Disa fakte shokuese mbi plastikën
Produktet e plastikës, janë produkte që na përcjellin çdo ditë gjatë jetës tonë, materiali i plastikës është i aftë që të transformohet në çdo produkt dhe me çmim të arsyeshëm, por pasojat e këtij materiali po i vuajnë çdo gjallesë në botë duke përfshirë edhe njerëzit. Sipas statistikave të ndryshme nëpër botë, përafërsisht 79 përqind të plastikës së prodhuar në 70 vitet e fundit janë hedhur.
Në Kosovë ka mungesa të mëdha të klasifikimit të mbeturinave dhe të riciklimit të tyre, e gjithashtu hedhja e mbeturinave dhe e plastikës nëpër vende jo adekuate e nëpër rrugë është bërë një problem i madh për vendin tonë i cili po e dëmton rëndë ekosistemin dhe gjallesat e ndryshme përfshirë edhe njerëzit. Ky është një problem që është shpërfillur nga qytetarët dhe që duhet të mirren masa sa më shpejtë.
Sipas të dhënave statistikore vetëm brenda dy viteve të fundit në Kosovë janë importuar mbi 12 mijë tonë produkte të plastikës.
Këtu janë disa fakte mbi plastikën dhe ndotjen e saj në gjithë botën:
Gjatë dekadës së fundit, në gjithë botën është prodhuar më shumë plastikë se sa gjithë shekullit të fundit.
50 përqind të plastikës që e prodhojmë, e përdorim vetëm një herë.
Prej të gjithë plastikës që prodhohet, riciklohet rreth 10 përqind e saj.
46 përqind e plastikave në botë, pluskojnë mbi ujëra për shumë vite, e pastaj fundosen në brendësi të oqeaneve.
Plastikës i duhen 500 deri në 1000 vite që të dekompozohet.
Deri tani, janë raportuar se përafërsisht 700 specie ujore kanë ngrënë mbetje plastike nëpër oqeane.
E gjithashtu më shumë se 5 trilion copëza plastike janë hedhur nëpër oqeane.
Në botë për një minutë përdoren rreth një milion qese plastike.
Shumë kimikate të plastikës, janë vërtetuar që ndikojnë në hormone dhe efekte të tjera në shëndetin tonë.
Disa nga mënyrat se si mund ta përmirsojmë mjedisin tonë, është duke mos hedhur mbetjet e plastikës por duke i ricikluar ato, gjithashtu përdorimi i qeseve të letrës e jo të plastikës dhe zvogëlimi sa më shumë i blerjes dhe përdorimit të produkteve të plastikës . /bbgreenkosova./
Burimi: Ecowatch.com
Foto: Unsplash.com