Lulja kuq e zi zbukuron fushat, e preferuar edhe në kuzhinë

Bimët

Foto: BB Green

Kjo bimë dallohet në lulëkuqja e kopshtit (Papaver somniferum), për shkak se nuk përmban alkaloide opiumi

Ka ngjyrat e flamurit tonë. Asdreni e ka përjetësuar në një vjershë, e cila e ka bërë të veçantë në kujtesën tonë kolektive:

“Lulekuqja e mjera
Asgjëkundi s’ka shtëpi
E shkon jeten n’arrati
Ajo s’është si të tjera
S’ka stoli!…”

Në botanikë, Lulëkuqja (Papaver rhoeas L.) përshkruhet si bimë barishtore njëvjeçare nga familja Papaveraceae. Ka kërcyell të hollë vertikal, të gjatë deri 80 cm, të mbuluar me qime. Gjethet janë mjaft të mëdha dhe pendore të çara, me qime. Në maje të kërcyellit ndodhet lulja e bukur me ngjyrë të kuqe me katër petale. Ato janë shumë të buta, të shkëlqyeshme, në fund kanë nga një njollë të zezë. Kupëza përbëhet prej tri fletëzave të gjelbra, të cilat bien pasi të lulëzojë plotësisht. Lulëkuqja lulëzon prej majit deri në gusht, duke zbukuruar fusha të tëra.

Rritet në natyrë në rajonin e Evropës, Azisë perëndimore dhe Afrikës së veriut. është e përhapur si barojë në livadhe, ara dhe djerrina. Shumëzohet lehtë, me fara, i përshtatet trualli i lagësht i pasur me azot. E gjejmë nga ultësiart deri në brezin malor.

Mbledhja dhe ruajtja

Droga mjekësore bëhet nga lulja e lulekuqes (Rhoeados flos). Mblidhën vetëm petalet e kuqe në mot të bukur me diell. Duhet të mblidhen me kujdes që të shtypen sa më pak, sepse më vonë, gjatë tharjes ato vende nxihen. Thahen sa më parë në shtresë të hollë, në tavan të ngrohtë, por bën edhe në diell. Ruhen vetëm petalet të cilat pas tharjes e kanë ruajtur ngjyrën e kuqe të mbyllët. Vëhet menjëherë në enë të mbyllura hermetikisht, sepse shumë shpejt e tërheq lagështinë.

Përdorimi

Hahen gjethet e reja në rozetë përdhese dhe farat, të cilat përdoren si erëz për pjekurina dhe ëmbëlsira. Farat përmbajnë rreth 35% vajra yndyrore, prej të cilëve më së shumti ka thartirë linoleni (69%).

Në drogë ka mukozë, ngjyrë të kuqe dhe materie tjera, të cilat ndikojnë mirë në organet e frymëmarrjes. Çaji apo shurupi është i përshtatshëm për trajtimin e kollitjes.

Kjo bimë dallohet në lulëkuqja e kopshtit (Papaver somniferum), për shkak se nuk përmban alkaloide opiumi dhe helmime të rëndësishme me këtë bimë nuk janë shënuar.

Burimi: Literatura profesionale

Leave a Reply