Kosova me biodiversitet të pasur, por sa po e ruajmë?
Me florë shumëllojesh, ndërsa me faunën më të pasur në Gadishullin Ballkanik, biodiversiteti i Kosovës është begati e çmuar e saj. Por, gjatë dekadave të fundit kanë ndodhur ndryshime dramatike, vlerësojnë ekspertët, që do të duhej të jetë alarm i ndezur se nuk po kujdesemi për mbrojtjen e natyrës
Ndonëse vend i vogël, Kosova shquhet për biodiversitet të pasur. Kështu fillojnë rëndom njësitë mësimore apo studimet për shumëllojshmërinë e botës bimore dhe shtazore të Kosovës. Por, në Kosovë ka vetëm studime bazike për fusha të ndryshme të mjedisit dhe shumë të dhëna të tyre mund të jenë vjetruar shpejt. Për shkak se mjedisit në këtë vend i kushtohet shumë pak kujdes.
Gjatë tërë muajit gusht lumi Mirusha ka qenë i shteruar. Lumi Mirusha, i cili pak para derdhjes në lumin Drin kalon nëpër një kanion, duke krijuar 16 ujëvare e po aq liqene, është një fenomen i rrallë dhe një ndër mrekullitë natyrore të Kosovës. Por, ne jo vetëm që nuk e ruajmë Mirushën, por iu kemi vërsulur që ta dëmtojmë. Shkaku pse uji i lumit ka shteruar – siç u pa nga një debat i organizuar para sa ditësh nga shoqëria civile – është faktori njeri. Pse Ujëvarat e Mirushës janë shpallur Monument i natyrës me rëndësi të veçantë pak ka pasur rëndësi. Ata që e kanë parë ujin pranë ujëvares më të madhe kanë mbetur të trishtuar – ishte i zi sterrë. Pyetja më therëse është se çfarë ka ndodhur me biodiversitetin e këtij kanioni, i cili po ashtu vlerësohet si shumë i pasur? Çfarë po ndodh me biodiversitetin në tërësi në Kosovë?
Biodiversiteti, bazë e jetës
Biodiversiteti është bazë e jetës. Në dokumentet e Komisionit Evropian përkufizohet se ka të bëjë me shumëllojshmërinë e kafshëve, bimëve, habitateteve dhe gjeneve të tyre. Biodiversiteti, në interaksion me mjedisimin krijon ekosistemet, të cilat i mbështesin organizmat e gjallë – siç jemi edhe ne. Ne nuk mund të mbijetojmë pa botën natyrore dhe shpesh atë e marrin si të mirëqenë.
Biodiversiteti, sipas këtij burimi, është me rëndësi kryesore për shumë aktivitete të njeriut. Shumica e prodhimit të udhqimit është e mundur vetëm duke iu falënderuar begative natyrore si toka e pjellore dhe uji, si dhe bletët të cilat i polenizojnë bimët dhe pemët. Bimët e pastrojnë ajrin duke liruar oksigjenin dhe duke absorbuar ndotësit e dëmshëm.
Por, biodiversiteti është i kërcënuar në tërë botën. Bimët dhe kafshët po zhduken, dhe atë kryesisht si rezultat i veprimit të njerëzve. Sipas të dhënave të Listës së kuqe të llojeve të kërcënuara, mbi 30 për qind të llojeve të vlerësuara janë nën kërcënimin për zhdukje, ndërsa procesi i zhdukjes së llojeve në planet sot është një mijë deri dhjetë mijë herë më i shpejtë se sa ka qenë në kushtet natyrore. Një e katërta e gjitarëve janë të kërcënuar; çdo i katërti gjitar, çdo i treti ujëtokësor dhe çdo e teta shpezë është para zhdukjes. Këto të dhëna janë vërejtje alarmante që të ndërmerren hapa seriozë në mënyrë që ky trend të ndalojë dhe të zvogëlohet humbja e biodiversitetit – rrjetit të jetës në Tokë, prej të cilit varemi të gjithë.
Humbja e biodiversitetit nuk do të thotë vetëm humbje e bimëve dhe kafshëve të rralla. Kjo do të thotë që ekosistemet e tëra prodhojnë më pak dhe janë më të prekshëm nga goditjet e jashtme. Rezervat e peshkut mund të zhduken, toka pjellore mund të humbasë dhe popullatat e bletëve mund të zhduken.
Ekonomistët kanë llogaritur që ne humbasim gjëra nga natyra që i marrim falas me vlerë rreth 50 miliardë euro në vit. Nëse nuk bëjmë asgjë, humbja e biodiversitetit mund të na kushtojë 7% të PBB-së deri në vitin 2050.
Edhe ne e kemi hisen tonë të biodiversitetit në këtë planet dhe do të duhej të kemi edhe atë të përkujdesjes ndaj saj.
Hisja jonë në planet
Ndonëse vend i vogël, Kosova vërtet shquhet për një biodiversitet të pasur. Ndonëse ende nuk ka një inventar të plotë të biodiversitetit, vlerësohet se pozita gjeografike, faktorët gjeologjikë, pedologjikë, hidrologjikë, relievi dhe klima, kanë mundësuar që Kosova të ketë një shumëllojshmëri të pasur biologjike dhe peizazhore, me lloje relikte, endemike si dhe të llojeve me rëndësi të veçantë të florës e faunës.
Për shembull, nga 250.000 lloje bimësh me lule në botë e 11.415 sosh në Evropë, Kosova ka 1800 lloje, ndërsa mendohet se ka edhe më shumë sosh. Apo, nga 9.881 shpendë në botë, dhe 450 në Evropë, Kosova ka së paku 180 lloje.
Prej rreth 2.500 lloje të florës vaskulare, sa mendohet të ketë, 200 sosh janë endemike, endemorelikte dhe subendemike. Sidomos është i rëndësishëm grupi i endemikëve lokal, të cilat rriten vetëm në vende të caktuara në Kosovës e askund tjetër në botë, numri i të cilëve është ende i pa definuar plotësisht (dihet për katërmbëdhjetë lloje të florës vaskulare), disa prej te cilave kanë përhapje mjaft të kufizuar.
Gjatë periudhës 2005-2007, ekipet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, kanë vizituar shumicën e lokaliteteve të llojeve me karakter endemik dhe kanë bërë një vlerësim të gjendjes së tyre.
Vlerësimet më të shpeshta janë se “populacione të zhvilluara mirë por me areal të kufizuar”, “populacione të rrezikuara”, “e rrallë” apo “e rrallë (bimë stenoendemike e Kosovës andaj duhet domosdo të mbrohet me ligj), “populacione të rrezikuara”, “populacionet e saj janë të pakëta” etj.
Ndërsa, sa i përket faunës, Kosova vlerësohet si më e pasura në Gadishullin Ballkanik. Në territoret e pasura me faunë, si Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna, Kopaoniku, Mokna dhe masivet tjera malore, lumenjtë dhe liqenet, jetojnë mbi 250 lloje të egra të kurrizorëve si dhe numër i madh i pakurrizorëve (deri tani janë të njohura 200 lloje të fluturave, mbi 500 taksone të makrozoobentosit të ujërave).
Në kuadër të zonave të mbrojtura, ekzistojnë dy rezervate strikte në të cilat janë të mbrojtur dy lloje shtazore: i Rusenicës në komunën e Suharekës, vendbanim i rrëqebullit (Lynx lynx) dhe Kozhnjari në komunën e Deçanit, vendbanim i dhisë së egër (Rupicapra rupicapra).
Në kuadër të faunës vend me rëndësi zënë edhe shpezët me rreth 180 lloje, po ashtu, si edhe në rastin e florës, më së shumti të pranishme në Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit.
Në përrenj të shumtë të Bjeshkëve të Nemuna, me rrjedhje kryesore Lumëbardhin, të cilat nuk shterrojnë as në thatësitë më të mëdha, janë habitate të dy llojeve të troftës: troftës së përroit, Salmo trutta m. fario L. dhe Salmo marmoratus C. Në territorin e Sharrit, të cilin e karakterizojnë rrjedhjet e përroskave dhe lumenjve malor që i takojnë derdhjes së lumit Lepenc, që derdhet në detin Egje dhe derdhjes së lumit Bistrica e Prizrenit, në Adriatik jetojnë këto lloje të peshqve: trofta e përroskave (Salmo trutta m.faro L.), mustaku i përroskave (Barbus fluviatilis Ag.), ngjala (Anguilla vulgaris), mlyshi (Esox lucius), krapuliqi, krapi (Cyprinus carpio), perka (Perca fluviatilis). Sharri ka aq shumë shpendë, sa ekspertët sugjerojnë se duhet të mbrohet edhe si Ornitorezervat. Dhe gjithë këto nuk janë të tërat që mund të thuhen për pasurinë e florës dhe faunës së Kosovës.
Dallimi me Evropën
Në Librin e Kuq të Faunës të Republikës së Kosovës janë përfshirë gjithsejtë 306 lloje, prej të cilave për 90 sosh nuk ka të dhëna të mjaftueshme, gati të kërcënuara janë 80 lloje, të rrezikuara 24 lloje dhe skajshmërisht të rrezikuara 25 sosh. Ende ka mungesa thelbësore për një numër të madh të llojeve sa i përket të dhënave rreth popullatave, numrit të individëve, trendit të tyre dhe faktorëve që i kërcënojnë, ndaj ekspertët theksojnë se ky është një paralajmërim emergjent që të fillohet monitorimi i llojeve të tilla, në mënyrë që të vlerësohen për kategoritë e kërcënueshëmërisë, para se ato të rrezikohen në mënyrë të pakthyeshme prej rreziqeve antropogjene dhe të tjera. Fakti më pasqyrues për gjendjen e keqe të faunës së Kosovës duhet të jetë fakti se, deri sa për shumë lloje për të cilat në Evropë gjendja e tyre vlerësohet si “shqetësim i vogë”, në Kosovë për to thuhet se janë të rrezikuara apo skajsshmërisht të rrezikuara, duke shuqar kështu dallimin e madh mes gjendjes së mjedisit në Evropë dhe në Kosovë.
Por, pas asaj që ndodhi në Mirushë, vërtet pyetja që duhet shtruar me shqetësim është se çfarë, vërtet, ka mbetyr vetëm në libra, e çfarë në natyrë. Sepse, të vënit nën mbrojtje ligjore të një bime apo të një habitati pak gjë do të thotë në Kosovës. Mirusha e dëshmon këtë në shembullin më të dhimshëm. E dëshmon pylli Gërmia, në afërsi të Prishtinës, i cili, ndonëse është nën mbrojtje dhe sipërfaqja e mbrojtur është zgjeruar, nga disa vizita që i kemi bërë e siç kemi shkruar, ai po tkurret përditë nga druprerësit ilegalë, ndërsa shumë pjesë të tij janë shndërruar në deponi të vërteta të mbeturinave.
“Gjatë dekadave të fundit kanë ndodhur ndryshime dramatike sa i përket biodiversitetit”, kanë shkruar një grup profesorësh eminente, gjatë vlerësimit të gjendjes së këtij parku. Ndryshime dramatike, për fat të keq, kanë ndodhur gjithandej. Ndërtimet e pakontrolluara vazhdojnë tash e njëzet vite kahmos në Kosovë, lumejve të Kosovës u janë shkatërruar shtretërit nga eksploatimi i pashembullt për rërë dhe uji menaxhohet pa kriter.
Çfarë ka ndodhur me biodiversitetin e Bjeshkëve të nemuna, deri sa plani hapësinore i tyre, i gatshëm tash e shtatë vite, ende nuk është miratuar? Sigurisht, për të mbrojtur tajkunët e lidhur me pushtetin.
Çfarë mund të ndodhë me biodiversitetin, me tokën pjellore, deri sa pushtetet e Kosovës kanë investuar në asfalt, sepse tenderët në të, e edhe përfitimet e tyre, realizohen më lehtë, por jo edhe në impiante të ujërave të zeza, të cilat zbrazen në përroje e lumenj, duke shkatërruar gjallesat e tyre e duke ndotur tokën?
Në Kosovë lëre që nuk investohet në mbrojtje të mjedisit, por organet e pushtetit nuk e bëjnë as gjënë elementare: të intervenojnë kur ndodh ndonjë degradim i paligjshëm, si në rastin e Mirushës. Tash së fundi, shoqëria civile bën të ditur se qeveria është gati të zbusë kriteret për ndërtime, në mënyrë që të mbesin shumë ndërtime të bëra atje. Dhe, tërë kjo e ka një përgjigje të vetme: deri sa klasa politike e ka shkatërruar sistemin e drejtësisë, në mënyrë që pjesëtarët e saj të mbesin të paprekur pas abuzimeve, nuk është e çuditshme që gjëra të arrijnë deri aty sa të shkatërrohet edhe vetë burimi i jetës në këtë vend./DG/bbgreenkosova
Burimi: IMNK
Foto: BB Green Kosova
Ndërkombëtarisht të rëndësishme 86 lloje
Krahasuar me sipërfaqen që ka Kosova (afër 2.3%) në kuadër të Gadishullin Ballkanik mund të vijmë në një përfundim relativ dhe të themi se fitodiversiteti i Kosovës paraqet rreth 25 % të florës së Ballkanit dhe rreth 18 % të florës së Evropës. Për ilustrim po e përmendim vetëm një shembull: prej numrit të përgjithshëm të llojeve të bimëve vaskulare evidentuara në Malet e Sharrit (afro 1.800 lloje), 86 lloje janë shpallur ndërkombëtarisht të rëndësishme, 26 lloje janë të përfshira në Listën e Kuqe të Evropës, ndërsa sipas IUCN-së, 32 lloje që gjinden ne Malet e Sharrit janë në Listën e Kuqe të Bimëve të kërcënuara. Ndërsa vetëm në zonën subalpike dhe alpine të Alpeve Shqiptare (Bjeshkët e Nemuna) janë evidentuar 797 lloje te bimëve vaskulare, ku 128 prej tyre konsiderohen me karakter endemik (Millaku, F. 1999)./IKMN
Llojet më përfaqësuese të vendit
Pyjet e larta dhe ekosistemet malore të Kosovës ofrojnë kushte të volitshme për jetesën e popullatave të rëndësishme të gjitarëve të mëdhenj si: ariu i murrmë (Ursus arctos), rrëqebulli (Lynx lynx), kaprolli (Capreolus capreolus), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), pastaj të shumë llojeve të shpendëve grabitqare dhe këngëtare, mjaftë të rëndësishme për ornitofaunën e Kosovës, Ballkanit dhe Evropës. Shqiponja e maleve (Aquila chrysaetos), fajkoi thonj bardhë (Falco naummani), pulegra (Tetrao urogallus) janë disa nga llojet më përfaqësuese të vendit e të cilat kanë edhe status ndërkombëtar të mbrojtur. Ato gjenden në listën e IUCN-së (Unioni Botëror për Ruajtjen e Natyrës), EU-RL (Lista e kuqe Evropiane), WR-RL (Lista e kuqe botërore). /IKMN