Zbulohen aeroportet më ndotëse në botë: Tre prej tyre ndodhen në Evropë

Më të rejat

Një raport i ri ndërkombëtar ka ngritur alarmin mbi ndikimin e madh që aviacioni po vazhdon të ketë në klimë dhe cilësinë e ajrit. Sipas analizës së publikuar nga organizata ODI Global në bashkëpunim me grupin ambiental Transport and Environment (T&E), tre aeroporte evropiane janë renditur ndër më ndotëset në botë, pavarësisht zotimeve të tyre për të arritur emetime neto zero deri në vitin 2050.

Studimi analizoi ndikimin klimatik të rreth 1,300 aeroporteve ndërkombëtare duke përdorur të dhëna të vitit 2023 nga International Council on Clean Transportation. Rezultatet tregojnë se sektori i aviacionit vazhdon të mbetet një nga ndotësit më të mëdhenj globalë. Madje, sipas raportit, nëse aviacioni do të konsiderohej shtet, ai do të renditej si ndotësi i pestë më i madh në botë për emetimet e dioksidit të karbonit.

Në krye të listës si aeroporti më ndotës në botë renditet Aeroporti i Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili emetoi 23.2 milionë tonë CO2 gjatë vitit 2023. Dubai vazhdon të jetë një nga qendrat më të mëdha tranzite ndërkombëtare dhe fluksi i madh i fluturimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e emetimeve.

Menjëherë pas tij renditet aeroporti London Heathrow në Mbretërinë e Bashkuar me 21 milionë tonë emetime CO2, ndërsa në vendin e tretë ndodhet aeroporti Los Angeles International Airport (LAX) me 18.8 milionë tonë.

Sipas raportit, vetëm këto tre aeroporte prodhojnë tri herë më shumë emetime sesa i gjithë qyteti i Parisit, pa përfshirë emetimet nga aviacioni.

Lista e aeroporteve më ndotëse vazhdon me Seoul Incheon në Korenë e Jugut, aeroportin John F. Kennedy në New York, aeroportin e Hong Kongut, Charles de Gaulle në Francë dhe Frankfurt Airport në Gjermani.

Raporti nxjerr në pah edhe një tjetër fakt shqetësues: vetëm 100 aeroporte në botë janë përgjegjëse për afro dy të tretat e emetimeve globale të CO2 nga fluturimet e pasagjerëve. Aeroportet evropiane, sipas analizës, prodhojnë më shumë emetime sesa të gjitha aeroportet e Amerikës Latine, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së bashku.

Organizatat mjedisore paralajmërojnë se zgjerimi i aeroporteve dhe shtimi i kapaciteteve ajrore po e vështirëson arritjen e objektivave klimatike. Denise Auclair nga T&E deklaroi se vazhdimi i investimeve në një sektor të varur nga karburantet fosile vetëm sa e thellon krizën klimatike dhe rrit varësinë energjetike.

Ndërkohë, studiuesi Sam Pickard nga ODI Global tha se aviacioni është një nga sektorët e rrallë që ka vazhduar të rrisë emetimet edhe pas Marrëveshjes së Parisit në vitin 2015. Ai kritikoi planet për zgjerim aeroportesh duke i quajtur “premtime të pamjaftueshme” përballë krizës klimatike globale.

Nga ana tjetër, Heathrow reagoi duke deklaruar se aeroporti ka një plan të qartë për të arritur neutralitetin klimatik dhe se çdo zgjerim do të respektojë objektivat ligjore të Mbretërisë së Bashkuar për karbonin, cilësinë e ajrit dhe zhurmën.

Raporti pritet të shtojë debatin ndërkombëtar mbi të ardhmen e aviacionit dhe presionin ndaj qeverive për të balancuar zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit./BBGreenKosova

Burimi: Euronews

Leave a Reply