Britania e Madhe 30 ditë pa rrymë të përfituar nga thëngjilli

Njeriu dhe natyra

Britania e madhe është obliguar që gradualisht të mos ketë nevojë për përdorimin e thëngjillit më së voni deri në vitin 2025, ndërsa ky afat mund të zhvendoset për një vit më herët

Elektrodistribucioni kombëtar britanik ka bërë të ditur se energjia elektrike në këtë vend për një muaj ditë rresht është prodhuar pa përdorimin e thëngjillit, për herë të parë që nga fillimi i revolucionit industrial. Në një postim në Twitter të para do ditësh kësaj kompanie, është bërë e ditur se shënimin e këtij rekordi e ka bërë të mundur epidemia e virusit korona, si dhe moti i mirë me diell e erë.

Rekordi i mëparshëm në Britani është shënuar vitin e kaluar në zgjatje prej 18 ditësh, ndërsa gjatë perudhës së tashme, termocentralet me gaz kanë dhënë kontributin më të madh, me rreth 30 për qind, ndërsa centralet nukleare kanë siguruar 21 për qind të energjisë, era 18, biomasa 9 dhe energjia diellore 8 për qind.

Meqë kushtet e karantinës kanë ndikuar në rënien e konsiderueshme të kërkesës energjetike, gjë që nuk do të ndodhte pa të, mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata më tej pas lehtësimit të masave të jashtëzakonshme. Megjithatë, analistët kanë shfrytëzuar rastin që të vënë në dukje se gjendja aktuale ofron pamje se si do të funksionojë rrjeti elektrik në vitet që vijnë.

Në fakt, Britania e madhe është obliguar që gradualisht të mos ketë nevojë për përdorimin e thëngjillit më së voni deri në vitin 2025, ndërsa në shkurt qeveria britanike ka bërë të ditur se ky afat mund të zhvendoset për një vit më herët. Në dy muajt e fundit janë mbyllur edhe dy termocentrale me thëngjill në këtë vend, ndërsa planifikohet që termocentrali në Kilroot në Irlandën veriore të shndërrohet në termocentral me gaz.

Nga ana tjetër, zvogëlimi i kërkesës, e cila ka rënë për një të pestën nga fundi i marsit, mund të shkaktojë jostabilitet të rrjetit elektrik. Për këtë shkak janë bërë kontrata të reja me prodhues të caktuar të energjisë elektrikë për të ruajtur balancin në mes të furnizimit e kërkesës.

Burimi: BusinessGreen
Foto: EQ International
, The Guardian

Leave a Reply