Ngjala, një lloj i rrezikuar nga zhdukja në Kosovë

Degradimi i natyrës

Dikur popullata e ngjalës ka qenë mjaft e dendur në lumin Drini i Bardhë, ndërsa sot, për shkak të ndërtimit të pendës në anën e Shqipërisë, si dhe për shkak të ndryshimeve klimatike, është në rënie rapide

Ngjala (lat. Anguilla anguilla), njëri ndër llojet më interesante të botës së gjallë. E njohin pershkatarët, por edhe nxënësit e mbajnë mend për shkak të një kurioziteti të këtij lloji: të gjitha ngjalat e botës udhëtojnë drejt detit të Sargasit, në oqeanin Atlantik, për t’i bërë vezët dhe për të vdekur. Larvat e reja kthehen përsëri në Evropë, duke shfrytëzuar rrymën e Golfit, ndërsa rruga zgjat 7-11 muaj, ndonjëherë edhe deri 3 vjet. Me të arritur në cak, e ndërrojnë pamjen dhe ngjalat e vogla hyjnë në ujëra të ëmbla, në delta e në lumej.

Jeton edhe në Kosovë, apo, për fat të keq gati se mund të thuhet se ka jetuar, për shkak se vlerësohet si lloj skajshmërisht i rrezikuar. Në terminologjinë profesionale kjo do të thotë se përballet me një rrezik jashtëzakonisht të lartë të zhdukjes në natyrë.

Në Librin e kuq të faunës së Republikës së Kosovës përshkruhet si lloj tipik migrator, me migrim
katadromik. Është lloj territorial dhe vetmitar. Është peshk grabitçar, që ushqehet me një spektër të gjerë të ushqimit dhe kjo i mundëson të jetojë në kushte të ndryshme ekologjike dhe me një përhapje të madhe gjeografike. Mund të arrijë gjatësinë deri në 122 cm. Ka të dhëna se mund të arrijë moshën deri në 88 vjet.

Jeton në vende ujore kontinentale të Evropës e Afrikës veriore, si: lumenj, përrenj, përroska, të përhershme (përfshirë ujëvarat). Ky lloj është karakteristik për ujërat e ëmbla, por mund të haset edhe në mjedise detare. Zakonisht gjendet vetëm në ato ujëra të ëmbla të cilat janë të lidhura me sistemet detare, ku migron për t’u shumuar.

Ngjalat gjithnjë e më të pakëta: Lumi Drin (Foto: BB Green Kosova)

Në Kosovë haset në lumin Drini i Bardhë, te Ura e shenjtë dhe në Mirushë. Por, sipas profesores Linda Grapci Kotori, trendi i popullatës së saj është në rënie.

“Dikur popullata e ngjalës ka qenë mjaft e dendur në lumin Drini i Bardhë, ndërsa sot, për shkak të ndërtimit
të pendës në anën e Shqipërisë, si dhe për shkak të ndryshimeve klimatike, është në rënie rapide”, ka vlerësuar znj. Grapci Kotori.

Faktorët kryesorë, që e kërcënojnë këtë lloj, kanë të bëjnë me ndërtimin e pendave, menaxhimin dhe përdorimin e ujit, ndotjen me mbeturina të ngurta dhe thatësitë.

Aq më e ndjeshme është zhdukja eventuale e këtij lloji, meqë prania e tij është tregues i cilësisë së njëmendtë të habitatit dhe mbrojtja eventuale e llojit siguron efekt mbrojtës për lokalitetin/lokalitetet ku gjendet dhe për llojet e tjera të pranishme. Prandaj edhe propozohen veprime të nevojshme për konservim, si: mbrojtja e tokës/ujit, mbrojtja e lokalitetit/zonës) si dhe zbatimi i ligjit./bbgreenkosova

Burimi: Libri i kuq i faunës i Republikës së Kosovës
Foto: aquasymbio.fr
, BB Green Kosova

Leave a Reply