Hithi jo vetëm djeg, por edhe ushqen e shëron!
Foto: BB Green Kosova
Përbërësit kryesorë kimikë të hithit janë klorofili, tanina, vitaminat, thartirat organike, mineralet e materie të tjera, të cilat e bëjnë të kërkuar për ushqim e për përdorim mjekësor
Të paktë janë ata, të cilët nuk e kanë shijuar djegien (regjien!) e hithit. Por edhe piten prej tij. Festa e Shëngjergjit, e para do dite, po ashtu është përkujtues i mirë se është koha e duhur për ta mbledhur!
Të gjithë e njohin, ndërsa emri i saj shkencor është Urtica dioica e botanistët e përshkruajnë si bimë barishtore shumëvjeçare, e lartë deri 1 m. Kërcyelli është vertikal dhe katërkëndësh. Gjethet janë të kundruellta, në formë zemre, të gjata 8-10 cm, të gjera 5 cm. Skajeve kanë dhëmbëzime të mëdha. E tërë bima është e mveshur me qime të imëta, të cilat po të preken thyhen dhe tajojnë lëng – thartirën e thneglave, i cili djeg fort dhe shkakton dhimbje.
Hithi është barojë shumë e përhapur. Paraqitet rreth vendbanimeve, skaj rrugëve, rrethojave, në lirishta pyjore dhe vende të djerra, skaj përrojeve dhe lumejve.
Mbledhja dhe ruajtja
Për përfitimin e drogave mjekësore mblidhet gjethja e hithit (Urticae folium) dhe rrënja e hithit (Urticae radix).
Gjethi pa bisht mblidhet gjatë tërë verës. Gjatë mbledhjes duart duhet mbrojtur me dorëza. Duhet të kihet kujdes që gjethet e hithit të mblidhen vetëm në vende që s’janë të ndotura. Më së miri është që hithat të mblidhen larg vendbanimeve. Gjethen e mbledhur duhet tharë sa më parë në shtresë të hollë, në vend të ajrosur në hije, duke e rrotulluar shpesh që ta ruajë ngjyrën e gjelbër. Më së miri është që gjethi të thahet në terore, në temperaturë deri 40 °C.
Prej 6 kg gjethesh të njoma fitohet rreth 1 kg gjethesh të thata.
Droga duhet të ketë ngjyrë të gjelbër, erë karakteristike dhe shije të hidhur, ngapak të njelmët.
Grumbulluesit e blejnë edhe rrënjën, e cila nxirret në vjeshtë ose herët në pranverë. Lahet në ujë dhe pastrohet prej rrënjëve të imëta. Thahet në diell ose në tertore në temperaturë deri 50 °C.
Prej 3-4 kg rrënjësh të njoma fitohet rreth 1 kg rrënjësh të thara.
Rrënja është e tharë nëse kur lakohet thyhet.
Droga përbëhet prej copave të rrënjëve të gjata deri 10 cm. Cilësia e saj vlerësohet për nga aroma e saj karakteristike dhe ngjyre e hirtë e murrme.
Të dy drogat paqetohen në thasë jute ose dëngje dhe ruhen në vend të thatë e të ajrosur.
Përbërja dhe përdorimi
Përbërësit kryesorë kimikë të hithit janë klorofili, tanina, vitaminat, thartirat organike, mineralet e materie të tjera.
Kërcyejt e rinj dhe gjethet, të cilat janë të ushqyeshme, mblidhen në fillim të pranverës deri sa ende nuk e kanë zhvilluar përbërësin i cili djeg dhe janë të pasura me vitaminë C (75-140 mg%), karoten (deri 20 mg%), minerale (hekur, fosfor, kalcium, acid silicik). Mund të zihen si perimet, sidomos për shtesë supave.
Çaji i hithit nxit këmbimin e materieve në organizëm, sidomos është i dobishëm për derdhjen e urinës te njerëzit të cilët vuajnë nga reumatizmi, cerma dhe problemet me fshikëzen e urinës. E pastron gjakun, prandaj hithi është i preferuar në kurat pranverore. Në mjekësinë popullore përdoret kundër diaresë dhe hemoroideve.
Lëngu nga rrënja e hithit është i rëndësishëm te problemet me prostatën dhe vepron si diuretik i butë. Është përbërës i shpeshtë i shamponëve natyralë, sepse ndikon mirë në flokë.
Me kositjen e bimës së tërë, tharjen dhe bluarjen e saj fitohet mielli i pasur me proteinë, kalcium, fosfor. Nga kërcyelli i hithit mund të përdoren fijet për përpunimin e litarëve dhe pëlhurave të trasha. Prej gjethes nxirret klorofili.
Burimi: BB Green Kosova