Ushqerza e rëndomtë mjaltësjellëse e shkëlqyeshme

Bimët

Në enciklopedinë shqiptare është e shënuar si ushqerza e rëndomtë, ndërsa emrin shkencor e ka Echium vulgare L.

Emri latin e gjinisë Ecium rredh nga fjala greke echis (gjarpër helmues), që sipas literaturës është term i cili një kohë e ka shënuar ndonjë bimë e cila është përdorur kundër kafshimit të gjarprit, e më vonë ky emër, kur është shfaqur nevoja për taksonomi, për shkak të ngjashmërisë së petales së lules me kokën e gjarprit i është dhënë këtij lloji.

Ushqera e rëndomtë, pra, është nga ato që nuk kanë të bëjnë me gjarprin. Është bimë dyvjeçare apo shumëvjeçare nga familja Boraginaceae. Rrënja është e zhvilluar mirë, e gjatë, vertebrore, e degëzuar kah fundi. Kërcelli është vertikal apo i lakuar, i tëri i mbuluar me gjemba të ashpër, në bazë i degëzuar dhe rritet deri 100 cm lartësi. Ka gjethe të shtrira ovale deri në formë heshtake, me renditje të alternuar, leshatuke, shkurt të mbrehtë, buzëplotë, në fund të ngushtuar në bisht. Gjethet përdhese janë të tubuar në rozetë, të gjatë deri 15 cm, me nervin e mesëm të theksuar. Lulet janë të ndërtuara nga kupa, e cila ka 5 prerje jo të barabarta dhe dyfish është më e shkurtër se kurorëza, kurorëza është e gjatë rreth 1,5 deri 2 cm, e përbërë prej petaleve të paluara si hinka prej të cilave dalin disa thekë të kuqrremtë, me gjatësi të ndryshme. Është interesante se ngjyra e petaleve ndryshon varësisht prej pH-së së lëngut qelizor. Kështu, deri sa bima është e re dhe deri sa lëngu qelizor është i thartë, petalet marrin ngjyrë rozë ndërsa kur bëhet alkalin ngadalë kalojnë në të kaltër. Lulëzon nga prilli në shtator. Frutat janë arrëza njëfarore në formë trekëndore.

Vendbanimi.– Në natyrë është e përhapur në rajonin e Evropës jugore dhe të mesme dhe Azi perëndimore. Vendbanime të saj janë livadhet e thata, tokat e papunuara, skajet e rrugëve. Shumohet me fara. Mund të rritet në tokë të cilësisë së ulët, e mbjellur njëherë shumohet me sukses vetvetiu pastaj. Për shkak të rrënjës së zhvilluar mirë e duron mirë thatësinë.

Është bimë e shkëlqyeshme mjaltsjellëse, bletët mbledhin shumë nektar e pak polen. Mendohet se është më e mirë për mjalt kur lulja është e kuqe. Nektari ka koncentrim sheqeri prej 30-40%. Rendimenti ditor mund të jetë deri 8 kg mjaltë në ditë për koshere, rendimenti i përgjithshëm në sipërfaqe prej 1 ha është rreth 700 kg mjalti.

Përdorimi.– Hahen gjethet e reja të pranverës dhe kërcejt, mblidhen para zhvillimit të luleve. Janë të pasur me vitaminë C, karoten dhe vitaminë E, përgatiten me zierje si spinaqi. Farat përmbajën rreth 30% vaji yndyror.

Lloje të ngjashme. – Prej disa llojeve të shqerzës së rëndomtë të cilat rriten ndër ne më e rëndësishmja është ushqerza dellëzore (Echium plantagineum). Ajo në kohë të fundit ka fituar rëndësi të madhe për shkak të përbërjes kimike dhe prej farave të saj fitohet vaji i çmuar bimor, i cili gjen përdorim në kozmetikën natyrale./bbgreenkosova

Burimi: Literatura profesionale
Foto: BB Green Kosova

Leave a Reply