Kosova, nis e sos me probleme të mëdha mjedisore

Më të rejat

Avokati i Popullit ka konstatuar se vendin tonë vazhdojnë ta sfidojnë çështjet e mëdha të ambientit si problemet e ujit, ajrit dhe tokës, menaxhimit të mbeturinave, kontrollimit të zhurmës dhe të gjitha këto probleme mjedisore mbeten pothuajse në fazë të njëjtë për gjatë viteve

Në ditën Botërore të Mjedisit, Avokati Popullit ka kërkuar vëmendjen e të gjitha institucioneve në vend për nevojën e angazhimit më të thelluar për ndërmarrjen e masave konkrete dhe të nevojshme për mbrojtjen dhe ruajtjen nga degradimi i mjedisit në vend. Në këtë mënyrë, sipas tij do të respektohet e drejta e qytetarëve për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.

“Në këto ditë të vështira kur i gjithë globi është përballur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19 është vënë në pah roli i madh i natyrës dhe shqetësimi i madh mbarë botëror, sa urgjente po aq edhe ekzistenciale”, thuhet në njoftimin e zyrës së Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit ka konstatuar se vendin tonë vazhdojnë ta sfidojnë çështjet e mëdha të ambientit si problemet e ujit, ajrit dhe tokës, menaxhimit të mbeturinave, kontrollimit të zhurmës dhe të gjitha këto probleme mjedisore mbeten pothuajse në fazë të njëjtë për gjatë viteve.

“Gjithashtu nuk është arritur ndonjë përmirësim në zbatimin e legjislacionit mjedisor, si dhe mbrojtjes së të drejtave mjedisore në gjykatë. Respektimi i së drejtës së publikut për qasje në informata mjedisore dhe pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse lidhur me mjedisin vazhdon të përcillet me paqartësi dhe sfida”, thuhet më tutje në njoftimin për media.

Avokati i Popullit ka bërë thirrje në adresë të organeve të pushtetit gjyqësor që të ofrojnë mbrojtje efektive gjyqësore qytetarëve lidhur me trajtimin e rasteve të inicuara në gjykatë për cenim të të drejtave mjedisore.

Burimi: Avokati i Popullit i Kosovës
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply