Studiuesit shqiptarë pikasin tri fole të species në zhdukje
Grifsha e detit në Shqipëri mban një status të rrezikuar në mënyrë kritike dhe këto lajme na bëjnë më optimist për rimëkëmbjen e popullatës folezuese
Studiuesit e Shoqatës Ornitologjike Shqiptare (AOS) kanë lajmëruar pikasjen e të paktën tri foleve të reja të Grifshës së detit (Corracias garrulus), gjatë monitorimeve muajin e kaluar, në tri vendndodhje të ndryshme, por jo larg njëra-tjetrës.
Pas folesë së parë dhe të vetme të konfirmuar dy vite më parë nga AOS-ja, kërkimet dhe monitorimet për prezencën e llojit në vend u intensifikuan, duke arritur në konfirmimin e të paktën tri foleve të tjera, të cilat bashkë me folenë ekzistuese shkojnë të paktën në katër çifte folezuese të këtij lloji në Shqipëri.
“Vrojtimi, sikurse herën e shkuar ishte po aq sfidues dhe me adrenalinën në maksimum, duke marrë parasysh që Grifshat e detit janë shpendë mjaft inteligjentë dhe diskret kurë bëhet fjalë për të ‘treguar’ folenë e tyre.
“Pas disa fluturimeve me ushqim në sqep, më në fund Grifsha e detit vendosin të ulen në fole dhe të furnizojnë me ushqim të vegjlit që prisnin plot uri për vaktin e radhës”, bëjnë me dije studiuesit.
Në njërin lokacion Grifsha shoqërohej nga Gargujt të cilët kishin ndërtuar koloninë aty pranë, në një tjetër në shoqërinë e shpendëve të tjerë kolonialë, ndërsa në lokacionin e tretë ishte e vetme dhe e pa shqetësuar.
Duhet theksuar se Grifsha e detit në Shqipëri mban një status të rrezikuar në mënyrë kritike dhe këto lajme na bëjnë më optimist për rimëkëmbjen e popullatës folezuese të këtij lloji./bbgreenkosova
Burimi: euronews.al
Foto: AOS