Çapka e përhime kërcënohet me zhdukje në Kosovë

Degradimi i natyrës

Në Evropë ka një shqetësim të vogël për mbijetesën e këtij lloji, ndërsa në Kosovë vlerësohet se është skajsshmërisht e rrezikuar, dëshmi kjo e mjedisit tonë jo të mirë për biodiversitetin.

Çapka e përhime (Ardea cinerea (Linnaeus, 1758), është shpezë me madhësi 90–98 cm, peshon 1020–2073 g, kurse hapjen e krahëve e ka 175–195 cm. Është e përhapur në pjesën e Palearktikut dhe më pak në Afrikë, Indi dhe Sri Lankë. Shumica e popullatave në Palearktik janë tërësisht shtegtare, kurse disa popullata jugore synojnë të jenë sedentare.

Habitati i saj është pranë ujërave – lumejve, liqeneve e kënetave, në lartësi mbidetare deri 1.000 m, ndërsa ushqehet me me peshq, ngjala, shpendë të vegjël, brejtës të vegjël etj. Në Kosovë, sipas Librit të kuq të faunës së Republikës së Kosovës, haset në Vërmicë, Henc, Vasilevë, Kaçanik, Bishtazhin, Partesh, Badovc, Kamenicë, Liqeni i Radoniqit. Popullata e saj për nga numri megjithatë mbetet e panjohur.

Ekspertët Taulant Bino, Qenan Maxhuni gjendjen e këtij lloji, ndonëse është i mbrojtur në Kosovë e kanë vlerësuar si skajsshmërisht të rrezikuar. Ata duke dhënë këtë vlerësim, kanë parasysh se areali gjeografik gjatë kohës së folenizimit të çapkës së përhime është shumë i kufizuar në 4 km², një lokacioni të vetëm dhe reduktimit të projektuar të madhësisë së popullatës, bazuar në rënien e numrit të lokacioneve. Është hasur në disa lokalitete por vetëm 1 koloni folezuese është raportuar deri më tani nga Kosova, e cila është e ndjeshme në rënie të mëtejme.

Kërcënime të këtij lloji paraqesin modifikimet e sistemeve natyrore (digat dhe përdorimi i ujit), eksploatimi i ujit në amvisëri, bujqësia dhe akuakultura , etj. Për ta shpëtuar nga zhdukja këtë lloj, nevojitet mbrojtja e tokës e ujit, mbrojtja e lokalitetit/zonës, mbrojtja e resurseve dhe habitateve etj., ndërsa nuk është bërë e ditur deri më tash të jetë ndërmarrë ndonjë masë mbrojtëse./bbgreenkosova

Burimi: Libri i kuq i faunës së Republikës së Kosovës
Foto: WindBirds, Wikimedia

Leave a Reply