Gakthi, zogu që jeton vetëm në një fshat të Kosovës
Ndonëse i famshëm, sepse tashmë për të ka edhe një vjershë, ai megjithatë mund të zhduket edhe nga aty, për shkak se ky lloj konsiderohet i rrezikuar
Biologët tanë e kanë quajtur Gakth, në shkencë njihet si Botaurus stellaris (klasa e shpezëve Aves, rendi i pelikaneve Pelecaniformes, familja e çafkave, Ardeidae). Në vendin tonë jeton vetëm në një fshat – fshatin Henc të Fushë Kosovës, apo është parë vetëm aty. Por, mund të zhduket edhe që aty, megjithëse ka mundësi të bëhet i famshëm, sepse për të ka edhe një vjershë.
Para do kohe, profesorët Nexhemdin Ramadani dhe Ismet Lecaj, ia pari nga OJQ-ja Finch, e cila kujdeset për zogjët, dhe i dyti poet, i kanë bashkuar forcat dhe kanë botuar një libër interesant, në fakt një album zogjsh, me të dhëna e fotografi për secilin prej tyre, përcjellë me nga një vjershë. Ja një strofë nga vjersha për Gakthin e profesorit Lecaj:
“Kur e çon kokën përpjetë
Duket ujk që ulëron,
Kur e shtron sikur shigjetë,
Kujdes n’zemër mos të shpon”.
Përndryshe, kjo shpezë ka përhapje të gjerë, që nga Suedia, Anglia dhe Spanja, përgjatë Evropës, Afrikës veriore, Lindjes së Afërt dhe Azisë qendrore, në lindje të Lindjes së largët të Rusisë, verilindjes së Kinës dhe Japonisë; dimëron në Evropën qendrore dhe jugore, Pellgun e Mesdheut, në lindje drejt jugut dhe juglindjes së Azisë dhe Afrikës nënsahariane.
Madhësia e këtij lloji është 64–80 cm, mashkulli peshon 750–2060 g, femra 650–1150 g, kurse hapja e krahëve 125–135 cm. Në vendet me dimra të butë është lloj sedentar, kurse në vende të tjera është shtegtar. Sa i përket të ushqyerit, ai është i ndryshëm në stinë të ndryshme, por i preferon peshqit, ujëtokësorët, insektet, merimangat etj.
Habitati i tij janë vendet ujore kontinentale, moçalet e këneta. Kanë kërkesa të kufizuara gjatë kohës së folezimit, kryesisht parapëlqejnë moçalishte pak të shqetësuara, vende përreth liqeneve dhe lumenjve, me pjesë kallamishtesh përreth.
Deri sa në Evropë statusi i kërcënueshmërisë është në kategorinë “shqetësim i vogël”, në Kosovë, sipas Librit të kuq të faunës së Republikës së Kosovës, ai është i rrezikuar, gjë që flet edhe për dallimet e cilësisë së mjedisit tonë dhe atij evropian. Ekspertët Taulant Bino, Qenan Maxhuni kanë dhënë këtë vlerësim pasi që zona e pranisë së tij është e kufizuar vetëm në 500 km katrorë, e cila ka tendencë rënieje, ndërsa numri i lokaliteteve të tij është vetëm 5.
Kërcënime të tij, si edhe për shumë lloje bimësh e kafshësh, paraqet zgjerimi i agrikulturës si dhe modifikimet e sistemeve natyrore, digat dhe përdorimi i ujit.
Lloj i mbrojtur në Kosovë (Udhëzimi Administrativ Nr. 18/2012 Për Shpalljen e Llojeve të Egra të Mbrojtura dhe Strikt të Mbrojtura).
Masa mbrojtëse sugjerohen mbrojtja e përgjithshme e mjedisit dhe e habitatit të tij./bbgreenkosova
Burimi: Libri i kuq i faunës i Republikës së Kosovës, Në kërkim të zogjve, BirdLife International
Foto: ildish.com