
Shkencëtarët alarmojnë: Po zvogëlohet numri i peshkaqenëve pranë shkëmbinjve koralorë
Këta grabitqarë detarë luajnë rol kryesor në ekosistemet detare, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbijetesën e shkëmbinjve koralorë
Peshkaqenët po bëhen më të rrallë në afërsi të 20 përqind të shkëmbinjve koralorë në botë, ka treguar një studim i madh. Shkencëtarët paralajmërojnë se rënia e numrit të peshkaqenëve, kryesisht e shkaktuar nga gjuetia e tepruar, mund të rezultojë me pasoja të rënda kur bëhet fjalë për koralet që luftojnë për të mbijetuar nga ndryshimet klimatike.
Këta grabitqarë detarë luajnë rol kryesor në ekosistemet detare, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbijetesën e shkëmbinjve koralorë, pasi eliminojnë grabitqarët e tjerë që ushqehen me peshq më të vegjël të rëndësishëm për mbajtjen e shëndetshme të koraleve.
Kushtet për mbijetesën e tyre janë më të favorshme në zonat ku peshkimi i tyre është nën kontroll ose në zona detare të mbrojtura.
Prej kohësh është e njohur që koralet janë më të shëndetshëm, ku ka më shumë peshkaqenë. Ata mbajnë nën kontroll grabitqarët e mesëm që janë pre e tyre dhe të cilët i kanë rivalë, gjë që mundëson zhvillimin e një popullsie të peshqve më të vegjël të shkëmbinjve nënujorë, roje koralesh. Në zonat e mbrojtura detare me një popullsi të shëndetshme të peshkaqenëve, koralet shërohen më shpejt dhe janë më rezistentë ndaj sëmundjeve.
Koralet shkembore janë shtëpi për një të katërtën e jetës detare, por për shkak të një kombinimi të ngrohjes globale, peshkimit të tepërt dhe ndotjes, ata po ndryshojnë me shpejtësi, duke i bërë peshkaqenë të domosdoshëm si një ndihmë në qëndrueshmërinë dhe mbijetesën e tyre.
Dr. Mike Heithaus nga Universiteti në Florida beson se, në një kohë kur koralët po përpiqen të mbijetojnë në mes të ndryshimeve klimatike, zvogëlimi i numrit të peshkaqenëve mund të ketë pasoja të mëdha afatgjata për të gjitha sistemet e shkëmbinjve koralorë. “
Hulumtimi, rezultatet e të cilit u botuan në revistën Nature, është pjesë e një studimi të quajtur Global FinPrint që tregon një ulje të madhe të numrit të peshkaqenëve në pjesën më të madhe të oqeanit që gjenden në brezik tropikal.
Për të kryer studimin, shkencëtarët vendosën kamera të shumta nënujore në 371 shkëmbinj nënujorë në 58 vende, më saktësisht në zonën nga pjesa qendrore e Paqësorit deri në Bahame.
Në pjesën e përparme të kamerës kanë ngjitur karremë për të tërhequr të gjithë peshkaqenët që kanë qëlluar në afërsi.
Në asnjërin nga 69 shkëmbinjtë koralë në të gjashtë shtetet nuk ka regjistruar asnjë specie peshkaqenësh, e fjala është për Republikën Dominikane, Antilet Franceze, Kenian, Vietnamin, Antilet holandeze dhe Katarin.
Përkundër kësaj, studiuesit thonë se shpresa nuk duhet të humbet sepse duke rregulluar mënyrën e gjuetisë së peshkaqenëve, popullatat e këtyre grabitqarëve të mëdhenj ka mundësinë të rikuperohen numerikisht.
“Nga ndalim i përdorimit të llojeve të caktuara të mjeteve të peshkimit, si dhe kufizimet në kuotat e peshkimit të peshkaqenëve deri në një ndalim total të peshkimit dhe tregtisë në nivel kombëtar – ne tani kemi një pasqyrë të qartë të asaj që mund të bëhet për të kufizuar peshkimin e peshkaqenëve të shkëmbinjve, në ujërat e oqeanit tropikal”, tha dr. Aaron MacNeil nga Universiteti Dalhousie në Kanada.
Për shkak të peshkimit të tepërt, shumë lloje të peshkaqenëve mund të arrijnë në prag të zhdukjes. Ata gjuhen për mishin dhe pendët e tyre, dhe disa prej tyre rastësisht përfundojnë të bllokuar në rrjeta peshkimi dhe pajisje të tjera.
Vlerësimet sugjerojnë që njerëzit vrasin rreth 100 milion peshkaqenë në vit./bbgreenkosova
Burimi: Nature
Foto: Pixabay (ilustrim)