Lumenjtë e Evropës të mbusha me mikroplastikë toksike

Më të rejat

Foto: manchester.ac.uk

Shkencëtarët kanë gjetur copëza, me një madhësi prej më pak sesa 5 milimetra, në të gjithë kampionet e ujit që kanë marrë nga 9 lumenjtë kryesorë në Evropë që nga muaji maj e deri në nëntor.

Projekti drejtohej nga fondacioni “Tara Ocean” në bashkëpunim me 16 laboratorë të Qendrës Kombëtare Franceze të Hulumtimeve Shkencore, shkruan eurnews.

“Vëzhgimet e para kanë hedhur dritë mbi atë çka dimë për ndotjen e detit nga plastika,” tha hulumtuesi i qendrës franceze Jean-François Ghiglione, i cili është edhe drejtori shkencor i këtij projekti.

“Prej kohësh kemi menduar se shndërrimi i mikroplastikës nga plastikë ishte një proces që ndodhte në det, si pasojë e ekspozimit nga dielli dhe dallgëve. Në fakt, procesi duket se ndodh edhe në lumenjtë e pellgjet që ata krijojnë.”

Ekipi ka mbledhur 2700 kampione nga 45 vende në Tamiz, Elb, Rin, Senë, Ebër, Tibër, Ron, Garon dhe Loir. Katër prej tyre janë lumenjtë më të mëdhenj të Evropës.

Mikroplastika mund të shkaktohet nga mikrorruaza plastike, të cilat gjenden tek produktet kozmetike, pastat e dhëmbëve apo në sende të tjera plastike.

Foto: Jamie Woodward / https://cen.acs.org/

Ato përthithin me lehtësi mbeturinat dhe për pasojë bëhen shumë toksike.

Shkencëtarët kanë thënë se kampionet e mbledhura kanë vërtetuar hipotezën e tyre se mikroplastika gjendet kudo nëpër lumenjtë evropianë.

Raporti i fundit i Projektit Mesdhetar ka zbuluar se niveli i mikroplastikës në Detin Mesdhe po vjen duke u shtuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar në gusht se edhe në ujin e pijshëm janë gjetur copëza mikroplastike.

Fondacioni “Tara Ocean” tha se riciklimi i sendeve plastike dhe ulja e aditivëve gjatë prodhimit të plastikës janë disa prej mënyrave si mund të zgjidhet problemi. 

Kampionet e marra nga shkencëtarët do të përdoren më pas për të përcaktuar sasinë e mbetjeve.

Qendra Kombëtare e Sekuencave Franceze në qytetin Evri do të studiojë ADN-në e organizmave që jetojnë në grimcat e plastikës.

Leave a Reply