Shkencëtarë të shquar: Paracelsusi, botanisti e mjeku i Renesancës
Botanist i renesansës, mjek, alkimist e astrolog. Për shkak të karakterit të rebeluar dhe teknikave revolucionare të shërimit është quajtur Lutheri i mjekësisë. Për shërim ka përdorur bimët, por po ashtu edhe metalet (zhivën, bakrin, hekurin, argjendin, sulfurin).
Ka lindur në vitin 1493 si Phillip von Hohenheim në fshatin Einsiedeln pranë Zurichut. Babai i tij ka qenë kimist e mjek gjerman. Nëna i ka vdekur kur i kishte nëntë vjet. Rrethanat familjare nuk i kishte më të mirat, por babai ia ka përcjellë dijen mjekësore aq sa ka ditur.
Në moshën 16-vjeçare regjistrohet në universitetin në Basel, ku ka studiuar mjekësinë, kirurgjinë e alkeminë. Konsiderohet se në universitet në Ferrarin italian ka arritur doktoratën dhe atëherë emrin e ka ndryshuar në Paracelsus, që do të thotë “ai që është afër Celsusit”. Aulus Cornelius Celsus ka qenë eknciklopedist romak në shekullin e parë, i cili është i njohur për veprën e tij De Medicina, që është vepra më e rëndësishme e mjekësisë në epokën romake ndërsa konsiderohet si pjesë e vetme e ruajtur e një enciklopedie shumë më të madhe.
Ka udhëtuar nëpër tërë Evropën dhe në Azi deri në Indi e Tibet ku ka dashur të mësojë nga secili, qoftë person me arsim akademik apo gjyshe falltore, plaçkitës apo endacak. Përvojë të mëtejshme dhe dije praktike ka arritur duke mëkuar plagët në disa ushtri mercenare.
Pasi është kthyer ka qenë larg i njohur dhe është ftuar në Basel për ta shëruar Erazmon e Roterdamit. Duke iu falënderuar shërimit të suksesshëm dhe rekomandimit të Erazmos është emëruar mjek i qytetit dhe është shpallur doktor në mjekësi dhe ka fituar të drejtën për të ligjëruar në universitetin e atjeshëm.
Mësimet e tij i ka mbajtur në gjermanisht e jo në latinisht dhe në ligjërata ka ftuar njerëz të rëndomtë në mënyrë që dijen t’ua përcjellë një numri sa më të madh njerëzish. Po ashtu në ligjërata ka veshur përparësen e alkimistit në vend të petkun akademik, me çka i ka hidhëruar kolegët e tij. Publikisht e ka djegur Canon medicinae të Avicenës, i cili në atë kohë ka qenë libër shkollor për mjekët, po ashtu e ka hedhur poshtë traditën e mjekësisë e cila ka rrjedhur nga Galeni. Ka menduar se duhet hulumtuar e eksperimentuar e jo vetëm të ndiqen dijet e vjetra. Me sjelljen e tij i ka zemëruar parinë dhe është detyruar ta braktisë Baselin.
Ka konsideruar se substancat e helmueshme në doza të mëdha mund të jenë të dobishme në doza të vogla, gjë që e ka dëshmuar në shembullin e magnetizmit dhe elektricitetit statik, ku një magnet i vogël ka mundur t’i tërheqë metalet e mëdha. Është e njohur thënia e tij ‘vetëm doza përbën helm’.
Me dijen e tij të kimisë e të mineraleve ka filluar t’i shërojë njerëzit për herë të parë me metodën e sotme shkencore. Zinkut ia ka dhënë emrin, ndërsa sifilisin e ka shëruar me zhivë. Thoshte se disa sëmundje të caktuara shkakun e kanë në problemet psikologjike, për çka psikologjia moderne oa njeh meritën se ka qenë ndër të parët. Po ashtu edhe se i pari e ka përdorur fjalën ndërdije.
Ka vdekur nga shkaku i panjohur në vitin 1541 në Salzburg./bbgreenkosova
Burimi: Biography.com
Foto: Wikimedia Commons