Oqeanet burim i jetës: Sa i njohim?

Më të rejat

Shkencëtarët supozojnë se në thellësi të oqeanit jetojnë madje njëqind milionë lloje bimësh e kafshësh – më shumë se në të gjitha habitatet tjera në Tokë bashkë

Në botë, sot, më 8 qershor, shënohet Dita botërore e oqeanit, thellësitë e të cilit paraqesin habitatin më të madh natyror në planet, duke përbërë 95 për qind të hapësirës jetësore në të. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e deteve të thella – apo 0.0001 për qind – është hulumtuar, përkundër rolit të cilin oqeanet e luajnë në ruajtjen e jetës në Tokë.

Meqë nuk dihet se sa është i madh kozmosi, mund të thuhet se oqeanet njihen më mirë se hapësirat e gjithanshme të universit, por, në krahasim me dijen ekzistuese për kozmosin, njohja e oqeaneve është jashtëzakonisht e paktë.

Tekefundit, për shembull, nga viti 1969 në Hënë janë dërguar gjithsej 12 njerëz në kuadër të disa misioneve, por vetëm tre njerëz kanë zbritur në pikat më të thella të oqeanit në hulinë e Marianës, në ujërat e Paqësorit perëndimor, ku thellësia e detit është plot 11 kilometra.

Njëri prej këtyre njerëzve ka qenë regjisori i filmit James Cameron, për të cilin thuhet se për financimin e kësaj ndërmarrjeje ka shpenzuar 10 milionë dollarë nga mjetet personale.

Shkencëtarët supozojnë se në thellësi të oqeanit jetojnë madje njëqind milionë lloje bimësh e kafshësh – më shumë se në të gjitha habitatet tjera në Tokë bashkë.

Po ashtu, si burim primar i proteinave të kafshëve për mbi 2,6 miliardë njerëz, oqeanet janë burim i rëndësishëm ushqimi, si dhe burim i të ardhurave për 60 milionë anembanë botës, kështu që ekonomisë globale i kontribuojnë me rreth tre mijë miliardë dollarë në vit.

Substancat kimike të fituara nga organizmat detarë i shërbejnë avancimit të mjekësisë, ndërsa edhe testi i cili përdoret për diagnostifikimin e COVID-19-ës është zhvilluar duke iu falënderuar enzimit të cilin e prodhon mikrobi i gjetur në burimet hidrotermale në thellësitë e detit.

Studimet shkencore po ashtu kanë treguar se qëndrimi pranë detit, madje edhe vetëm tingujt t tij, ndikojnë në shëndetin mental të njerëzve.

Burimi: Hina
Foto:
AFP

Leave a Reply