Produkti i cili i vizualizon të dhënat e cilësisë së ajrit në kohë reale
Dizajneri kinez Huachen Xin ka krijuar produktin “Pollution Ranger and Smog Shade”, një instalim që monitoron dhe vizualizon nivelet e ndotjes së ajrit në qytete.
Pollution Ranger është një monitor i vetë-fuqizuar i cilësisë së ajrit që vendoset në çatinë e një taksi ose makine Uber dhe mbledh të dhëna për nivelet e ndotjes. Ky informacion pastaj transmetohet në Smog Shade, një disk transparent në një kornizë rrethore alumini që bëhet i errët nëse zbulohen nivele më të larta të ndotjes në qytet.
“Njerëzit kanë të drejtë të dinë cilësinë origjinale të ajrit që është rreth tyre,” tha Xin Dezeen gjatë një interviste.
“Bazuar në këto të dhëna, ata mund të zgjedhin nëse duhet të lëvizin brenda ose jashtë vendit ku jetojnë aktualisht, veçanërisht njerëzit që kanë sëmundje të mushkërive,” shtoi ai.
Instalimi është përzgjedhur për Dezeen Awards 2020 në kategorinë e dizajnit të instalimit.
Xin, i cili është një i diplomuar në Kolegjin Mbretëror të Artit, vendosi të krijojë këtë sistem të vizualizimit të të dhënave në kohë reale në përgjigje të situatës së ndotjes së ajrit në Kinë. Disa qytete përfshirë Pekinin,janë të mbuluara me smog të shkaktuar nga ndotja që mund të shkaktojë sëmundje të rënda të frymëmarrjes.
Sipas një studimi në Lancet, rreth 1.24 milion vdekje në Kinë mund t’i atribuohen ndotjes së ajrit në 2017.
Ky produkt do të japë lexime më të sakta në lidhje me ashpërsinë e ndotjes së ajrit sepse është fiksuar në makina që udhëtojnë përgjatë rrugëve të zëna të qytetit.
Xin ka dizajnuar gjithashtu një aplikacion që do të lejonte përdoruesit të zgjedhin një qytet dhe të lexojnë të dhënat e cilësisë së ajrit për vende të ndryshme atë ditë.
Instalimi aktualisht është një prototip dhe është testuar në Londër dhe Shangai.
Shumë dizajnerë i janë përgjigjur problemit të përkeqësimit të ndotjes së ajrit. IKEA ka bërë një sërë perdesh që pastrojnë ajrin brenda një shtëpie dhe studioja e dizajnit NotAnotherOne bën monitorë të ndotjes së ajrit që vishen që testojnë dhe ndjekin nivelet lokale./bbgreenkosova./
Burimi: dezeen.com
Foto: Dezeen