fushë, sin ë atë ekonomike ashtu edhe në atë sociale dhe psikologjike.

Qeveritë që për shumë kohë kanë mbështetur politikëbërjen e tyre në “rritjen e ekonomisë” tash sytë i kanë kthyer nga “shpëtimi i saj”. Ata po përpiqen që të kontrollojnë situatën dhe të gjejnë zgjidhjen. Shkencëtarët nga e gjithë bota po punojnë në drejtim të gjetjës së një vaksine. Le te themi se përfundimisht ne do të shpëtojmë. Por si do të jemi mbas ksaj krize, si do të jetë bota?

Gjatë vetizolimit kemi parë botën duke pushuar, Tokën duke marr frymë lirshëm, kemi parë kafshët e egra duke u rikthyer në habitatet e tyre e me këtë na u vërtetua edhe njëherë se sa shkatërrues ka qenë faktori njeri dhe se sa i kemi tejkaluar kufinjtë e natyrës.

Disa ekspert kanë konstatuar se ulja e ndotjes së ajrit mund të ketë shpëtuar më shumë jetë njerëzish sesa numri i vdekjeve i shkaktuar nga virusi vdekjeprurës në Kinë. Gjithashtu janë vërejtur ulje të ndotjes nga dioksidi I azotit nëpër Evropë e sidomos në Itali nga data 9 Mars kur edhe filloi izolimi.

Fig. 2 Një qytetar duke bartur maskë, Prishtinë 2020

Asnjëherë nuk është vonë për përmirësime

Ne, mund të rigjejmë vetën edhe pas COVID-19. Njerëzimi gjithmonë e ka bërë të mundur rimëkëmbjen pas çdo katastrofe. Pandemia COVID-19 ka provuar se qeveritë janë të afta për të vepruar dhe për të bërë ndryshime, kështu që, pse nuk mund t’i zbatojnë këto taktika në krizën e ndryshimeve klimatike?

“Gjatë kohës së izolimit kemi mësuar se absolutisht ne si shoqëri mund të ndryshojmë dhe mund të ndryshojmë mjaft shpejt dhe kjo mund të ketë përfitime të mëdha shëndetësore,” tha Dr. Sçofield.

Një tjetër shkencëtarë z. Mann tha që kriza e vërtetë afatgjate është vetë ndryshimi i klimës. “Dhe për ironi përgjigja jonë për një krizë tjetër, pandemia koronavirus, tregon se është e mundur për ne që të ndryshojmë mënyrat e reagimit ndaj gjërave, por vetëm kur ka përpjekje qeveritare për të mbështetur ndryshimin e sjelljeve, të cilën e kemi parë me koronavirusun dhe duhet ta shohim tani me ndryshimin e klimës, ” tha ai.

Nga ana tjetër studiuesi Aschbacher tha se ndryshimet e shkaktuara nga COVID-19 përmirësojnë vetëm përkohësisht cilësinë e ajrit dhe uljen e emetimeve të CO2 për dy javë ose muaj dhe do të ketë ndikim të vogël në aspektin kohor. “Ajo që mund të ketë ndikim afatgjatë është ndryshimi i përceptimit të njerëzve, për t’i bërë të kuptojnë se veprimtaria njerëzore ka një ndikim të madh në planet dhe të arrihet një rimendim i pjesshëm në disa aspekte të jetës.”

Për të ndihmuar në riparimin e dëmit ekonomik dhe shoqëror të sjellë nga pandemia, fillimin e rimëkëmbjes evropiane, mbrojtjen dhe krijimin i vendeve të punës, Komisioni Evropian propozoi në 26 maj një plan të madh rimëkëmbjeje për Evropën bazuar në shfrytëzimin e potencialit të plotë të buxhetit të BE-së. Më 21 korrik 2020, udhëheqësit e BE-së ranë dakord për këtë plan të rimëkëmbjes dhe kuadrin financiar shumëvjeçar për 2021-2027, duke udhëhequr rrugën për të dalë nga kriza dhe duke hedhur themelet për një Evropë moderne dhe më të qëndrueshme.

Zërat nga Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) dhe deri tek kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar dhe ekonomistët kryesorë janë ata që kanë bërë thirrje për një “rimëkëmbje të gjelbër” që “ndërtohet përsëri më mirë” duke ulur emetimet e CO2 dhe në të njejtën kohë duke forcuar ekonominë. “Plani i Rimëkëmbjes së Qëndrueshme” të përcaktuar në këtë raport tregon se qeveritë kanë një mundësi unike sot për të rritur ekonominë, krijimin e miliona vendeve të reja të punës dhe vendosjen e emetimeve globale të gazrave serë në rënie strukturore.

Derisa hartojnë plane të rimëkëmbjes ekonomike, krijuesit e politikave duhet të marrin vendime jashtëzakonisht të rëndësishme në një hapësirë të shkurtër kohore. Këto vendime do të formësojnë infrastrukturën ekonomike dhe energjetike për dekadat në vazhdim dhe me siguri do të përcaktojnë nëse bota ka një rast të dytë për të përmbushur qëllimet e saj afatgjata të energjisë dhe ndryshimeve klimatike.

Fig. 3 Hapësirë publike e gjelbëruar më shumë se kurrë pas përmirësimit të ajrit, Prishtinë 2020

Fjalët kyqe: Kriza e pandemisë COVID-19, Ngrohja globale, Rimëkëmbja ekonomike, Qëndrueshmëria, Faktori antropogjen

Burimet: Academia.edu, Recovery plan for Europe, SBS News, IEA Sustainable Recovery

Fotot: @myprishtina

Leave a Reply