Si na paralajmëroi një dokumentar i vitit 1981 për ndryshimin e klimës?
Mbrëmjen e 8 dhjetorit 1981, transmetuesi i vetëm televiziv komercial i atëhershëm në Mbretërinë e Bashkuar, ITV, transmetoi një dokumentar mbi ndryshimin e klimës, të quajtur Warming Warning.
Kjo ishte ndoshta hera e parë që një nga stacionet më të mëdha televizive transmetoi një dokumentar kushtuar ndryshimeve klimatike të bëra nga njeriu.
Nga premiera e tij e deri para disa vitesh, ky film u mbajt në arkiv dhe nuk u pa nga një numër i madh i njerëzve. Mirëpo, aji përfaqëson një pasqyrë të njohurive që shkencëtarët kishin për ndryshimin e klimës gati 40 vjet më parë dhe, siç do të keni mundësinë të shihni, ajo tashmë ishte mjaft e zhvilluar në qarqet shkencore.
Në ditën e shfaqjes, “Times” e përshkroi filmin si “një dokumentar në lidhje me pasojat serioze që ndotja jonë e dioksidit të karbonit do të lërë në klimë”, duke shtuar se “shkencëtarët shqetësohen se Toka e mesit të shekulli (XXI) do të jetë dy gradë Celsius më e ngrohtë, që do të ketë pasoja katastrofike për rajonet polare.”
Në videon më poshtë mund të shihni një nga skenat nga filmi Warming Warning.
Warming Warning tregon rritje të vazhdueshme të dioksidit të karbonit në atmosferë që nga viti 1958. Në kohën e filmimit, përqendrimi i këtij gazi ishte 338 ppm, me një rritje të llogaritur prej shtatë përqind gjatë 23 viteve kur u kryen matjet. Në gusht të vitit 2020, ky numër ishte 412.55 ppm, që do të thotë se shpejtësia me të cilën “injektonim” dioksidin e ri të karbonit në atmosferë u rrit.
Në film, shkencëtarët paralajmërojnë për pasojat e dëmshme të përdorimit të qymyrit dhe lëndëve djegëse fosile. Ata gjithashtu tregojnë se shumë kohë para se të gjitha rezervat e qymyrit të konsumohen, kufiri i pranueshëm i dioksidit të karbonit në atmosferë do të tejkalohet tashmë.
“A është planeti yni që të mund të eksperimentojmë me të? Nuk mendoj kështu. Mendoj se kemi një detyrë të madhe ndaj brezave të ardhshëm, të cilën nuk po e përmbushim për momentin”, thotë një nga shkencëtarët.
Filmi përfundon me fjalët: “Njeriu ka treguar se ka aftësinë të ndryshojë një nga sistemet e mëdha natyrore të botës. Prania jonë po ndryshon planetin. Industria jonë tani është bërë pjesë e klimës – një ndërhyrës i ri që prish sistemin e vjetër. Grupet e vogla të shkencëtarëve që me të vërtetë e kuptojnë mënyrën se si po ndodhin ndryshimet klimatike tani na kanë paralajmëruar me gjuhë të matur për sfidat me të cilat përballemi “.
Sot, gati 40 vjet pasi ky dokumentar pa dritën e diellit, njerëzimi po përballet me të vërtetë me një krizë klimatike, me pasojat e ndryshimit të klimës tani të dukshme për qytetarët e zakonshëm përmes zjarreve shkatërruese të pyjeve, valëve të nxehtësisë, shkrirjes së akullnajave, thatësirave, stinëve të uraganeve dhe ndryshimet e regjimit të reshjeve.
Zgjidhja për atë që ishte parashikuar në Warming Warning, e që vetëm kohët e fundit është pranuar më gjerësisht, tingëllon e thjeshtë në teori – emetimet e gazeve serrë duhet të zvogëlohen, megjithatë nevojitet planifikim serioz dhe, më vonë, respektimi i planeve globale për ta arritur atë qëllim.
Shkencëtarët dinë për ndryshimin e klimës shumë kohë para vitit 1981.
Që nga punimet e Eunice Foot dhe John Tyndall nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të është e njohur se dioksidi i karbonit ka aftësinë për të “thithur” nxehtësinë dhe se ekziston mundësia e një rritjeje të temperaturës nëse përqendrimi i këtij gazi rritet në atmosferë.
Në fund të shekullit të 19-të, kuptimi i ndikimit të përqendrimit të dioksidit të karbonit në klimën e Tokës u përmirësua nga shkencëtari suedez Svante Arenius dhe në 1938, ndërsa Guy Calendar ishte i pari që tregoi me anë të analizës së vëzhgimit se temperatura mesatare e planetit rritet, si edhe përqendrimi i CO2-shit.
Dokumentari i vitit 1981 mdaje nuk është as paralajmërimi i parë për ndryshimin e klimës në televizion. Më poshtë mund të shihni një pjesë të filmit arsimor të vitit 1958, i cili gjithashtu flet për pasojat e djegies së pakontrolluar të lëndëve djegëse fosile./bbgreenkosova
Burimi: Carbonbrief.org
Foto: Screenshot