Danubi nga aty më nuk rrjedh i kaltër

Degradimi i natyrës

Rreth 190 milion metra kub ujëra të zeza – ekuivalenti i 60,000 pishinave olimpike – hidhen nga Beogradi në lumë çdo vit.

Jo shumë larg nga qendra historike e Beogradit, një derë hapet në mënyrë që kamionët të mund të arrijnë në brigjet e Danubit, ku shkarkojnë mbeturinat e kanalizimit në njërin nga lumenjtë e preferuar të Evropës, shkruan Yahoo News.

Nuk është ky një operacion sekret, por askujt nuk i pëlqen të flasë shumë për këtë në kryeqytetin serb – të vetmin ku ujërat e zeza të pafiltruara derdhen direkt në lumin e dytë më të madh të Evropës.

Një erë e rëndë ngrihet mbi lëngun kafe që derdhet në shtratin e lumit, një pamje krejt tjetër nga ajo që frymëzoi Johann Straussin për të shkruar valsin e tij të famshëm Në Danubin e kaltër të bukur.

Peshkatarët që jetojnë nga peshkimi nga lumenjtë Danub dhe Sava, të cilët bashkohen pranë kalasë së vjetër të Beogradit, e konsiderojnë këtë praktikë të përditshme një katastrofë të plotë.

“Po më qahet, por askujt nuk mërzitet”, thotë peshkatari Dragolub Ristiq (59).

Rreth një e treta e Beogradit, një qytet me 1.6 milion banorë, nuk është i lidhur me sistemin e ujërave të zeza, por mbështetet në gropa septike, që zbrazen në kamionë direkt në lumë.

Të tjerët shkarkojnë ujëra të zeza të pa filtruara në lumë përmes rreth njëqind kanaleve kulluese.

Rreth 190 milion metra kub ujëra të ndotur – ekuivalenti i 60,000 pishinave me madhësi olimpike – hidhen në lumë çdo vit, sipas ministres së infrastrukturës Zorana Mihajloviq.

“Asnjë qytet i madh evropian nuk kryen një krim të tillë kundër lumit të vet,” tha nënkryetari i Beogradit Goran Vesiq, i cili bën thirrje për një sistem të duhur të trajtimit të ujërave të zeza.

Danubi buron Gjermani dhe për 2,850 kilometra kalon nëpër nëntë vende deri në grykëderdhjen e Detit të Zi.

Në vitin 2019, një grup shkencëtarësh austriakë vunë re praninë ‘kritike’ të bakteries E.coli në pjesën serbe të lumit, ndërsa ekspertët thonë se është kjo shenjë e niveleve të larta të ndotjes organike.

Nëse një ujë i tillë hyn në traktin tretës të njeriut, do të shkaktonte infeksione, thotë Igor Jezdimiroviq nga OJQ-ja Inxhinierët e mbrojtjes së mjedisit.

Falë madhësisë dhe forcës së tij, Danubi kryesisht pastron veten me sukses, thotë Bozho Dalmacija, profesor i kimisë dhe ekspert kryesor për cilësinë e ujit në Serbi.

Pjesën më të madhe të vitit, sasia e baktereve nuk i kalon 500 mikrogramë për mililitër, që është një nivel që nuk paraqet rrezik për shëndetin.

Ata që kalojnë jetën e tyre në lumë thonë se tashmë kanë vërejtur ndryshime me akumulimin e mbeturinave në shtratin e lumit.

Dhe ndërsa ende nuk ka studime shkencore mbi këtë temë, peshkatarët thonë se ujërat e zeza kanë ndikuar në larminë e peshqve të kapur në rrjetat e tyre.

Peshqit e dimrit po bëhen më të rrallë, ndërsa peshqit që lëvizin dhe ushqehen në fund, si mlyshët, janë më të zakonshëm.

“I vramë të gjithë lumenjtë tanë, do ta vrasim edhe këtë,” thotë peshkatari Mladen Joviq (59).

‘Danubi është një lumë shumë i fortë dhe i fuqishëm që arrin të pastrojë vetveten, por nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë përgjithmonë.’

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shpreson të bashkohet me komunitetin deri në 2025.

Çështja mjedisore është një nga pengesat kryesore dhe vendit i duhen deri në pesë miliardë euro investime për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme mjedisore.

Serbia tashmë ka thënë se nuk do të jetë në gjendje të përmbushë kërkesat dhe ka propozuar një periudhë kalimtare prej 11 vitesh pas bashkimit me BE-në.

“Kjo nuk mund të bëhet për pesë vjet, por ne jemi vonë”, thotë Dalmacija.

Në fund të korrikut, presidenti Aleksandar Vuçiq njoftoi se 70 komuna në të gjithë vendin do të kenë impiante të trajtimit të ujit dhe sisteme kullimi.

Por, nuk ka pasur asnjë lajm të ri që nga ajo kohë, ndërsa ministria e mjedisit nuk pranoi të komentojë rastin dhe të sqarojë se kush duhet ta financonte projektin.

“Me buxhetin aktual, ne thjesht nuk mund ta bëjmë këtë,” thotë Dalmacija. “Ndoshta Vuçiq ka disa informacione të reja.”

Por ky nuk ishte njoftimi i parë i tillë. Pesë vjet më parë, nënkryetari i Bashkisë së Beogradit u zotua se sistemi i kanalizimeve të qytetit do të përfundojë deri në vitin 2020, një afat që është zgjatur dy herë në ndërkohë: në 2025 dhe së fundmi në 2029.

Në janar, autoritetet e qytetit të Beogradit nënshkruan një marrëveshje me China Machinery Engineering Corporation (CMEC) për të filluar ndërtimin e një impianti për filtrimin e ujërave të ndotura, por ndërtimi nuk ka filluar ende, sepse Serbia së pari duhet të sigurojë para për projektin.

Jezdimiroviq nga Shoqata për mbrojtjen e mjedisit mezi po pret rezultatet.

‘Siç thonin pleqtë tanë: vepra, jo fjalë.’/bbgreenkosova

Burimi: Yahoo News
Foto: AFP

Leave a Reply