Djegia e hamulloreve “vret” tokën dhe ndotë mjedisin
Kur djeget biomasa krijohet sasi enorme e dioksid karbonit, që ndikon në klimën në nivel lokal ose regjional
Edhe këtë verë dukuria e djegies së hamulloreve, pas korrjes së grurit, vazhdoj pa u penguar fare. Të shumta janë sipërfaqet e djegura gjithandej vendit. Ekspertë të bujqësisë pohojnë se djegia e hamullorëve është tejet e dëmshme, pasi dëmton florën, faunën, ulë produktivitetin e tokës dhe ndotë edhe mjedisin.
Pas përfundimit të korrjes së grurit, edhe këtë vit, si zakonisht, në pjesë të ndryshme të vendit, bujq e jo vetëm, ua vënë flakën këtyre sipërfaqeve. Që nga korrja e grurit, këto raste nuk janë të pakëta. Ky veprim, përveç se mund të rrezikoj jetën e njerëzve apo edhe pronat, është i dëmshëm edhe për tokën dhe botën shtazore, pohon profesori universitar i bujqësisë, Shukri Fetahu.
Fetahu thotë se: “Kashta dhe mbetjet që mbesin pas korrjes së grurit ka mikroorganizma të dobishëm dhe me rastin kur ndezen hamulloret, djeget biomasa që mbetet, por edhe cdo gjë që është e gjallë në tokë. Kështu, materia që do të kthehej në materie ushqyese djeget edhe humbet. Kjo e varfëron dhe zvogëlon pjellurinë e tokës”, tha ai.
Fetahu thotë se djegia e hamulloreve pas korrjes së grurit është veprim i cili përsëritet ndër vite. Ai shton se bujqit duke menduar se po i bëjnë mirë tokës, po e varfërojnë atë dhe ndotin edhe mjedisin. “Kur djeget biomasa krijohet sasi enorme e dioksid karbonit, që ndikon në klimën në nivel lokal ose regjional. Prandaj, në asnjë mënyrë fermerët nuk duhet të djegin hamulloret, por edhe organet e shtetit nuk duhet t’i lejojnë bujqit që ti djegin hamulloret”, tha ai.
Profesori i bujqësisë, Shukri Fetahu tegon se marrë parasysh dëmet që i shkaktohen tokës dhe mjedisit, djegia e hamulloreve është e ndaluar në shumë shtete të botës. Edhe zjarrvënia e qëllimshme është e ndaluar, madje në Kodin Penal parashihet dënim me burg për ata që me zjarrvënie kryejnë vepër penale. Qytetarët që shohin zjarre në fusha a male ose ballafaqohen me to në pronat e tyre, mund të raportojnë për shuarjen e tyre në numrin 112.
Teksti, Pajtim Çuni /Radio Kosova
Fotografia, Arian Mavriqi