Shembujt e të tjerëve: Zhvillimi në harmoni me planetin

Njeriu dhe natyra

Pushteti në Amsterdam ka vënë aksionin klimatik në thelb të planeve për rimëkëmbjen nga pasojat e krizës në rritje shëndetësore e ekonomike

Deri sa në Kosovë është bërë një analizë e vetme për ndikimin e izolimit gjatë pandemisë – ajo për cilësinë e ajrit gjatë muajve mars e prill të këtij viti, duke analizuar të dhënat nga sistemi i monitorimit të cilësisë së ajrit, ndërsa dëmtimi i mjedisit po vazhdon si gjithmonë (si në rastin më të freskët të kanionit të Mirushës), gjetiu në botë kriza e epidemisë po shfrytëzohet si rast për ndryshime dhe po ndërmerren veprime për sanim të pasojave të saj, të cilat jo vetëm që u shkojnë në favor qytetarëve të tyre, por respektojnë edhe mirëqenien dhe shëndetin e tërë planetit.

Të udhëhequr nga idetë e ekonomistes oksfordiane Kate Raworth dhe autore e ‘Doughnut Economics: Seven Ways to Think Like a 21-st Century Economist’, pushteti në Amsterdam ka vënë aksionin klimatik në thelb të planeve për rimëkëmbjen nga pasojat e krizës në rritje shëndetësore e ekonomike. Në fakt, pushteti i qytetit ka zhvilluar strategjinë e cila i hedh poshtë kriteret tradicionale të suksesit (si rritja e GDP-së) në dobi të përkufizimit të suksesit të qytetit të mbështetur në mirëqenien e njerëzve dhe të planetit.

Vlerat jetësore në plan të parë

Krofnën (‘The Doughnut’) mund ta kuptojmë si paradigmë ekonomike, në të cilën vlerat jetësore janë në plan të parë. Ky model e përkufizon bazën sociale, në të cilën gjenden premisat për jetë të mirë të mbështetur në qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (SDGs), si edhe tavani ekologjik, mbi të cilin aktiviteti njerëzor shkakton dëme planetare, si ndryshimet klimatike dhe ndotja e ajrit. Midis tyre gjenden vendi i sigurt ekologjik dhe i drejtësisë sociale për njerëzimin, si hapësirë në të cilën askujt nuk i janë kufizuar bazat për jetë të mirë dhe në të cilën respektohen limitet natyrore të Tokës.

Pos asaj se ofron pamje të gjendjes në të cilën gjendemi aktualisht në krahasim me atë ku duhet të jemi, ‘krofna’ paraqet alternativë për bindjen se përparimi shoqëror duhet të ketë çmim të lartë në formë të pabarazisë së shtuar ndërmjet të pasurve e të varfërve dhe dëmit ekologjik, si edhe se nuk mund të luftohet njëkohësisht edhe kundër njërit, edhe kundër tjetrit.

Aplikimi i këtyre ideve në qytet bëhet nëpërmjet katër këndvështrimeve – ekologjik, social lokal dhe global – të cilët bashkërisht i kontribuojnë përspektivës së re për atë se si përkufizohet suksesi ashtu, që ai të jetë në harmoni me natyrën dhe shoqërinë. Me një qasje të këtillë, qyteti merr përgjegjësinë jo vetëm për zbatimin e aksioneve lokale si zvogëlimi i ndotjes së ajrit, por edhe garancitë se aksione të tilla nuk do të ketë në dëm të njerëzve tjerë dhe ekosistemit. Kështu, zgjidhja e këtyre problemeve me zëvendësimin e prodhimeve lokale me import nga pjesët e tjera të botës për të zvogëluar emisionet dhe ndotjen nuk do të përshtatej në këtë model të ri, deri sa kjo kornizë mbështet zvogëlimin e konsumit si zgjidhje adekuate.

‘Krofna’ e Amsterdamit është bërë pjesë e strategjisë së qytetit për të realizuar qëllimin e kalimit në ekonominë rrethore – Amsterdami planifikon që të përgjysmojë përdorimin e lëndeve të para deri në vitin 2030, ndërsa të bëhet krejtësisht qarkor deri në vitin 2050. Në kryqëzimin e globales dhe sociales, ka edhe kërkesa që qyteti të marrë parasysh origjinën e produkteve të importuara dhe kushtet në të cilat ato prodhohen, ndërsa kryqëzimi i globales dhe ekologjikes vlerëson presionin që ushtron qyteti mbi ekosistemin planetar.

Në vend që të përqendroheni në riparimin e dëmit pasi të jetë bërë, qëllimet rrethore të Amsterdamit janë në përputhje me konceptin kryesor të ekonomisë së krofnes – që aktivitetet ekonomike duhet të jenë të dizajnuara për të qenë rigjeneruese dhe rishpërndarëse. Megjithëse “krofna” nuk ofron zgjidhje për të gjitha problemet, rëndësia e një modeli të tillë qëndron në orientimin në të njëjtën kohë drejt hapave të domosdoshëm që qyteti të gjendet brenda kufijve socialë dhe planetarë.

Qytetet i prijnë luftës kundër ndryshimeve klimatike

Rasti i Amsterdamit është prezantimi i parë publik i përshtatjes së parimit krofne me kontekstin lokal, por edhe shembull i trendit më të gjerë të aksioneve të vendosura klimatike. Mes organizatave të tubuara në “Thriving Cities Initiative”, të cilat kanë realizuar projektin në Amsterdam, gjendet edhe rrjeti i qyteteve C40 – njëra prej organizatave prijëse, nëpërmjet të të cilës akterët e qytetit i bashkojnë forcat në luftat klimatike.

Meqë 55% e popullatës botërore, e cila jeton në qytete, është përgjegjëse për mbi 60 për qind të konsumit të energjisë dhe mbi 70% të emsioni të dioksidit të karbonit (kur merret parasysh ndikimi global i prodhimeve të cilat i importojnë dhe i konsumojnë), qytetet kanë edhe një pjesë të madhe të përgjegjësisë për ndërmarrjen e aksioneve ambicioze. Kjo aq më se e vërtetë, pasi që pa ndryshime radikale kërkesat në qytete për resurse materiale është paraparë të rritet nga 40 miliardë tonelata në vitin 2010 në gati 90 miliardë tonelata në vitin 2050. Mirëpo, konsumi i madh nuk është vetëm ajo që qytetet e kanë të përbashkët: mbi 90 për qind të rajoneve urbane gjenden në bregdet, që qytetet i vë në rrezik të madh nga përmbytjet e shkaktuara nga niveli i ngritur i detit dhe stuhitë e fuqishme.

Pas Amsterdamit,’krofna’ e qytetit po përgatitet edhe Filadelfian në Pensilvani dhe Portlandin në Oregon, ndërsa shumë qytete po realizojnë aksione të mëdha klimatike edhe në mënyra të tjera – nga ndërprerja e investimeve dhe padive të drejtuara kah korporatat fosile në rastin e Nju-Jorkut, deri në punën për eliminimin e varfërisë energjetike dhe fokusimit në drejtësinë klimatike në marrjen e vendimeve në rastin e Barcelonës.

Parimet rrethore në praktikë

Krofna e Amsterdamit nuk është zhvilluar në vakuum, por në atmosferë dinamike, në të cilën grupe qytetarësh dhe rrjetet e fqinjësisë prijnë me aktivitetet e tyre.

Se si parimet rrethore duken në praktikë, është paraqitur nëpërmjet të njërit prej projekteve më të qëndrueshme në Evripë, i cili gjendet në Amsterdamin verior – De Ceuvel. Kjo hapësirë unike e punës është menduar dhe ndërtuar në një tokë të braktisur të kantierit të dikurshëm të anijeve, të cilën qyteti ua ka lënë në dispozicion pasi që një grup arkitektësh ka fituar në tender me projektin e “oazës urbane rigjeneruese”.

Pos tjerash, zyrat efikase energjetike janë bërë prej shtëpive të renovuara lundruese, të cilat janë vënë në breg (toka ka qenë aq toksike sa gërmimi nuk ka qenë i rekomandueshëm), mbeturinat shndërrohen në resurs për kultivimin lokal të ushqimit, shiu pastrohet për ujë të pijes, ndërsa llojet e veçanta të bimëve ndihmojnë në pastrimin e tokës së ndotur nga industria e dikurshme. Dhe për tërë këto përdoret energjia e prodhuar nga 150 panele PV të shpërndara nëpër kulme.

De Ceuvel është menduar si hapësirë edukative, e cila evoluon në bashkëpunim me partnerët teknologjikë, pushtetin e qytetit dhe institutet hulumtuese, dhe shërben për eksperimentime me mënyrat në të cilat mund të mirëmbahen mjediset rrethore urbane. Demonstrimi i tillë i praktikës rrethore vë në dukje faktin se zvogëlimi i konsumit në kuadër të ekonomisë rrethore s’është e thënë të nënkuptojë flijime të mëdha, por se është e domosdoshme që njerëzit ta konceptojnë ndryshe ciklin jetësor të materialit i cili përdoret dhe të fokusohen në mirëqenien e njerëzve dhe të natyrës.

Pushteti i amsterdamit nuk ka pasur nevojë të shohë më larg se nga fqinjësia në qytetin e tij për të gjetur inspirim për aksione të vendosura klimatike e shoqërore, ndërsa me zbatimin e parimit të krofnes ata mund të frymëzojë edhe qytetet tjera që për aksione të ngjashme./bbgreenkosova

Burimi: The Guardian, kateraworth.com
Foto: BB Green Kosova, Kate Raworth

Leave a Reply