Debati: A mund të shpëtohet Mirusha?

Më të rejat

Ka shteruar Mirusha. Lajmi, nga fillimi i muajit që shkoi, u prit me shqetësim ndër qytetarët dhe shoqëria civile, por heshtën ata që duhet të jepnin shpjegime pse ndodhi kjo – përgjegjësit shtetërorë.

Zyrtarët e Ministrisë së ekonomisë dhe ambientit, ndonëse ishin ftuar, nuk morën pjesë as dje panelin e organizuar nga Qytetarët Aktivë, Kosova Wildlife Care si dhe Grupi për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit (moderatore Flutra Zymi nga Qytetarët Aktivë), me qëllim të kërkimit të shkaqeve të dëmtimit dhe mundësive për shpëtimin e Mirushës.

Kanioni i Mirushës është një ndër zonat më interesante dhe më tërheqëse të natyrës së Kosovës. Lumi Mirusha, në pjesën e poshtme të rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë, e cila njihet si Kanioni i lumit Mirushë. Në këtë pjesë të kanionit janë 16 ujëvara me liqene, që e përbëjnë pjesën më tërheqëse të kanionit. Sipas IUCN-së, zona i përket kategorisë “Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë ”Monument natyror”.

Çështja e parë, e cila u shtrua në këtë debat ishte ajo e një dige të ndërtuar në shtratin e lumit Mirusha dhe një liqeni të vogël artificial të krijuar prej saj në vitet 2006-2007 dhe ndikimi i saj eventual në mjedis. Ajo që nuk ishte fare kontestuese ishte fakti se kjo pendë është ndërtuar pa pëlqim mjedisor dhe pa leje, ndërsa atë kohë kanë heshtur edhe Ministria e ambientit, edhe Agjencioni per mbrojtjen e mjedisit të Kosovës. Ky i fundit, në të vërtetë, kishte reaguar vetëm në vitin 2009, kur, siç u tha, nga ndikimi i pendës ka pasur ngordhje të peshqve.

Artan Paçarrizi, zyrtar i komunës së Malishevës dhe, siç u prezantua – edhe peshkatar sportiv, tha se penda nuk ka ndikim në shterrimin e lumit, madje sipas tij ajo vetëm shërben si rregullator i rrjedhës së ujit dhe nuk e pengon as lëvizjen e peshqve, meqë i ka kanalet e hapura anësore. Sipas tij, shkak i shterimit të lumit janë dimri pa borë dhe reshjet e pakëta të shiut.

Por, ky argument nuk u pranua nga Fabien Techene e as nga Ardian Ndrecaj, të cilët ishin kategorikë se penda e pengon lëvizjen e peshqve dhe se është i pakuptimtë ndërtimi i saj pa leje në lumin e mbrojtur.

Si e tillë, u tha se penda edhe duhet të rrënohet, ndonëse edhe kjo nuk është pa probleme: dëmi i saj tashmë është bërë, shkëmbinjtë, në të cilët ka hyrë janë dëmtuar dhe më nuk mund të kthehen në gjendjen e mëparshme.

Sipas Ali Sefajt, ndikim në humbjen e ujit ka edhe shtrati gëlqeror i lumit dhe rrjedhja nëntokësore e ujit, por më së shumti shfrytëzimi i pakontrolluar i ujit nga shumë degë të lumit Mirusha, të cilave u ndalohet rrjedha para se të derdhën në të, për shkak se banorët e fshatrave përreth e përdorin ujin e tyre për pije dhe për ujitje.

Fitim Humolli, profesor i gjeografisë në Universitetin e Kosovës, tha se kjo po ndodh për shkak se institucionet e shtetit nuk po e luajnë rolin e tyre, ato ndodh të japin edhe leje “ku nuk duhet”, duke u bërë kështu pjesë e oligarkisë për interesa të individëve.

Ndoshta ky është edhe shpjegimi më i mirë për vërsuljen e gjithanshme që i bëhen kanjonit të Mirushës, ku u tha se në të dy anët e lumit derdhën ujërat e zeza të kanalizimit, janë ndërtuar restorane pa leje, po ndërtohen rrugë e shtigje të cilat nuk gjenden në planin hapësinor. Ndërsa, siç e përshkroi njëri nga ata që e kanë parë me sytë e tij, liqeni nën ujëvaren e madhe, me ujin e zi, siç është bërë, ka pamje të trishtueshme.

Flutura Zymi paralajmëroi se do të shyrtohen të gjitha mundësitë se si të rehabilitohet kanioni i Mirushës dhe biodiversiteti i tij i dëmtuar, si dhe se do të angazhojnë një jurist, i cili do të hulumtojë deri në detaje secilën ndërhyrje që është bërë dhe secilën leje që është dhënë dhe se fajtorët do të dalin para drejtësisë./DG/bbgreenkosova

Pjesëmarrësit

Albert Krasniqi – Kosova Wildlife Care, Fabien Techene – World Wide Fund for Nature, Nazmi Hasanramaj – Klubi alpin “Prishtina”, Ali Sefaj – AMMK, Ardian Ndrecaj – Grupi për mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit; Online: Artan Paçarrizi – zyrtar i komunës së Malishevës, Krenare Salihu – World Wide Fund for Nature, Lule Pashku – juriste, Burim Buzhala – Klubi alpin-bjeshkatar “Malisheva”, Fatos Katallozi -Outdoor Kosova, Elza Ramadani – Fondacioni për të drejtat e kafshëve, Rexhë Morina – Edukimi i qëndrueshëm për mjedisin, Blerim Bytyqi – Exploring, Florim Humolli – profesor i Universitetit të Kosovës.

Foto: Grupi për mbrojtjen e ujërave dhe të mjedisit

Leave a Reply