Smogu shkaktoi 49.000 vdekje në Pekin dhe Shangai në vitin 2020

Më të rejat

Ndotja e ajrit vlerësohet të ketë shkaktuar 49.000 vdekje dhe 23 miliardë dollarë humbje ekonomike vetëm në Pekin dhe Shangai vetëm nga 1 janari i vitit 2020, tregon “njehësori të ajrit të pastër” i nisur nga grupet e mjedisit.

I nisur nga Qendra e Helsinkit për hulumtime të energjisë dhe ajrit të pastër (CREA), Greenpeace Azia juglindore dhe IQAir Air Visual, ky mjet i internetit mat smogun në 28 qytete të mëdha në të gjithë botën dhe përdor modele të dizajnuara në programin kërkimor Global Burden of Disease për të vlerësuar ndikimin në shëndet .

Nivele më të larta të smogut janë shoqëruar me një numër sëmundjesh, të tilla si sëmundja pulmonare obstruktive kronike (COPD), sëmundjet e zemrës, pika në tru dhe kanceri i mushkërive.

Ndikimi në ekonomi është llogaritur bazuar në një vlerësim të faktorëve të tillë si mungesa nga puna dhe vitet e humbura për shkak të sëmundjes.

I matur për kokë banori, Nju Delhi në Indi ka vuajtur më shumë nga ndotja, duke humbur rreth 25.000 jetë dhe 5.8 përqind të GDP-së totale që nga fillimi i vitit.

Në Shangai kanë vdekur 27.000 njerëz që nga 1 janari, më shumë se në Pekin, ku janë shënuar 22.000 vdekje nga ndotja e ajrit.

“Kjo gjithashtu tregon për faktin se ndotja në Shangai tani është pothuajse e njëjtë si në Pekin, me atë që Pekini po rimëkëmbet shumë më shpejt,” tha Lauri Myllyvirta, analist kryesor i CREA-s.

Sipas të dhënave zyrtare kineze, përqendrimi i grimcave të vogla të rrezikshme të cilat barten nga ajri, të njohur si PM2.5, ishte më i lartë në Pekin në gjysmën e parë të vitit sesa në Shangai.

Mirëpo, Shangai regjistroi norma më të larta të dioksidit të squfurit dhe dioksidit të azotit, dy komponentët e tjerë të smogut.

Në përgjithësi, ndotja në Kinë u ul në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë. Karantina per shkak të epidemisë Covid-19 ka ulur trafikun dhe aktivitetin industrial, por ekspertët paralajmërojnë se përpjekjet për rimëkëmbje ekonomike mund të bëjnë që smogu të kthehet në gjysmën e dytë të vitit./bbgreenkosova

Burimi: Hina
Foto: AFP

Leave a Reply