Pyjet po vuajnë nga ndotja, shpyllëzimi dhe prerja ilegale

Degradimi i natyrës, Më të rejat

Gjelbërimi i Kosovës përfaqëson rreth 25% të florës së Ballkanit dhe të Europës

E. Thaqi

Pyjet e Kosovës kanë një faunë dhe florë të gjerë që ka shumë rëndësi për të gjithë rajonin e Ballkanit. Gjelbërimi ynë përfaqëson rreth 25% të florës së Ballkanit dhe asaj të Europës

Rajoni me shumë llojshmërinë më të lartë është rajoni i Maleve të Sharrit, Bjeshkët e Nemuna dhe Alpet Shqiptare. 

Pyjet e Kosovës janë thesari më i çmuar i vendit duke e falenderuar relievin tonë, hidrografinë dhe klimën. Pyjet e Kosovës përmbajnë bimë shumë të rëndësishme, dhe janë vendstrehim për kafshët.

Pyjet e Kosovës përbëjnë 41 përqind të të gjithë territorit të vendit. Territori me më shumë pyje gjendet në Jugperëndim, në vende si Peja, Deqani, Juniku dhe Gjakova. Përkundër që pyjet janë të mbrojtura edhe me kushtetutë ato vazhdojnë të digjen nga zjarret, të  dëmtohen nga ndotja dhe hedhja e mbeturinave. Mbetet më shqetësuesja prerja ilegale e pyjeve.

Pyjet janë burim kryesor për prodhim të oksigjenit, biomasës tokësore. Ato na ruajnë nga erërat, stuhitë, rrëshqitjet e tokës dhe erozionet. Pjesa më e madhe e pyjeve janë publike, dhe në përgjithësi pyjet përmbajnë bimë halore.

Për BB Green Kosova ka folur kryetari i Asociacionit të Pronarëve të Pyjeve Private të Kosovës, Bashkim Gashi i cili tregon se si pyjet në shumë aspekte na ndihmojnë.

”Pyjet ofrojnë strehë , janë burim i ushqimit, medicinës dhe ujit të pastër, ato ofrojnë një gamë të gjerë të shërbimeve mjedisore, duke e përfshirë konzervimin e biodiversitetit, furnizimin me ujë, sekuestrimin e karbonit, kontollojnë vërshimet, mbrojnë tokën nga erozioni dhe shkatërrimi. Pyjet luajnë rol vital në ekzistencën dhe mirëqenjen e të gjithë njerëzve në botë.  Pyjet nuk i kemi trashëguar nga gjeneratat e më hershme me qëllimin që t’i shfrytëzojmë deri në keqpërdorim”.

Gashi tha se pyjet i kemi marrë hua, me qëllim që t’i përdorim dhe t’i lëmë në një gjendje edhe më të mirë se sa që i kemi trashëguar.

Pyjet janë ekositeme të ndërlikuara që përmbajnë biodiversitet, biodiversiteti është i rëndësishëm për shumicën e aspekteve të jetës sonë. Ne e vlerësojmë biodiversitetin për shumë arsye, disa utilitare, disa të brendshme.  Këto ekosisteme përfshijnë shumë nevoja themelore që njerëzit marrin nga biodiversiteti si ushqimi, karburanti, strehimi dhe ilaçet. Gjithashtu, ekosistemet ofrojnë shërbime thelbësore si pjalmimi, shpërndarja e farës, rregullimi i klimës, pastrimi i ujit, qarkullimi i lëndëve ushqyese dhe kontrolli i dëmtuesve bujqësorë. 

Biodiversiteti gjithashtu ka vlerë për përfitimet e mundshme që nuk janë njohur ende, siç janë ilaçet e reja dhe shërbime të tjera të panjohura të mundshme. Por në Kosovë, këto ekosisteme dhe po këto biodiversitete po dëmtohen masivisht, nga shpyllëzimi, zjarret dhe ndotja e madhe.

Mijëra hektarë pyje prehen ilegalisht çdo vit në Kosovë, dhe pyjet e Dukagjinit janë ndër më të shkatërruarat në vend. Dëmtimi i tyre bëhet në mënyrë të vazhdueshme. Shumë familje të shtyra nga gjendja e rëndë sociale, prerjen ilegale të pyjeve dhe shitjen e tyre e kanë si të vetmin burim të mbijetesës. Mirëpo, dëmtimi më i madh shkaktohet kryesisht nga kompanitë e ndryshme të cilat i prejnë pyjet për arsye të tyre të prodhimit.

Kryetari i APPPK-së Bashkim Gashi tha për BB Green se : “Armiku kryesor i pyjeve janë prerjet e pa rregullta, të cilat kalojnë shifrën me rreth 90 %, zjarret pyjore që janë të përvitshme, ndërtimi i hodrocentraleve pa kritere, ndërtimi i autostradave pa krijuar ura ndërlidhëse në mes të dy anëve të rrugës në mënyrë që të qarkullojë bota shtazore dhe bimore”, tha Gashi. 

Në Kosovë pyjet më së shumti prehen për t’u shfrytëzuar për ngrohje, por një pjesë e tyre prehet edhe për prodhim. Përveç prerjes dhe djegies, pyjet në Kosovë janë të mbushura deri në grykë me mbeturina. Të gjithë e dimë se pyjet në Kosovë janë viktimë e hedhjes së mbeturinave, qoftë nga banorët që jetojnë afër, qoftë nga hedhja e mbeturinave nga turizmi, nga personat që bëjnë piknik në pyje, apo hedhjet masive industriale.

Gashi tha se: “Nëse pyjet ofrojnë aq shumë shërbime për ne, atëherë edhe ne jemi në borxh ndaj tyre dhe duhet tju kthejmë të mirat, sepse pyjet janë jetë”.

Duke marrë parasysh rëndësinë e ekosistemit pyjor në vendin tonë, dhe masat e vogla që merren për t’i mbrojtur, edhe banorët e Kosovës duhet të jenë më të vetëdijësuar në marrëdhënien e tyre me mjedisin. Duhet të ulen prerjet ilegale, që në fakt bëjnë më shumë dëm se të mira, duhet të ndalohet hedhja e mbeturinave në natyrë, i cili është një gjest tronditës duke e menduar se po ata që gjuajnë mbeturina e shfrytëzojnë atë natyrë për bukurinë dhe efektin e saj në shëndetin dhe jetën tonë, sidomos në vende malore me më shumë turizëm.

Njeriu në të gjitha rastet në mënyrë te direkte ose indirekte është ai që i bënë dëm natyrës dhe vetvetes, dhe njeriu është ai që mund të e përmirësojë atë. /BB Green Kosova/

Foto: bbgreenkosova

Leave a Reply