Ehinaceja, stimuluese e fuqishme e sistemit imunitar

Bimët

Në natyrë rritet në Amerikën Veriore, ndërsa në Evropë është sjellë në shekullin XVIII

E quajtëm Ehinaceja, sipas emrit latin të gjinisë së saj, sepse ka disa lloje. Shqip gjetëm një emër për një lloj të saj – Rudbekia e kuqe dhe një tjetër Sheriboja, por nuk kemi njohuri për gjerësinë e përdorimit të këtyre emrave. Le të mbështetemi te emrin shkencor i saj, Echinacea.

Ehinaceja është gjini e familjeve barishtore shumëvjeçare nga familja e kompoziteve (Asteraceae). Rrënja është cilindrike, kërcelli vertikal dhe bosh. Gjethet e alternuara, të gjata e leshatuke. Lulet janë të trëndafilta apo të bardha, petalet me moshë lakohen kah ana e poshtme. Mund të rritet deri 1,20 m lartësi. Lulëzon nga prilli deri në shtator.

Në natyrë rritet në Amerikën Veriore, ndërsa në Evropë është sjellë në shekullin XVIII.

Se është shëruese e kanë ditur qysh indianët amerikanoveriorë, ndërsa sot kjo bimë përdoret anembanë botës. Ka varietete të ndryshme të bimës, të cilat përdoren si bimë dekorative.

Kultivimi.– Kërkon vend me diell dhe truall të kulluar dhe të mirë. E duron thatësinë, është e pandjeshme në acar. Shumëzohet me rrënjë të prera në vjeshtë apo me fara në pranverë. Më së miri është të mbillet në mars e prill në hapësirë të mbyllur e astaj të rimbillet. Për të mbirë më shpejtë i nevojitet stratifikim, farën e përziejmë me zallë të lagësht, e vëmë në thes plastike dhe e mbyllim. Rëndom mbinë për 10-20 ditë në temperaturë deri 25 gradë Celsius.
Vitin e parë e zhvillon gëmushën, vitin e dytë fillon të lulëzojë. Në dimër e tërë pjesa mbitokësore e bimës vdes, ndërsa në pranverë nis me vegjetacion.

Përdorimi.– Ka efekt të fuqishëm stimulues në sistemin imunitar dhe është shumë e dobishme për forcimin e organizimit ndaj infeksioneve. Përdoret kundër të ftohurit dhe gripit, sidomos në mënyrë preventive në sezonin e gripit dhe të infeksioneve tjera.

Tinktura – 4 – 6 herë në ditë, gjatë një jave.

Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply